Sunday, 30 January 2011

Dita ndërkombëtare e kujtesës nderohet ambasadori Zef Mazi

Nga Londra
Muhamed Veliu

Në ditën ndërkombëtare të kujtesës komuniteti hebre në Londër në bashkëpunim me Forumin e Tre feve në Britaninë e Madhe, kanë vlerësuar ndihmën dhënë hebrenjve, nga shqiptarët gjatë luftës së dytë botërore, duke i akorduar amabasadorit Zef Mazi medaljen e arit të këtij forumi.
Motivacioni medaljes është "Ne shenjë mirënjohje për kontributin e shquar në mirëkuptimin ndërfetar".
Forumi Tre Feve ne Britanine e Madhe, është një organizatë mjaft prestigjoze me qendër në Londër dhe aktivitet të gjerë ndërkombetar.
Ndër një numër kandidatësh, pasi analizoi karrierën dhe veprimtaritë, përzgjodhi dhe unanimisht vendosi që cmimin më te lartë të saj - Medaljen e Arit të Forumit - t'ia akordojë Ambasadorit të Shqipërisë në Britaninë e Madhe Zef Mazit në rolin e përfaqësuesit të Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Kjo medalje iu dorëzua ambasdorit Mazi , në Qendrën Kulturore Cifute në Londër, duke përkujtuar kontributin unikal që shqiptarët kanë dhënë në mbrojtjen dhe shpëtimin e gjithë hebrenjve që jetonin dhe që erdhën në Shqipëri gjatë Luftës së II Botërore, për t'i shpëtuar shfarosjes naziste.
Pas dorëzimit të medaljes ambasadori Mazi tha se "është vlerësim dhe nder mjaft i madh që kjo Medalje e lartë u vendos që të më akordohet mua, me atë motivacion mjaft domethënës, si përfaqësues i vendit dhe popullit tim, dhe pikërisht në ditën përkujtimore të Holokausttit.
“Jam shumë krenar që kjo medalje do të ndihmojë sado pak për të përmirësuar dhe ngritur lart imazhin dhe emrin e vendit tim në arenën ndërkombetare pikërisht në këto momente" deklaroi ambasadori Mazi.
Një medalje e tillë i është akorduar më parë Mbretëreshës Elisabeta II, ish Presidentit të Gjermaniseë Johanes Rau, Princit Oto fon Habsburg, dhe disa udhëheqësve të tjerë të shquar botëror që kanë kontribuar për të promovuar mirëkuptimin dhe marrëdhëniet paqësore ndërmjet feve.
Me rastin e kesaj ceremonie, Ambasada Shqiptare në Londër në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës Cifute , organizuan edhe shfaqen e dy filmave dokumentarë mbi rolin e shqiptarëve në shpëtimin e cifutëve gjatë Luftës II Botërore.

Friday, 28 January 2011

Drejtësia britanike vendim kundër drejtësisë shqiptare

Nga Londra
Muhamed Veliu

Gjykata e Lartë në Londër nëpërmjet një vendimi, është shprehur se “drejtësia shqiptare nuk ka paraqitur argumentat e nevojshme që vërtetojnë se në Shqipëri rigjykimi personave të dënuar në mungezë zbatohet”.
Kjo gjykatë i ka dhënë të drejtë apelit të shtetasit shqiptarë Astrit Bulla i dënuar në mungesë me 10 vite burg për grabitje me armë, ngjarje e ndodhur në vitin 1996 për të cilën ai ka mohuar autorësinë.
Vendimi ka bllokuar ekstradimin e Bullës pasi gjykata mbërriti në përfundimin se drejtësia shqiptare ka lënë pa sqaruar shumë cështje duke mos ofruar garancitë e duhura për rigjykim.
Një raport i hartur nga një avokat shqiptarë me mbiemrin Gorgji tregon se në shumë raste personat e ekstraduar të dënuar në mungesë nuk u lejojet rigjykimi sic e parashikon ligji shqiptarë dhe konventat ndërkobëtare.
Gjykata e ka marrë për bazë raportin duke kokluduar se përgjigjes së shtetit shqiptarë ndaj këtij raporti i mungonin sqarimet e nevojshme.
Gjithashtu Gjykata e Lartë në Londër ka pranuar vështirësitë në interpretimin e cështjeve të ekstradimit por vëren se interpretimi këtyre cështjeve në përgjigjen e dhënë nga Ministria e Drejtësisë në Tiranë ka humbur kuptimin.
Në faqen tre të vendimit gjykatësi Lord Justice Sullivan thotë se “nga materialet e paraqitura përpara gjykatës është pothuajse e pamundur të sigurohemi se Astit Bullës do ti lejohet e drejta e rigjykimit”.
Edhe në të shkuarën kjo gjykatë gjatë viteve 2005-2008 është shprehur kundër shtetit shqiptarë për cështjen e rigjykimit duke bllokuar ekstradimin e personave të kërkuar.
Ndërsa gjatë viteve 2008-2010 vendimet e dhëna nuk shprehnin shqetësim për rigjykimin e shtetasve shqiptarë të arrestuar në Angli me kërkesë të drejtësisë shqiptare.
Vendimi i fundit nga kjo gjykatë, është një hap prapa për drejtësinë shqiptare, falë gamimeve të atyre që hartojnë dokumentacionet përkatëse, pasi rasti Bulla i kthyer tashmë në precedent juridik për këtë gjykatë, do të shërbejë për bllokimin e ekstradimeve në raste të ngjashme kur do të kërkohet ekstradimi personave të dënuar në mungesë.

Wednesday, 26 January 2011

Kriza financiare mbyll BBC në Shqip

Nga Londra
Muhamed Veliu

“Ju flet Londra po dëgjoni BBC në Shqip”. Këto fjalë që kanë shoqëruar miljona dëgjues që nga rihapja e seksionit të BBC në Shqip nuk do të kenë mundësi ti dëgjojnë përsëri.

Në kuadër të shkurtimit të shpenzimeve me 16% shërbimi botëror i BBC ka vendosur ndërprerjen e transmentimeve në gjuhën shqipe dhe katër gjuhëve te tjera.

Ndërprerja e transmetimeve është konfirmuar nga një zëdhënëse e BBC.

Arben Manaj njëri prej themeluesve të BBC në Shqip tha se “kjo mbyllje është për të ardhur keq pasi sipas tij BBC në Shqip ende kishte një rrol për të luajtur në informimin në Shqipëri dhe Kosovë.

“ Vendimi për mbylljen e seksionit tonë dhe disa seksioneve të tjera për arsye financiare është e mirëkuptueshme për vetë situatën e krizës ekonomike” ka deklaruar Manaj.

Dy prej drejtuesve të emisioneve kryesor në Top-Channel Sokol Balla dhe Adi Krasta kanë qenë pjesë e BBC në Shqip.

Sokol Balla e ka komentuar mbylljen si një lajm të keq pasi për të BBC ishte shtëpija e tij profesionale për katër vjet.

“Kam kaluar vite të mrekullueshme dhe ngjarje të mëdha si puci i shtetit në vitin 98, clirimi Kosovës në vitin 1999 apo konflikti në Maqedoni. Gjithsesi mendoj se zbehja e rolit dhe influencës në rajon pas viteve 2002-2003 ishte e prekshme edhe falë rritjes profesionale të medias elektronike lokale. Gjithsesi megjithëse dëgjuesit do ta ndjejnë pak mungesën e BBC në Shqip, sigurisht të gjithë do ndjejmë boshllëkun e madh të shqipes në BBC” ka thënë Balla.

Gjatë viteve të fundit Top-Channel ka patur një bashkëpunim të suksesshëm me BBC në Shqip duke organizuar programin Auditorium në të gjitha qytet shqiptare dhe ato kosovare.

Seksioni shqiptarë në BBC për herë të parë ka nisur transmetimet në gjatë luftës së dytë botërore si Radio Londra për ti ndërprerë ato në vitin 1967 pasi ministria e jashtëme britanike mendonte se kjo radio nuk ishte influencuese për rregjimin e Enver Hoxhës.

Përsëri BBC në Shqip do të shpërndante valët në eter mbrëmjen e 28 shkurtit 1993 duke rifulluar transmetimet pasi gazatari Tim Cook do të ndërtonte një redaksi me gazetarë të përzgjedhur nga Tirana dhe Prishtina.

Paanshmëria dhe influenca e BBC në Shqip nuk do të pëlqehej nga presidenti i athershëm Sali Berisha i cili në vitin 1994 një vit pas rihapjes së BBC në Shqip urdhëroi ndërprerjen e transmetimeve në valën e mesme.

E njëjta situatë do të përsëritej në vitin 1997 kur Shqipëria ishte në gjendje të jashtëzakonshme dhe korrespondentët e BBC në Shqip raportonin zhvillimet nga terreni.

Tuesday, 25 January 2011

Vrau në Angli, pranga në Kosovë

Nga Londra
Muhamed Veliu

“Asnjë nga shtetasit shqiptarë që mundohen t’i fshihen drejtësisë britanike nuk do të mund të jenë të suksesshëm”. Kështu është shprehur detektiv inspektori Nick Sumner i cili hetoi vrasjen e një qytetari britanik me autor një shqiptar.
Gerald Mitre, mëngjesin e 2 janarit 2006, goditi me thikë për vdekje britanikun me ngjyre, Aron Stokes pasi besonte se ai kishte nisur një lidhje me motrën e tij.

Menjëherë pas krimit 25 vjeçari nga Durrësi do të largohej nga Anglia duke i shpëtuar drejtësisë britanike për 6 vjet.

Policia e Kosovës disa ditë më parë bëri të mundur arrestimin e Gerald Mitres i cili në Angli përdorte emrin Aldo Aliaj.

Gjatë javëve në vazhdim pritet ekstradimi i tij në Tiranë.

Provat e siguruara për këtë vrasje në jug të Londrës iu paraqitën nga oficerët e Scotland Yard, gjykatës së Tiranës në vitin 2009 nga ku Gerald Mitre më pas është dënuar në mungesë me 14 vite burg.

“U gëzova shumë kur m’u tregua për arrestimin e vrasësit të djalit tim. Kemi kaluar shumë vite të vështira duke pritur drejtësi për vrasjen e pakuptimtë të Aronit. Na ka munduar shumë gjatë gjithë këtyre viteve fakti se jeta e tij u ndërpre tragjikisht dhe se vrasësi ishte i lirë”, është shprehur nëna viktimës Marilyn Stokes.

Gjatë 10 viteve të fundit 13 shtetas shqiptarë janë dënuar nga gjykatat në Angli me dënime të ndryshme për vrasje të shtetasve britanikë.

Vitin e fundit në 8 raste, oficerët e policisë britanike i kanë paraqitur gjykatave shqiptare provat për krime të emigrantëve shqiptarë, duke siguruar dënimin në mungesë ndaj tyre ose dënimin në prezencë në ato raste kur policia shqiptare ka prangosur të kërkuarit e drejtësisë britanike.

Sunday, 23 January 2011

BBC-“Shqipëria lëshon fletëarresti për pjestarët e gardës"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Koorporata britanike e transmetimeve BBC vazhdon së raportuari rreth zhvillimeve më të fundit në Shqipëri duke e vënë theksin në artikullin e sotëm në mos ekzekutimin nga policia të gjashtë fletë arresteve lëshuar nga prokuroria për punonjësit e gardës.

“Shqipëria lëshon fletëarresti për pjestarët e gardës”. Ky është titulli i artikullit rreth kërkesës së prokurorisë shqiptare për arrestimin e 6 drejtuesve të gardës.

“Tre persona u qëlluan për vdekje jashtë selisë së kryeministrit Berisha të premten” shkruan BBC. Artikulli vijon duke iu referuar pamjeve të transmetuara në televizionet e Tiranës. BBC duke iu referuar këtyre pamjeve, raporton se imazhet e transmetuara tregojnë se të shtënat vinin nga brenda godinës së kryeministrisë.

Artulli BBC-së sqaron se akuzat e ngritura për drejtuesit e gardës kanë të bëjnë me “tejkalim të kompetencave”.

Gjithashu kjo media britanike thekson se tashmë këto fletë arresti të lëshuara nga prokuroria nuk janë ekzekutuar ende nga policia. Kronologjia e asaj që ndodhi të premten është vijimi artikullit ku citohen deklaratat e zotit Berisha i cili fajësojn opozitën.

“Tensioni në Shqipëri u rrit pasi Ilir Meta njëri prej aleatëve më të të rëndësishëm të kryeministrit Berisha dha dorëheqjen javën e shkuar si i akuzuar për korrupsion” shkruan BBC.

“Shqipëria është njëri prej vendeve më të varfra në Europë” rikujton BBC.

Shpresat e këtij vendi për t’iu bashkuar Bashkimit Europian janë të vështira dhe për momentin kanë mbetur në vendnumëro pasi ende nuk ka provuar se faza e tranzicionit ka mbaruar dhe një demokraci funksionale është në zbatim.

Lajmi për lëshimin e urdhër-arresteve ndaj 6 anëtarëve të Gardës së Republikës është pasqyruar gjërësisht edhe nga CNN që i ka kushtuar një vëmendje të vecantë edhe retorikës politike të ashpër që po shoqëron vendin pas protestës të së premtes

Thursday, 13 January 2011

Britani, penalizim deputetit abuzoi me fondet

Nga Londra
Muhamed Veliu

Një tjetër deputet britanik pritet të dënohet nga gjykata, pasi në mënyrë të jashtëligjëshme përfitoi 14 mijë stërlina nga fondi i shpenzimeve që kanë deputetët.
Eric Illsley, i cili është deputet, ka pranuar akuzat për shpërdorim të fondeve publike duke deklaruar se përpara seancës së ardhëshme ku do t’i lexohet masa e dënimit ai do të largohet nga Parlamenti, duke e cuar zonën e tij elektorale në zgjedhje të parakohëshme.

Përpara pranimit të akuzave në gjykatë, deputeti Eric Illsley tha se ai i kërkonte falje votuesve të tij, familjes dhe miqve për turpin e shkaktuar nga ky veprim, për të cilin ndjente keqardhje.

“Kam nisur të paketoj materialet e zyrës time në Parlament, pasi kam vendosur ta dorëzoj mandatin e deputetit përpara përaqitjes së ardhëshme në gjykatë”, deklaroi ai.

Illsley që prej vitit 1987 është zgjedhur deputet në disa legjislatura nga partia Laburiste, e cila e përjashtoi nga radhët e saj që në momentin kur prokuroria ngriti akuzat.

Ishte lideri i Laburistëve, Ed Milliband ai i cili kërkoi largimin nga Parlamenti të ish-kolegut të tij.

Javën e shkuar një tjetër deputet britanik u dënua me 18 muaj burg për të njëjtat akuza. David Caytor ka nisur ta vuajë këtë dënim në burgun Wansworth, pasi pranoi akuzat për përfitimin në mënyrë ilegjitime të 13.500 stërlinave.

Tre nga katër deputetët e tjerë të akuzuar për abuzim me fondet që janë nga partia Laburiste kanë dhënë dorëheqjen nga politika.

Dy deputetë të tjerë, Jim Devine dhe Elliot Morley do të gjykohen gjatë muajve në vazhdim pasi prokuroria ka mbyllur hetimet.

Skandali i abuzimeve me shpenzimet nga deputetët britanikë u zbulua vitin e kaluar përmes një sërë investigimesh të publikuara nga gazetarët e së përditëshmes “Daily Telegraph”.

Wednesday, 12 January 2011

Julian Assange rrezikon dënimin me vdekje

Nga Londra
Muhamed Veliu

Nëse Julian Assange do të ekstradohet në Suedi atëherë një veprim i tillë do t’i hapë rrugë dërgimit në burgun famëkeq të Guantanamo Bay ose dënimit me vdekje.
Ky është njëri prej argumentimeve juridike të formuluara nga avokatët e Assange pjesë e kundërshtimit të ekstradimit që do t’i paraqitet gjykatës në seancën e 7 shkurtit.

Sipas avokatëve menjëherë pas ekstradimit në Suedi, SHBA mund të kërkojnë një ekstradim ose rrëmbim të jashtëligjëshëm duke e dërguar në Guantanamo Bay ose diku tjetër.

Dokumenti hartuar nga avokatët mbrojtës, përbëhet nga 35 faqe. Në të trajtohen më së shumti të drejtat e njeriut që shkelen, nëse ekstradimi lejohet dhe në vecanti analizohet frika e mos dhënies së garancive nga Amerika për mos ta dënuar atë me vdekje.

*Abuzimet me procesin e ekstradimit pasi Assange nuk ka në dispozicion të gjitha provat që posedon Suedia.

*Mos vlefshmëria e mandatit të arrestit.

*Mënyra e hetimit dhe rihapjes së cështjes nga prokurorët suedez.

*Tentativat politike që fshihen pas kërkesës së ekstradimit janë disa prej cështjeve që formojnë argumentat e mbrojtjes kundra ekstradimit.

Gjykatësi Anthony Evans më 7 dhe 8 Shkurt do të dëgjojë palët për të dhënë vendimin disa javë më pas.

Julian Assange pas përfundimit të seancës së djeshme deklaroi se ishte i vendosur të vazhdonte publikimin e kabllogramëve të diplomacisë amerikane.

“Puna jonë me WikiLeaks vazhdon e pandalshme. Ne do ta intensifikojmë publikimin e ‘CableGate’ dhe të tjera materialeve. Ato do të publikohen në bashkëpunim me mediat tona partnere në të gjithë botën gazeta të mëdha dhe të vogla përfshi disa organizata të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.

Ekstradimi i Assange do të jetë një sagë më vete pasi nëse gjykatësi Evans lejon ekstradimin ish-hakeri australian ka të drejtën e apelit në Gjykatën e Apelit, atë Supreme në Angli përfshi Gjykatën Europiane të të drejtave të njeriut në Strasburg

Tuesday, 11 January 2011

Julian Assange sërish përpara gjykatës

Nga Londra
Muhamed Veliu

Julian Assange themelues i WikiLeaks ka dalë përsëri përpara një gjykate londineze në të cilën zakonisht paraqiten të akuzuarit për akte terroriste, në një seancë gjyqësore me qëllim përgatitjen e nisjes së proçesit të ekstradmit.

Për seancën e sotme ishte zgjedhur gjykata Belmarsh Magistrate Court e ndërtuar disa vite më parë posaçërisht për gjykimin e të akuzuarve për terrorizëm.

Nën shoqërinë e dy gardianëve, përballë një xhami të blinduar 39 vjeçari me origjinë australiane, ka ndjekur i qetë bashkëbisedimin mes avokatit, përfaqësueses të Suedisë dhe gjykatësit.

Të vetmet fjalë që ai shqiptoi në gjykatë ishte emri, adresa dhe mosha kur u pytet t’i deklaronte ato.

Njeriu që tronditi diplomacinë amerikane me publikimin e kabllogramëve, kërkohet të ekstradohet nga Suedija, për ngacmim seksual dhe përdhunim të dy grave ndodhur vitin e shkuar akuza të cilat ai i ka mohuar.

Nën drejtimin e gjykatësit Nicolas Evans seanca e sotme ka zgjatur vetëm 10 minuta ku është vendosur se kur do të zhvillohet seanca e ardhshme, ku do të shqyrtohet kërkesa e ekstradimit.

Gjykatësi Evans vendosi datat 7 dhe 8 shkurt për shqyrtuar kërkesën suedeze duke e lënë Assange të lirë me kusht duke u paraqitur, në polici dhe nën një monitorim elektronik.

Seanca e sotme është ndjekur nga më shumë se 200 gazetarë të mediave botërore duke transmetuar live nëpërmjet rrjetit social Twitter, zhvillimet në gjykatën londineze.

Falë këtij interesimi avokati mbrojtës Geofrey Roberson i kërkoi leje gjykatës që t’i shpërndajë medias argumentat kundra ekstradimit.

Gjykatësi Nicolas Evans e ka pranuar kërkesën duke lejuar shpërndarjen e këtij dokumenti në fillim të seancës së ardhshme.

Avokatët e Julian Assange që kundërshtojnë ekstradimin e kanë cilësuar atë si të motivuar politikisht me qëllimin final ekstradimin e tij në Amerikë

Angli-Rreh fëmijën, dënohet emigranti shqiptar

Nga Londra
Muhamed Veliu

Një emigrant shqiptar është përballur me ligjin anglez për rrahjen e fëmijës 2 vjeç, duke i shpëtuar një dënimi me burg pasi pranoi akuzat për goditjen e të miturit.

Gjykatës së krimeve Snaresbrook Crown Court iu tregua me detaje se si Artan Galica rrahu të miturin si ndëshkim për sjellje të keqe.

Galica, 25 vjeç, me profesion kamarier në një restorant ishte duke lyer me bojë dhomën e fëmijëve kur është mërzitur nga sjellja e 2 vjeçarit të cilin ka nisur ta godasë me forcë duke i shkarkuar dëmtime trupore.

Prokurori i çështjes tha se ishte nëna e të miturit ajo e cila dalloi dëmtimet kur po e lante 2 vjeçarin.

Emiganti Artan Galica pranoi në gjykatë akuzën për dëmtime trupore të fëmijës duke i shpëtuar një burgimi që për këtë vepër penale, ndëshkohet deri me 5 vite burg nëse nuk pranonte fajin.

Pranimi fajësisë është vlerësuar nga gjykatësi i cili shprehu habi për dhunën e panevojshme, ndaj të miturit duke e dënuar Galicën me 100 orë punë vullnetare.

Rrahjet e të miturve merren shumë seriozisht në Britaninë e Madhe veçanërisht pas disa çështjeve kriminale me profil të lartë dy vitet e fundit, kur nga rrahjet e prindërve apo kujdestarëve të miturit kanë gjetur vdekjen.

Monday, 10 January 2011

Angli-"Herkuli” shqiptar mohon akuzat për trafik droge

Nga Londra
Muhamed Veliu

Xhimi Marku, tre herë fitues i konkursit “Burri më i Fortë në Angli” i ka mohuar akuzat si i përfshirë në trafik droge.

Paraditen e së hënës ai ka dalë përpara Gjykatës së Krimeve në Harrow për t’u shprehur rreth akuzave të ngritura.

Marku së bashku me dy persona të tjerë është arrestuar më 19 nëntor 2010 me 10 kg kanabis sativa në zonën Willesden Green në veri të Londrës.

Menjëherë pas arrestimit zyra e shtypit e Scotland Yard tha se arrestimi ishte zhvilluar pas një informacioni të siguruar për shit-blerje të një sasie droge.

36 vjecari Marku në mënyrë kategorike ka mohuar përfshirjen në këtë aktivitet kriminal. Dy të bashkëakuzuarit me Markun, shqiptari Adriatik Dosti 27 vjec dhe irlandezi i Hugh McCourt 40 vjec, pranuan akuzat për posedim të lëndës narkotike me qëllim shpërndarje.

Dostit dhe Mccourt do t’i lexohet masa e dënimit në javët në vazhdim ndërsa Xhimi Marku do të gjykohet për posedim dhe shpërndarje droge më 21 Mars.

Mbetet ende e paqartë përfshirja e Markut në këtë histori por me sa duket ai është ndodhur në vëndim e gabuar në momentin e gabuar kur ka ndodhur arrestimi.

Në komunitetin shqiptar në Angli ai është parë gjithmonë si një shqiptar i suksesshëm dhe model për t’u ndjekur nga të rinjtë shqiptar. Gjatë të gjitha pjesmarrjeve në konkursin “Burri më Fortë” megjithëse Marku ka përfaqësur Anglinë ai gjithmonë me krenari ka pohur origjinën shqiptare.

Lajmi për arrestimin e tij ka ardhur shumë papritur dhe si një tronditje për komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe që krenonet me një sportist të llojit të vecantë sic është Xhimi Marku.

Londër, gjykata lejon ekstradimin e Riza Vatocit

Nga Londra
Muhamed Veliu

Gjykata e ekstradimeve në Londër i ka hapur dritën jeshile ekstradimit për në Shqipëri të një shtetasi shqiptar i arratisur nga Burgu i Lezhës në vitin 1997.

Riza Vatoci kërkohet të ekstradohet, pasi është dënuar me 15 vite burg nga Gjykata e Krujës për tentativën e vrasjes në vitin 1996 të Përparim Gjonajt duke e goditur atë 6 herë me armë zjarri.

Për 39-vjeçarin me origjinë nga Tropoja ky ishte procesi i dytë i ekstradimit në ngarkim të tij nga ku ai ka mohuar të jetë personi që kërkon drejtësia shqiptare.

Në vitin 2009 Vatoci që udhëtonte me një pasaportë britanike është arrestuar në Bolonja.

Disa muaj më pas për mungesë provash gjykata e këtij qyteti e ka lënë të lirë për t’u rikthyer në Angli ku është arrestuar përsëri në tetor 2010.

Zyra Interpol Tiranes ka siguruar disa foto të vjetra të Riza Vatocit të cilat ishin pika e kthesës për të vërtetuar se personi arrestuar është ai i cili tentoi vrasjen e Përparim Gjonajt.

Gjykatësi David Colman që lejoi ekstradimin e Vatocit, tha se të gjitha provat përpara tij janë të mjaftueshme të vërtetojnë se personi përpara kësaj gjykate është ai që kërkohet nga drejtësia shqiptare.

Riza Vatoci kishte mbërritur në Angli si azilant politik në vitin 1999 duke përdorur po këtë emër, por duke ndryshuar datën dhe vendin e lindjes.

Megjithëse ai ishte në listat e personave të kërkuar të Interpolit, kishte mundur që në vitin 2005 të përfitonte një pasaportë britanike, pasi kishte fituar nënshtetësinë.

Sunday, 9 January 2011

Pranga londineze vrasësit Marash Gjoka

Fshihej në Angli që prej vitit 1999. Interpol Tirana 8 muaj hetime për të zbuluar vendfshehjen

Nga Londra
Muhamed Veliu

Policia kriminale londineze Scotland Yard ka prangosur për llogari të drejtësisë shqiptare njërin prej 200 shtetasve shqiptarë më të kërkuar në të gjithë botën nga Interpoli.Marash Gjoka është prangosur mbrëmjen e të mërkurës në zonën Lewisham ne Londer, duke pretenduar se ai ishte një shtetas kosovar me emrin Mark Toma.
48 vjecari Gjoka i skeduar në kartelat e kuqe të Interpolit, është dënuar nga gjykta Lezhës me 20 vite burg për vrasje.
Nga fletë arresti ndërkobëtar mësohet se në muajin Maj 1999 tek vendi i quajtur Ura Lezhë, ai ekzekutoi me armë zjarri Tonin Dashin.
Pas vrasjes Gjokaj me origjinë nga Velipoja është larguar nga Shqipëria për tu fshehur në Angli.
Vëndfshehja e vrasësit Gjoka u zbulua pas 8 muaj hetimesh të Interpol Tiranës dhe oficerit të ndërlidhjes së polisicë shqiptare pranë Ambasadës shqiptare në Londër, të cilët kishin siguruar informacione se ai fshihej në shtetin ishull.
Marash Gjoka ka dalë përpara gjykatës së ekstradimeve, duke u shtirur sikur nuk kuptonte atë c’ka po thoshte gjykatësi gjatë procesin e ekstradimit dhe duke shfaqur shenja të një tronditje psiqike.
Ai refuzoi të ekstradohet vullnetarisht për në Shqipëri duke mbetur në paraburgim deri seancën e radhës më 2 Shkurt.
Zyrtarë të lartë të policisë shqiptare vitin e shkuar i deklaruan medias britanike se 80 vrasës shqiptarë fshihen në Britaninë e Madhe. Të dhënat e tyre i janë dërguar Scotland Yard.
Arrestimet e disa shqiptarëve “wanted” vitin e shkuar janë mundësuar falë një bashkëpunimi të gjerë mes zyrës së Interpol Tiranës dhe homologëve britanik.
Megjithatë numri personave të arrestuar dhe ekstraduar në Shqipëri nga Britania e Madhe është i ulët në krahasim me vendet fqinjë si Italia apo Greqia.
Anglia ka një sistem shumë strikt, procedurash ekstradimi që zgjasin 6 dëri në 12 muaj.
Arrestimi i Marash Gjokës e con në tetë numrin e shqiptarëve të arrestuar në Angli në pritje të perfundimit te procedurave të ekstradimit.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats