Monday, 29 November 2010

28-29- Nëntori mungojnë fondet, s’ka pritje zyrtare në Londër

Hera e parë që nga viti 1991 kur është rihapur ambasada shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar që nuk organizohet një pritje zyrtare.

Nga Londra
Muhamed Veliu

Shkurtimet në buxhetet e ministrive të urdhëruara nga ministri financave Ridvan Bode apo deklaratat e kryeministrit Berisha “për një qeveri në dietë” e kanë patur efektin e tyre mijëra kilometra larg Shqipërisë.
Pritja zyrtare tradicionale, për kremtimin e festave kombetarë të 28 dhe 29 Nëntorit, këtë vit nuk është organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Londër.
Shkaku mosorganizimit ishte mungesa e një fondi që MPJ-a duhet t'i akordonte për këtë qëllim kësaj ambasade.
Është hera e parë që nga viti 1991 kur është rihapur ambasada shqiptare në Londër që nuk organizohet një pritje zyrtare.
Një ngjarje e tillë padyshim që ul prestigjin e përfaqësimit të shtetit shqiptarë në një prej kryeqyteteve më të rëndësishme në botë sic është Londra.
Mosdhënia e fondeve për pritjen zyrtare në Londër është një viktimizim i hapur që i bëhet ambasadës shqiptare në Londër, njëkohësisht komunitetit shqiptarë të këtushëm, pasi në vendet fqinjë me Anglinë si Franca apo Belgjika janë zhvilluar pritje zyrtare nëpër ambasada.
Përgjegjësia dhe turpi bie mbi qeverinë shqiptare e cila vitin e fundit ka organizuar disa koncerte festive me vlerë miliona Euro, ku këngëtarët vetëm për të luajtur buzët duke kënduar me playback janë paguar nga 2 deri 3 mijë Euro secili.
Megjithatë shoqatat e emigrantëve në c’do cep të Anglisë, janë mbeldhur duke festuar me plot dinjitet, ditën e shpalljes së pavarsisë duke i dhënë një leksion të mirë qeverisë shqiptare e cila nuk ka 5 mije euro fond për organizmin zyrtar të pritjes nga ambasada në Mbretërinë e Bashkuar.

Thursday, 18 November 2010

Angli-celulari tradheton fierakun "wanted"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Telefoni celular ka tradhëtur një vrasës nga Fieri i cili fshihej në Angli dhe kërkohej nga drejtësia shqiptare. Lulzim Haxhi Hoxhaj është arrestuar në qytetin e Newcastle në Anglinë Veriore pas 13 vjet fshehje.

Ai kërkohet të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata me 22 vite burg për vrasjen e Eduart Hoxhës dhe plagosjen e dy personave të tjerë me armë zjarri e tipit kallashnikov, ndodhur në vitin 1997.

Një zëdhënëse e Scotland Yard tha se Hoxhaj në Angli përdorte identitet të rremë me emrin Idriz Dervishaj, i datëlindjes 15 Shkurt 1966.

Agjentët e zyrës së Interpol Tiranës në bashkëpunim me policinë e Fierit fillimisht kanë mundur të identifikojnë numrin e telefonit celular nëpëermjet të cilit ai telefononte familjarët.

Numri i identifikuar së bashku me materialet përkatëse i kanë kaluar oficerëve të skuadrës së ekstradimeve në Scotland Yard të cilët nëpërmjet kompanive celulare në Angli kanë zbuluar banesën ku ai jetonte duke e arrestuar.

Hoxhaj ka dalë përpara gjykatës në Londër ku do të zhvillohen seancat e ekstradimit. Në këtë gjykatë janë në procesh shqyrtimi edhe katër kërkesa të tjera të shtetit shqiptarë.

Gjatë pesë viteve të fundit 14 është numri personave të ekstraduar për në Shqipëri nga Anglia ndërsa rastet kur ekstradimi ka dështuar janë 5.

Duke tentuar bllokimin e ekstradimit në Gjykatën e Apelit në Londër janë dy shtetas shqiptarë, pasi është lejuar ekstradimi i tyre.

Policia shqiptare beson se 80 shtetas shqiptarë shumica të kërkuar për krimin e vrasjes fshihen në Britaninë e Madhe.

Tuesday, 16 November 2010

Dasma e princit William me Kate Middleton, vitin e ardhshëm

Nga Londra
Muhamed Veliu


Marrin fund të gjitha spekulimet se kur Princi William do të martohet me të dashurën e tij Kate Middleton.Clarence House, selia e Princit të Uellsit babait të Princit William paraditen e sotme ka shpërndarë lajmin se cifti do të martohet vitin e ardhshëm.

Princi i Wales është i lumtur të anoncojë lajmim e martesës mes princit William dhe zonjushës Catherine Middleton” thuhet në njoftimin për shtyp.

Dasma do të zhvillohet në Londër gjatë pranverës së vitit të ardhshëm.

Princi William kandidati kryesor për të udhëhequr monarkinë britanike pas një lidhje disa vjecare u fejua me Kate Middleton në muajin tetor gjatë kohës kur ata ishin me pushime në Kenia.

Ai ka njoftuar gjyshen, Mbretëreshën Elisabeta II për martesësn pasi ka marrë pëlqimin e babait të vajzës.

Pas martesës cifti do jetojë në veri të Uellsit ku princi William do të vazhdojë së shërbyeri në “Forcën Ajrore Mbretërore".

Zonjusha Middleton pas martesës do të marrë titullin e princeshës.

Menjëherë pas bërjes publik të këtij lajmi kryeministri David Cameron ka uruar ciftin.

Kate Middleton është 27 vjece. Ajo ka lindur në zonën Berkshire dhe vjen nga një familje e rangut të mesëm

Me princin William ajo do niste historinë e dashurisë në vitin 2001 kur ata studionin së bashku në universitetin St Andreës.

Dasma pritet të tërheqë një vëmendje të madhe të medias botërore të njëjtë me atë të martes së nënës së tij Princeshës Diana, e cila u nda nga jeta gjatë një aksidenti në Francë

Miliarderi rus inkurajon gazetarinë investigative

Nga Londra
Muhamed Veliu

Alexander Lebedev botues i tre gazetave në Londër dhe një tjetre në Rusi do të financojë nëpërmjet një fondi të veçantë të gjithë ata gazetarë në të gjithë botën që ushtrojnë gazetarinë investigative.

Qëllimi i kësaj nisme në partneritet me ish-presidentin rus Mikhail Gorbachev ka si qëllim inkurajimin e këtij zhanri gazetarie për të ekspozuar korrupsion.

Lebedev ish-agjent i KGB-së në Londër, tani një biznesmen i fuqishëm i përfshirë edhe në botën e medias, thotë se kjo iniciativë do të ndihmojë në bërjen publike të rasteve korruptive në nivel global.

Duke paraqitur këtë projekt zoti Lebedev ka treguar se ky fond prej qindra mijëra dollarë, ka si qëllim të ndihmojë gazetarinë investigative në të gjithë botën duke dhënë grante dhe çmime.

Gjatë një sesioni me pyetje përgjigje në konferencën e prodhuesve të medias britanike në Gllasgou, Lebedev u tha delegatëve se ai beson që korrupsioni global është i shpërndarë në të gjitha institucionet financiare duke u kthyer në një çështje ndërkombëtare

Për ta ilustruar këtë Lebedev tha se çdo vit në Rusi jepen 300 miliard dollarë në formë rryshfeti.

“Të kesh mundësi raportimi se çfarë ndodh në korridoret e fuqishme të politikës, në fushën e betejës, mbrapa dyerve të mbyllura janë principe të panegociueshme të gazetarisë, me qëllimin final për t’i vënë të korruptuarit përpara përgjegjësive që të kryejnë akte pozitive për shoqërinë dhe njerëzit” , me këto fjalë Lebedev e ka përfunduar fjalën e tij e cila është mirëpritur nga drejtuesit e medias në Britani.

Monday, 15 November 2010

Ish-diplomati britanik në Tiranë,përpara gjykates në Londër, i akuzuar për shpërdorim të qëllimshëm detyre

Nga Londra
Muhamed Veliu

Një ish-diplomat që ka shërbyer në Ambasadën Britanike në Tiranë ka dalë përpara një gjykate në Londër, i akuzuar për shpërdorim të qëllimshëm detyre, gjatë shqyrtimit të aplikimeve për viza pune.

Shkeljet u zbuluan nga një kontroll i brendshëm i Ambasadës Britanike pas marrjes së informacionit se një punonjës abuzonte me detyrën.

“Mark Griffith 44 vjeç me dashje ka neglizhuar kryerjen e detyrës si oficer intervistues i emigracionit, gjatë kohës kur ai punonte në seksionin e vizave të Ambasadës Britanike në Tiranë”, shkruhet në aktakuzë.

Pas një hetimi disa mujor, prokurorët britanikë në aktakuzën e ngritur thonë se Griffith me dashje neglizhoi detyrën e shqyrtimit të aplikimeve gjatë një periudhe 18 mujore.

Ish-diplomati ka lëshuar viza duke shkelur proçedurën e lëshimit të tyre. Nuk është ende e qartë nëse zoti Griffith apo persona të tjerë kanë përfituar financiarisht nga shkeljet në lëshimin e vizave jashtë standarteve të parashikuara nga ligji anglez i emigracionit.

Së bashku me ish-punonjësin e Ambasadës Britanike si i bashkëakuzuar është edhe 39 vjeçari Samuel Fongho.

Të dy akuzuarit gjatë seancës preliminare në gjykatën e krimeve “Southwark Crown Court” në Londër i kanë mohuar akuzat.

Ndaj Mark Griffith me origjinë nga qyteti Norwich, rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës në një zyrë shtetërore gjatë periudhës 1 Dhjetor 2005 deri më 1 Maj 2007.

Samuel Fongho banues në zonën Middlesex në Londër, akuzohet për këshillim dhe prokurim, që çuan në neglizhimin e detyrës nga zoti Griffith. Fongho akuzohet edhe për konspiracion në përdorimin e instrumentave të falsifikuar.

Ai nuk është diplomat, por punon si menaxher i një kolegji dhe agjencie punësimi në Londër.

Gjykatësi John Price vendosi datën 6 Qershor 2011 për të zhvilluar proçesin gjyqësor që parashikohet të zgjasë katër deri në gjashtë javë.

Ministria e punëve të jashtëme britanike “Foreign Office” nëpërmjet zëdhënes së saj nuk ka pranuar të komentojë rreth këtij rasti, por ka konfirmuar se Mark Griffith ishte një diplomat i cili merrej me shqyrtimin e vizave të punës duke shërbyer në këtë detyrë prej Gushtit 2005 deri në Maj 2007, kur ai është larguar nga puna pas një hetimi të brendshëm.

Friday, 12 November 2010

Irlandë, Gjykata pafajësi agresorit VIP të shqiptarit

Nga Londra
Muhamed Veliu

Shpeshherë në Britaninë e Madhe përballja e personave publik me drejtësinë kthehet në temë debatesh për dënimet minimale apo mosdënimit prej gjykatave.

I tillë është edhe rasti i ish-kampionit të botës në boks, irlandezit Steve Collins, i cili goditi me grusht një emigrant shqiptar në Irlandë, duke i thyer tre dhëmbë.

Gjykata kriminale në Dublin e ka shpallur të pafajshëm për të dytën herë Collins, i cili akuzohej për dëmtime të rrezikshme trupore ndaj Adriatik Vodës.

I janë dashur vetëm 35 minuta kohë jurisë për të vendosur për pafajsinë e ish-boksierit të dhunshëm, duke vënë në pikëpyetje nëse ky ishte një vendim i drejtë që duhej marrë.

Steve Collins në vitin 2006 tentoi të hynte në stadiumin nacional në zonën VIP, ku do të komentonte një ndeshje boksi në televizionin RTE, pa patur të varur në qafë baxhën identifikuese.

Emigranti shqiptar që punonte si roje sigurie i ka ndaluar hyrjen duke zbatuar detyrën. “A e dini se kush jam? Keni vetëm 2 sekonda kohë”, ka thënë Collins.

Më pas kur është ndeshur me kundërshtinë e Adriatik Vodës e ka goditur me grusht duke e rrëzuar në tokë.

“Në momentin kur më goditi përjetova një shok elektrik”, ka deklaruar shqiptari në gjykatë.

Pavarësisht se ai po kryente punët si roje sigurie në përputhje me instruksionet e marra, pavarësisht se u godit në krye të detyrës, agresori i tij ka lënë ambientet e gjykatës duke u shpallur i pafajshëm.

Kësaj here gjykata irlandeze nuk dha drejtësi pasi viktima ishte shqiptar, por u vendos në krah të personit që e goditi, i cili ishte një person publik, duke rihapur debatin në Britaninë e Madhe se statusi i personit VIP kthehet në mburojë për cdo prapësi që ata mund të bëjnë

Britani, asistencë sociale me punë vullnetare

Britani, asistencë sociale me punë vullnetare

Nga Londra
Muhamed Veliu

Qeveria britanike e kryeministrit David Cameron ka anoncuar një sërë masash që kanë si qëllim inkurajimin drejt punësimit të personave të papunë të cilët e kanë mbështetur jetesën në asistencën sociale.

Refuzimi i punës së dhënë nga qendrat e punës “Job Centres” do të thotë ndërprerje e asistencës sociale për tre muaj. Nëse kjo përsëritet për të dytën herë paratë e asistencës ndërpriten për 6 muaj. E nëse e njëjta gjë përsëritet për të tretën herë atëherë asistenca sociale hiqet për tre vjet.

Gjithashtu asistenca do t’u ndërpritet edhe atyre të cilët refuzojnë të kryejnë punë vullnetare në komunitet që ka si qëllim edukimin e personave të cilët për shume vite jetotojnë me ato pak para të dhëna nga shteti.
Në punën vullnetare parashikohet pastrimi i rrugëve, grumbullimi i mbeturinave, rregullimi i parqeve apo pastrimi i mureve të mbushura me grafite.

Sipas statisikave 1,5 milion persona në Britaninë e Madhe jetojnë me 64 stërlina në javë të dhëna nga shteti.

Kryeministri David Cameron tha se këto masa do të detyrojnë heqjen dorë nga ndihmat sociale të atyre mijëra personave të cilët jetojnë nga taksat e paguara nga ata mijëra të tjerë që janë në marrëdhënie pune.

“Mesazhi është mëse i qartë. Nëse ekzistojnë mundësitë e punësimit atëherë opsioni i të jetuarit me asistencë sociale nuk është më një opsion” ka theksuar Cameron.

Këto masa janë cilësuar si më të ashprat në sistemin e ndihmave sociale të cilat prekin edhe mijëra emigrantë shqiptarë me të drejtë qëndrimi në Britani të cilët janë të papunë.

Wednesday, 10 November 2010

Shqipëria dhe Kosova, në panairin e boteror te turizmit ne Londer

Nga Londra
Muhamed Veliu

Qendra 'Exel' në Londër ka hapur dyert për panairin e përvitshëm i turizmit “World Travel Market”, i dyti më i madhi i këtij lloji në botë pas atij të Berlinit, ku marrin pjesë edhe Shqipëria me Kosovën.

Në katër ditët e panairit brenda 90 mijë metrave katrorë të qendres 45 mijë pjesmarrës nga më shume se 180 vende nga e gjithë bota shpalosin të gjitha ofertat e tyre turistike, në një kohë kur kriza ekonomike globale e ka prekur edhe këtë industri që vlen miliona dollarë.

Eshtë viti i pestë që edhe Shqipëria është pjesë e këtij panairi, duke u përfaqësuar me operatorë privatë,hotele dhe disa bashki në stendën e krijuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit.

Stenda e Shqipërisë ka tërhequr më shumë vëmendjen e vizitorëve për turizmin kulturor sidomos në zonat arkeologjike.

Panairi ndiqet nga 2500 gazetarë të akredituar. Programet për turizimin në televizonet Euronews, CNN dhe BBC kanë treguar interes per pavionin e Shqipërisë duke intervistuar zëvëndësministrin e Rinisë Kulturës, Sporteve dhe Turizmit zotin Nikolle Lesi, i pranishëm në panair.

I pyetur nga Top Channel se cfarë synohet të arrihet me pjesëmarrjen në panair, Lesi tha se "Shqipëria është këtu për t'i thënë të gjithë vendeve të botës se është një treg i shkëlyqer për turistët të huaj, të cilët duhet ta vizitojnë menjeherë".

Sipas Lesit, turizmi në Shqipëri nuk është vetëm veror, por në të gjithë stinët, pasi zotërojmë vende të jashtëzakonshme me trashëgimi kulturore.

Eshtë viti i dytë që edhe Kosova vjen në këtë panair me një stendë të ideuar për të përcuar mesazhin e shtetit më i ri në Europë, jo vetëm kaq por edhe se cfarë ofron në turizëm.

"Duhet të mbështetemi ne ato që kemi, në aspektin e trashegimisë kulturore dhe natyrore", tha Njazi Shala, drejtor i Departamentit të Turizmit në Kosovë.

Pas disa artikujve pozitivë në mediat botërore,më i fundit ai i dy ditëve më parë në revistën 'Lonely Planet', pjesëmarrja në këtë panair është një tjetër mundësi e artë promovimi për të treguar se Shqipëria nuk ofron vetëm diell, det dhe rërë por akoma edhe më shumë.

Emigrantët kosovarë do të votojnë

Nga Londra
Muhamed Veliu

Ndryshe nga emigrantët shqiptarë që nuk kanë të drejtë vote, qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në perëndim do të kenë mundësi votimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme më 12 dhjetor.

Ambasada e Kosovës në Britaninë e Madhe ka nisur një fushatë të gjerë sensibilizuese në mënyrë që shtetasit e Kosovës sic edhe e parashikon ligji i zgjedhjeve fillimisht të regjistrohen për të votuar.

Muhamet Hamiti, ambasador i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar shpjegon rëndësinë e të votuarit nga emigrantët, pasi sipas tij këto janë zgjedhjet e para të përgjithshme që organizohen në Kosovën e pavarur.

"Republika jonë, - thotë ambasadori Hamiti, - si çdo demokraci, ka nevojë për rinovim të pushtetit në cikle të caktuara kohore. Zgjedhjet e mundësojnë këtë. Kosova e do vullnetin demokratik e të gjithë shtetasve të vet, pa marrë parasysh a jetojnë aktualisht brenda apo jashtë atdheut.”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur si afat aplikimi për t'u regjistruar përmes postës datën 16 nëntor.

Hap i parë është rregjistrimi duke plotësuar “Formularin e rregjistrimit dhe aplikimit për votim jashtë Kosove” që mund të shkarkohet nga faqja online, e Komisionit Qëndror të zgjedhjeve apo të tërhiqet në ambientet e ambasadës së Kosovës në Londër.

Formulari i postohet ose dërgohet me fax, Komisionit Qëndror i cili pasi verifikon vlefshmërinë e aplikantit dërgon me postë fletën e votimit tek adresa që aplikanti ka shënuar në formular.

Kushtet për t'u përfshirë në votimin me postë janë:

Mosha 18 vjec.

Regjistrim në Regjistrin Civil të Kosovës dhe UNMIK-ut.

Posedimi dokumentin të Identifikimit të Kosovës ose të UNMIK-ut (ose pasaportën), apo ndonjë dokument tjetër që vërteton se janë shtetas i Kosovës.

Shetasit që kanë vetëm si dokument identifikimi pasaportën britanike , atëherë kanë të drejtë aplikimi nëse në pasaportë shënohet se vendlindja është në Kosovë.

Tuesday, 9 November 2010

Media britanike komenton liberalizimin e vizave

Media britanike komenton liberalizimin e vizave

Nga Londra
Muhamed Veliu

Pamvarsisht se Anglia dhe Irlanda nuk janë në zonën Shengen, mediat britanike e kanë pasqyruar vendimin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën në dy këndvështrime të ndryshme.
Prestigjozja Financial Times publikon detajet teknike të marrveshjes duke e ilustruar shkrimin me një foto nga festimet në Tiranë.
“Marrveshja vjen si një shpërblim për të inkurajuar akoma më shumë reformat demokratike në të dy këto vënde, një vit pas liberalizimit të vizave me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi” shkruan FT.
Në vijim të artikullit theksohet se Shqipëria dhe Bosnja janë paralajmëruar se do të ndërshkohen rëndë, nëse kjo marrveshje do të përdoret për cështje azili, në vëndet e zonës Shengen.
Ndërsa gazeta Express që shquhet për artikujt me karakter racist kundra të huajve, e komenton liberalizimin e vizave si një veprim që mund të shkaktojë, një valë emigracioni klandestin drejt Britanisë.
Express shkruan se emigrantë përfshi njerëz të botës së krimit, do të futen fshehurazi në Britaninë e Madhe tani që ata kanë mundësi të udhëtojnë në të gjithë Europën ku nuk ka pika kufitare.
Gerard Batten zëdhënës për cështjet e emigracionit në partinë “UK Independent” citohet nga Express të ketë deklaruar se “Ata nuk do të ndalojnë në Francë apo Spanjë por do të vinë në Britani duke u përfshirë në sitemin e ndihmave sociale apo të punojnë me pagesë të ulët në tregun e zi të punës.
Zyrtarë nga Agjencia Britanike e Kufirit (UK Border Agency) që monitoron të gjitha pikat kufitare të shtetit ishull, nuk kanë shpehur ndonjë shqetësim për një valë të mundshme të shqiptarëve apo boshnjakëve drejt Britanisë së Madhe.

Sunday, 7 November 2010

Edhe Mbretëresha në Facebook

Nga Londra
Muhamed Veliu

Nuk i ka shpëtuar përfshirjes në rrjetin social Facebook, edhe monarkja britanike Mbretëresha e Elisabeta II e cila është regjistruar duke e përdorur atë si një mjet komunikimi me miliona fansa të saj në të gjithë botën.

Që prej mëngjesit të sotëm foto, video dhe lajme rreth aktivitetit të mbretëreshës mund të shikohen në Facebook.

Faqja e saj në këtë rrjet social nuk i lejon monarkes të pranojë kërkesat, për t’u miqësuar me të, por me një klikim të vetëm mund të shtypet butoni “Like” që do të thotë pëlqimin e faqes duke u bërë kështu automatikisht fans i saj.

Mbretëresha Elisabeta II e cila është 84 vjeçe, është një përdoruese e rregullt e internetit.

Nëpërmjet postës elektronike ajo shkëmbën mesazhe me nipërit dhe mbesat.

Ndërsa bashkëshorti Princi Philip është një përdorues akoma më i madh i internetit.

Vendimi për hapjen e kësaj faqeje në Facebook është komentuar si një tjetër përpjekje e pallatit mbretëror Buckingham për të rifreskuar imazhin e monarkisë.

Në Britaninë e Madhe janë 26 milion njerëz që përdorin Facebook.

Që prej ditës së sotëme atyre i është bashkuar edhe monarkia e vendit të tyre.

Londra lejon ekstradimin e vrasesit Laurent Cakollari

Akuzohet për ekzekutimin e Adriatik Banos në vitin 1998. Përdorte emrin e rremë, Roland Kadria

Nga Londra
Muhamed Veliu


Gjykata lonindeze e ekstradimeve i ka dhënë OK-in ekstradimit të Laurent Selami Cakollarit i dënuar në mungesë për vrasjen e Adriatik Banos në janar 1998.

Sipas vendimit, gjykata angleze ka refuzuar kërkesat e 34-vjeçarit me origjinë nga fshati Zvarisht i Korçës, banues në Londër, që pretendonte se nëse kthehet në Shqipëri do të vritet për hakmarrje dhe nuk do të ketë një gjykim të drejtë.

Në vendim thuhet se pretendimi për një eliminim fizik në Shqipëri, apo mosrealizimin e një procesi gjyqësor të drejtë, siç pretendonte pala mbrojtëse, janë të pabazuara.

Cakollari i ka deklaruar gjykatës se në vitin 2009, në Londër, ai është qëlluar me armë për ta vrarë së bashku me një person tjetër i quajtur Vilion Krasniqi dhe se e njëjta histori mund t’i përsëritet, nëse ai ekstradohet.

Kjo ngjarje, ndodhur pranë një lokali në zonën Paddington në Londër, është ende nën hetim nga Scotland Yard, në bashkëpunim me policinë dhe prokurorinë shqiptare të krimeve të rënda.

Motivi i ngjarjes dyshohet të jetë për një larje hesapesh në kryeqytetin britanik mes Cakollarit dhe disa anëtarëve të bandës së Selitës, që janë aktivë në botën kriminale në Londër.

Një zëdhënëse e Gjykatës se Ekstradimeve tha se i kërkuari i drejtësisë gjatë të gjithë procesit të ekstradimit ka pretenduar se ai nuk ishte personi që kërkohej, por ishte Roland Kadria, një shtetas shqiptar, me origjinë nga Kosova.

Vetëm në seancën e fundit, pak përpara se gjykatësi Zani të lexonte vendimin, ai pranoi se ishte Laurent Cakollari i datëlindjes 14 qershor 1976.

Menjëherë pas incidentit ku ai mbeti i plagosur, Scotland Yard nëpërmjet hetimeve intensive mësoi identitetin e tij të vërtetë nga ku rezultoi se ai ishte person në kërkim nga Interpol Tirana.

Prokuroria shqiptare ka ngritur disa akuza ndaj Laurent Cakollarit.

Të gjitha akuzat përbëjnë edhe thelbin e fl etëarrestit ndërkombëtar, ekzekutuar nga skuadra e ekstradimeve në Scotland Yard, për llogari të Interpol- Tiranës.

Prokuroria, pas hetimeve ka mbërritur në përfundimin se në mbrëmjen e 15 janarit 1998, Laurant Cakollari ka goditur me armë për vdekje Adriatik Banon, pranë banesës së tij në afërsi të pallatit të sportit “Asllan Rusi” në Tiranë.

Oficerët gjyqësorë kanë zbuluar se Cakollari, i cili ishte mik me viktimën, gjatë kohës kur ata ishin emigrantë në Itali, i kishte marrë një makinë për ta shitur në Shqipëri.

Pas shitjes së saj nuk ia kishte dhënë lekët.

Nga ky konflikt i lindur për makinën, prokuroria beson se është shkaku i ngjarjes së rëndë.

Saturday, 6 November 2010

Britani, filtër për emigrantët

Nga Londra
Muhamed Veliu

Qeveria britanike e kryeministrit David Cameron vijon reformimin e ligjit të emigraciont duke futur sistemin e pikëve, të njëjtë me atë kanadez, për të gjithë ata të cilët duan të punojnë apo studiojnë në Britani.

Ligji i ri i Emigracionit që hyn në fuqi fillim vitin e ardhshëm, i klasifikon aplikantët në pesë kategori në bazë të pikëve që do të mbledhin.

Në kategorinë e parë bëjnë pjesë të gjithë emigrantët e kualifikuar të cilët nëse aplikimi për vizë pune është i suksesshëm mund të qëndrojnë sëbashku me familjet më shumë se dy vjet.

Emigrantët me ftesë pune përbëjne kategorinë e dytë por ata kanë të drejtën e bashkimit familjarë pas pesë vitesh.

Ndërsa aplikantët që nuk janë të kualifikuar, renditen në kategorinë e tretë duke u lejuar, të qëndrojnë në Britani, maksimumi një vit por nuk kanë të drejtën e bashkim familjar.

Studentët përbëjnë kategortinë e katërt. Pasi ata do të jenë të suksesshëm në aplikimin e vizës, nuk mund të ndryshojë universitetin që i ka pranuar, por mund të tërheqin familjarët për të gjithë kohën që kryejn studimet.

Grupi i pestë dhe i fundit përbëhet nga emigrantët e përkoshëm që mund të jenë artistë apo vullnetarë, që nuk shkojnë në Britani për arsye ekonomike.Ata mund të qëndrojnë në shtetin ishullor jo më shumë se dy vjet. Mosha e tyre duhet të jenë 18 deri 30 vjeç. Kjo kategori nuk mund të kryejë bashkim familjar.

Ligji i ri parashikon se të gjithë personat që do të paisen me vizë punësimi duhet të lënë një garanci monetare, në zyrën e emigracionit në vendin e origjinës, në formë sigurije ndaj autoriteteve të emigracionit , që aplikanti do të kthehet në vendin e origjinës.

Gjithashtu aplikantët , do të vlerësohen me pikë në testin e gjuhës angleze, në bazë të moshës, profesionit, më kryesorja nevojës së tregut britanik për punën që mund të kryejnë.

Gjykata i heq mandatin deputetit Laborist

Nga Londra
Muhamed Veliu

Gjykata e Lartë në Londër i ka hequr mandatin një deputeti laborist pasi gjatë fushatës elektorale nëpërmjet fletëpalosje, ai kishte shpërndarë informacione të pavërteta ndaj kandidatit kundërshtar në zonën ku garonte.

Ish-ministri Emigracionit Phil Woolas krahas heqjes së mandatit nuk do t'i lejohet hyrja në parlament për tre vjet pasi gjykata vërtetoi se gjatë fushatës elektorale ai gënjeu elektoratin.

Dy gjykatës e gjetën atë fajtor për shpifje të qëllimshme me vetëdije ndaj kundërshtarit.

Ky është vendimi i parë i këtij lloji që kjo gjykatë jep pas 99 vjetesh, duke i cuar përsëri votuesit drejt qendrave të votimit në zonën elektorale Oldham East, ku zoti Woolas fitoi ngushtë me 130 vota më shumë se rivali Liberal Demokrat.

I menjëhershëm ishte reagimi Partisë Laburiste. Lideri i saj Ed Milliband e shkarkoi zotin Woolas nga detyra e ministrit hije për Emigracionin.

“Nuk është pjesë e Partisë Laburiste të fituarit e vëndeve në parlament duke gënjyer elektoratin” tha Harriet Harman një deputete Laburiste.

Burime pranë ish ministrit Woolas i kanë deklaruar medias britanike se vendimi i gjykatës do të thotë fund i karrierës politike për të.

Nëse në Shqipëri do të përdorej i njëjti standart me atë britanik, atëherë gjysma e deputetëve të parlamentit shqiptarë duhet t'i hiqej madati, pasi të gjithë ne jemi dëshmitarë të fushatave elektorale, ku dominojnë ofendimet e shoqëruara, me akuza të pavërteta mes kandidatëve.

Friday, 5 November 2010

Presidenti Topi në Britani, viziton BERZH-in

Nga Londra
Muhamed Veliu

Presidenti Bamir Topi në vijim të vizitës në Londër, i është rezervuar një pritje nga presidenti “Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, Thomas Mirow. BERZH që prej nisjes së aktivitetit në Shqipëri është përfshirë në 49 projekte me vlerë 550 milion euro.

Fillimisht kreu i shtetit shqiptar ka nënshkruar librin e personaliteteve që vizitojnë këtë bankë ku edhe ka lënë një shënim.

I shoqëruar nga ambasadori Zef Mazi takimi ka vijuar në një prej zyrave të BERZH-it ku është diskutuar për vijimin e një sër projekteve ekzistuese dhe të reja në Shqipëri.

Claudio Viezzoli drejtor i kësaj banke për Ballkanin Perëndimor, ka folur rreth një prej projekteve më të fundit të BERZH në Shqipëri, në dhënien e një kredie me vlerë 50 milion euro e cila po përdoret për ndërtimin e 500 kilometra rrugë në zonat rurale.

Antarësimi i Kosovës në BERZH i është parashtruar nga presidenti Topi të pranishmëve në takim si një domosdoshmëri.

“Ky anëtarësim ka një rëndësi të madhe jo vetëm për zhvillimin ekonomik të shtetit më të ri në rajonin e Ballkanik, por edhe në kuadër të projekteve rajonale” ka theksuar zoti Topi.

Kreu i shtetit shqiptar dhe zoti Mirow diskutuan edhe rreth angazhimit të BERZH-it në sektorin bankar shqiptar si dhe mbi rëndësinë e përqendrimit të vëmendjes nga banka në sektorin privat dhe perspektivave të zhvillimit ekonomik rajonal në tërësi.

Thursday, 4 November 2010

Presidenti Topi, vizitë në Britani

Nga Londra
Muhamed Veliu

Presidenti Bamir Topi vijon vizitën treditore të punës në Britaninë e Madhe, i ftuar nga presidenti Oxford Union.

Kreu i shtetit shqiptar, i shoqëruar nga zonja e Parë Teuta Topi, është takuar në parlamentin britanik me kryeministrin David Cameron, lordë dhe deputetë nga grupi gjithë partiak Britani e Madhe Shqipëri

Kryeministri David Cameron i ka rezervuar presidentit Topi një takim në ambientet e parlamentit, pa praninë e mediave.

Menjëherë pas takimit zyra e kryeministrit lëshoi një deklaratë, ku thuhet se zoti Cameron vlerësoi kontributin e rëndësishëm ushtarak në Afganistan dhe inkurajoi përpjekjet e Shqipërisë së bashku me ato të vendeve të Ballkanit Perëndimor, drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gjatë takimit me ministrin e Europës, David Lidington presidentit Topi iu rikonfirmua mbështetja britanike për ambicjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por edhe bërja me dije e një monitorimi rigoroz nga Britania e zhvillimeve më të fundit politike në Shqipëri.

Ministri Lidington u shpreh se pavarësisht rekomandimeve për liberalizimin e vizave dhe gatishmërisë së Shqipërisë për të përfituar statusin e vendit kandidat, politikanët shqiptarë duhet të përshpejtojnë reformat.

Ai ka theksuar gjatë takimit se reformimi sistemit të drejtësisë është një cështje e rëndësishme për të cilën ka përshëndetur angazhimet e presidentit Topi dhe përpjekjet e tij, për këtë reformë.

“Pata një falenderim për Zotin kryeministër, i cili demonstroi dëshirën e madhe për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian. E falenderova për ndihmën që Shqipëria të bëhet anëtare e NATO-s dhe për të gjitha proceset e tjera. Kemi diskutuar për cështjet e bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Kryeministri falenderoi Shqiperinë për pjesëmarrjen e trupave shqiptare ne Afganistan”, u shpreh Topi.

Përpara mbajtjes së një leksioni në ‘Oxford Union’, presidenti është takuar me një grup të rinjsh nga shoqata e studentëve shqiptarë të Oxfordit.

I shoqëruar nga James Kingston presidenti Oxford Union, që është një prej unioneve më të vjetra në botë, ku kanë ligjëruar personalitete të rëndësishme nga e gjithë bota presidenti Bamir Topi foli për rolin e Shqipërisë në rajon, cështjet ballkanike duke e vënë theksin në integrimin Euro-Atlantik.

Dikur një akademik, tashmë i përfshirë në politikë, presidenti Topi e ka cilësuar këtë leksion si një rikthim i shkurtës në botën akademike.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats