Sunday, 31 October 2010

Londër-Shfaqet ne parlamentin britanik dokumentari shqiptar për hebrenjtë

Nga Londra
Muhamed Veliu


Megjithëse kanë kaluar 50 vjet nga koha kur shqiptarët shpëtuan nga Holokausti më shumë se 2 mijë hebrenj, ky veprim i cili do t’i sillte çdo kombi krenari, vazhdon t’i jepet një rëndësi dhe vlerësim i veçantë.

Këtij akti, tashmë të cilësuar si një prej xhesteve, më fisnik të shqiptarëve në Shqipëri, përfshi ata në Kosovë, i është dedikuar një dokumentar që mban firmën e Dardan Islamit.

Ideja e shfaqjes së këtij dokumentari, në tempullin e demokracisë botërore siç është parlamenti britanik ishte e dy ambasadorëve atij të Shqipërisë, Zef Mazi dhe homologut të tij kosovar, Muhamet Hamiti.

Lordë, parlamentarë, studiues të çështjeve të Luftës së Dytë Botërore, anëtarë të komunitetit hebre dhe atij shqiptar në Londër, kanë ndjekur së bashku, dokumentarin e titulluar “Rescue in Albania” (Të shpëtuar në Shqipëri).

Dokumentari përcjell fuqishëm dy karakteristika të patjetërsueshme të shqiptarëve, bujarinë dhe besën, përfshi dëshmi rrënqethëse të atyre që i mbijetuan kërkimeve të ethëshme nga ushtarët nazistë me qëllimin final ekzekutimin.

“Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk kishin asgjë, por ishin të gatshëm të ndanin edhe kafshatën e fundit me ata në nevojë. Ndërsa besa ishte një tjetër element që çoi në mbrojtjen e hebrenjëve, pasi siç ne e dimë shqiptari më mirë jep jetën se sa t’i preket miku”, thotë producenti Dardan Islami.

Me shumë emocion e ka ndjekur dokumentarin njëra prej dëshimitareve okularë të atyre ngjarjeve.

Scarlett Epstein ishte vetëm 16 vjeçe kur u mor në mbrojtje nga një familje shqiptare. Pasi u largua nga Shqipëria ajo vazhdoi jetën në Londër ku u shkollua dhe tani punon si profesoreshë e antropologjisë dhe eksperte për problemet e vendeve në zhvillim.

Alban Bytyqi një prej aktivistëve të komunitetit shqiptar në Angli tha se “shfaqja e dokumentarit “Rescue in Albania”, përçoi një mesazh jashtëzakonisht të rëndësishëm, që tregon se, shqiptarët kanë plot arsye të jenë krenarë për vetitë e tyre fisnike dhe bujarinë e pashembullt, cilësi të cilat njihen shumë pak nga bota”.

Thursday, 21 October 2010

Bllokohet përkohësisht ekstradimi Ilir Kumbaros

Nga Londra
Muhamed Veliu

Bllokohet përkohësisht në Londër procesi shqyrtimit të kërkesës së ekstradimit të drejtësisë shqiptare për Ilir Kumbaron.
Shkaku i mos procedimit të mëtejshëm në gjykatën londineze të ekstradimeve, është marrja në shqyrtim nga Kolegjet e Bashkuara pranë Gjykatës së Lartë në Tiranë e kërkesës së avokatëve të Ilir Kumbaros.
Ata kërkojnë interpretimin e ligjshmërisë së fletë arrestit të ri ndërkombëtar lëshuar nga pesë gjyqtarë të Gjykatës së Krimeve të Rënda vitin e shkuar.
I veshur me një kostum gri, këmishë të bardhë dhe një kollare ngjyrë po gri të errët, i shoqëruar nga i biri Ervini, Ilir Kumbaro është ulur qetësisht në bankën e të akuzuarit.
Edhe gjatë kësaj séance që zgjati vetëm 10 minuta kur është pyetur ti deklarojë gjykatës emrin, Ilir Kumbaro është përgjigjur se ai quhet Shaqa Shatri pamvarsisht se Kolegjeve të Bashkuara në Tiranë, i është kërkuar një interpretim për shtetasin Ilir Kumbaro.
Claire Dobbin përfaqësuese e shtetit shqiptar i tha gjykatëses Alison Rose se për momentin nuk mund të procedohet me këtë cështje pasi është në pritje të zhvillimeve që do të ndodhin në Shqipëri.
Kjo kërkesë e prokurores Dobbin është pranuar duke u vendosur data 25 Nëntor për ti raportuar gjykatës zhvillimet e pritshme nga drejtësia shqiptare për këtë cështje.
Ndërkohë Top-Channel ka mësuar se Kolegjet e Bashkuara do ta shqyrtojnë kërkesën e avokatëve të zotit Kumbaro pas datës 20 Nëntor.
Ndërsa séanca kryesore e shqyrtimit të kërkesës së drejtësisë shqiptare, do ti paraqitet gjykatësit Haward Riddle i cili më 24 Mars 2009, mbërriti në përfundimin se personi i arrestuar pa më të voglin dyshim është Ilir Kumbaro dhe se kërkesa e ekstradimit ishte në përputhje me ligjin britanik të ekstradimeve.
Zoti Kumbaro vazhdon të jetë i lirë me kusht që të parqitet tre herë në javë në stacionin e policisë Fulham, pëfshi mbajtjen në këmbë të një cipi elektronik monitorimi.

Wednesday, 13 October 2010

Veliaj, 5.000 abetare për fëmijët e emigranteve ne diaspore

Nga Londra
Muhamed Veliu

Pas kronikës në Top Channel për shqiptarët e Anglisë të harruar nga Ministria e Arsimit në dërgimin e abetareve për fëmijët, Erion Veliaj nisi një iniciativë përsonale në rrjetin FB.

“5,000 abetare për fëmijët e emigrantëve shqiptarë”, kështu e ka quajtuar Veliaj këtë nismë së cilës i janë përgjigjur pozitivisht me kontributet e tyre shumë shqiptarë.

Turin e shpërndarjes së abetareve në diasporë Veliaj e ka nisur me Anglinë. Ndalesa e parë në veri të kryeqyetit britanik në bashkinë e Enfildit, ku shoqata “Nënë Tereza” cdo të shtunë organizon klasat e gjuhës shqipe.

Fëmijët nisin e bashkëbisedojnë me mikun e ardhur nga Tirana që e kanë parë vetëm nga ekrani, duke u ndjerë të lumtur kur, një e nga një nisin e të marrin në dorë librin e abetares të sjellë nga Veliaj.

Në bashkinë Brent e cila ndodhet në Londrën perëndimore, jeton një numër i madh emigrantësh shqiptarë. Falë angazhimit të një tjetër shoqate e quajtur “Mother Tereza” fëmijët shqiptarë shumica të lindur në Angli, e kalojnë fundjavën duke mësuar në klasat shqipe.

Edhe këtu Erion Veliaj ka lënë një numër të konsiderueshëm abetaresh tejet të nevojshme për numrin në rritje të fëmijëve që frekuentojnë këto klasa.

Shpresa Programe që prej 8 vitesh vazhdon intesivisht të jetë një prej shoqatave në të suksesshme në lindje të Londrës duke fituar një sërë cmimesh për arritjet dhe përkushtimin përfshi larminë e shërbimeve që ofron.

E ndërsa fëmijët vazhdojnë normalisht mësimin, Erion Veliaj takohet me prindërit e tyre duke bashkëbiseduar për cështjet e arsimit në diasporë.

“Unë do të jem një e-mail apo një telefonatë larg problemeve tuaja nëse opozita vjen në pushtet”, u ka premtuar Velija të pranishmëve të cilët kanë këruar të vizitohen më shpesh nga politikanët e Tiranës.

Përvec këtij kontributi personal, ky tur i Veliajt në diasporë, i pari pas bashkimit të tij me PS-në, duket se është edhe sinjali strategjisë së opozitës për të afruar emigrantët në votimet e ardhshme, që me sa dukët do të jetë detyrë e Veliajt.

Tuesday, 12 October 2010

Një shqiptare pedagoge në Universitetin e Oksfordit

Nga Londra
Muhamed Veliu

Me mijëra studentë janë ulur në auditoret e universiteteve britanike duke nisur vitin e ri akademik, ndërsa një juristeje shqiptare i është dhënë mundësia të japë mësim në një prej universiteteve me famë botërore sic është ai i Oksfordit.
Rudina Jasini është punësuar pranë Fakultetit juridik të këtij universiteti për të dhënë lëndën e “Te Drejtës Penale Ndërkombëtare” dhe “Të Drejtave të Njeriut”.

Është një rast i rrallë që në auditoret e këtij universiteti një shqiptare punësohet duke qënë pjesë e strukturave akademike të mësimdhënies.

Kjo oferte pune për zonjushën Jasini vjen pasi ajo gjatë vitit 2008-2009 përfundoi studimet e masterit për te Drejtën Penale dhe Kriminologji po në këtë universitet ku edhe ka nisur doktoraturën për të Drejtën Penale Ndërkombëtare.

Rudina Jasini i tha Top-Channel se “Të japësh mësim në një tempull dijesh sic është Universiteti i Oxford-it pa diskutim që është nje reflektim i aspiratave të brendshme dhe e një kërkese per stimulim intelektual. E kam mirëpritur ofertën me entuziasm dhe shpresoj që të japë kontributin tim
maksimal”.

Përpara mbërritjes në Universitetin e Oxfordit, Rudina Jasini ka punuar pranë Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi si pjesë e ekipit të mbrojtës në cështjen e ish kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy të bashkëakuzuarve të tjerë, cështje të cilën ajo vazhdon ta ndjekë.

Pas përfundimit të studimeve për drejtësi, në Universitetin e Georgetown në Amerikë, ajo është përfshirë në dhënien e asistencës juridike viktimave të genocidit pranë gjykatës së posacme ndërkombëtare në Kamboxhia.

Gjithashtu juristja e suksesshme shqiptare është pjesë e studios ligjore britanike e cila po kryen një studim se cilat janë rrugët ligjore për zgjidhjen e cështjes Came.

Saturday, 9 October 2010

Kriza ne Britani. Ministri kultures, "Mos lindni fëmijë"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Mos lindni fëmijë nëse nuk keni të ardhura të mjaftueshme financiare për t’i rritur ata. Kjo thënie nuk i përket ndonjë udhëheqësi fetar por një ministri në kabinetin qeveritar anglez.

Kjo deklaratë e Jeremy Hunt ministër për Kulturën, ka provokuar një debat kur ai sugjeroi se britanikët nuk duhet të lindin fëmijë pa patur para për t’i rritur ata.

Hunt e ka vazhduar deklaratë duke thënë se nuk është detyrë e qeverisë të financojë numrin në rritje të atyre familjeve me shumë fëmijë, të cilët marrin ndihma sociale.

Komentet e tij janë cilësuar si provokative, të cilat vijnë vetëm disa ditë pas konferencës së Partisë Konservatore nga ku ministri i Financave George Osborne anoncoi reformën në sistemin e ndihmës sociale për fëmijët.

I menjëhershëm ishte reagimi opozitës laboriste të drejtuar nga Ed Miliband, i cili i komentoi deklaratat e Jeremy Hunt si të pështira dhe mizore.

Megjithatë 10 Downing Street së bashku me Ministrinë e Financave përfshi disa deputëtë konservatorë janë munduar ta zbusin debatin e krijuar nga deklarata tepër e fortë e ministrit të Kulturës.

Qeveria e koalicionit mes Konservatorëve dhe Liberal demokratëve po luftojnë të zvogëlojnë deficitin buxhetor duke shkrurtuar vënde pune në administratën shtetërore dhe shpenzimet publike ku përfshihet edhe ndihma sociale.

Kryeministri britanik David Cameron disa ditë më parë deklaroi se qeveria e tij do të punojë për të ndërtuar një vend për njerëz të zotë.

“Shkurtimet do të jenë të forta, pasi nuk kishte rrugë tjetër. Por ju garantoj se brenda pak vitesh shpërblimi do të ndihet nga të gjithë në vendin tonë”, ka pohuar Cameron.

Tuesday, 5 October 2010

Mediat britanike komentojnë “Pitkinin shqiptar”

Nga Londra
Muhamed Veliu

Sir Norman Wisdom, legjenda filmave komikë britanikë aq të dashur për shqiptarët, është ndarë nga jeta në moshën 95 vjecare.

Pas disa sëmundjeve kardiake ai ndërroi jetë qetësisht në një shtëpi kujdesi për moshuar.

Karriera e tij artistike e nisur fillimisht si amator gjatë Luftës së Dytë Botërore kur ai ishte ushtar, është shumë e pasur ku dominojnë qindra role, kryesisht komikë, duke përcjellë humorin tipik anglez me origjinalitet të plotë.

Të gjitha mediat britanike menjëherë pas marrjes së lajmit për ndarjen nga jeta të Sir Norman Wisdom janë marrë masivisht më shumë me lidhjen që ai kishte me Shqipërisë se sa me karrierën e tij në Britani.

“Për Shqipërinë Pitkini ishte një dritare për të parë perëndimin”, shkruan “The Times”.

Ndërsa “The Guardian” e përshkruan Wisdom si mbretin e skenës së humorist britanik i cili ishte shumë i njohur në Shqipëri ku kishte më shumë adhurues krahasuar me vëndlindjen e tij.

“The Indipendent” ka si titull” “Veterani komik, i preferuari shqiptarëve vdes në moshën 95 vjecare”.

“Cuditërisht ai ishte një figurë kult në Shqipëri ku filmat e tij ishin të vetmit filma perëndimorë që lejoheshin”, komenton “The Sun”.

Televizionet britanike kanë transmetuar intervista me Zef Mazin, ambasadorin e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, të shoqëruara me pamje të Wisdom gjatë vizitës në Tiranë ku ai hyri në stadium në pjesën e dytë të ndeshjes ku Shqipëria luante kunder Anglisë.

“Pas Charlie Chaplin ai ishte komediani më i madh në Shqipëri. Ende e mbaj mend rolin e Pitkinit dhe bosit të tij zotit Grimsdale. Sir Norman Wisdom ishte shumë popullor për të gjithë grupmoshat duke i bërë atë të qeshnin gjatë periudhës komuniste ku nuk kishte shume arsye për të qeshur”, ka thëne Mazi për televizionin BBC.

Nga komentet e Facebook apo faqet online të televizoneve për vdekjen e Sir Norman, komentuesit shprehin habinë e gjithë kësaj dashurie të madhe shqiptare për komikun e tyre, madje edhe duke pyetur nëse Shqipëria do të mbajë 3 ditë zi?

Ndërkohë mediat britanike janë vënë në kërkim të pamjeve apo fotove nga ndonjë ceremoni e mudëshme përkujtimore në Tiranë.

Ndahet nga jeta Sir Norman Winsdom “Pitkini”

Nga Londra
Muhamed Veliu

Ndahet nga jeta në moshën 95 vjeçare Sir Norman Winsdom, legjenda e filmave komikë britanik, aq të dashur për shqiptarët.

Vdekjen e komedianit me origjinë nga Londra, e njoftoi i biri mbremjen vonë të së hënës.

Vitet e fundit të jetës Sir Norman Winsdom i kaloi në një shtëpi kujdesi për të moshuar.

Duke filliuar që nga viti 2006 ai në mënyrë të vazhdueshme ka vuajtur nga sëmundje kardiake të cilat i shkaktuan humbjen e pjesëshme të memories.

Karriera e tij artistike e nisur fillimisht si amator gjatë luftës së dytë botërore kur ai ishte ushtar, është shumë e pasur ku dominojnë qindra role kryesisht komike duke përcjellë humorin tipik anglez me origjinalitet të plotë.

Në vitin 1946 ai do të debutonte për herë të parë si profesinist në moshën 32 vjecare.

Gjatë karrierës në Angli dhe teatrot Brodway në USA ai fitoi disa cmime.

Krahas aktrimit Norman Winsdom, ka publikuar disa albume përfshi një këngë kushtuar Shqipërisë me titull “Big in Albania” “I madh në Shqipëri” e cila në chartin e Top-Albania Radio zuri vëndin e 18.

Vetëm kur ai mbushi 90 vjec i la lamtumirën skenës së teatrove dhe shesheve të xhirimit për të shpenzuar më shumë kohë me familjen dhe duke luajtur golf.

Breza të tërë shqiptarësh janë rritur me filmat e Wisdom i cili ishte i vetmi aktor filmat e të cilit lejoheshin gjatë kohës së regjimit komunist.

I njohur për famën dhe admirimin në Shqipëri Wisdom që njihej si “Pitkini” vizitoi dy herë Shqipërinë.

Gjatë vizitës në vitin 2001, kur Shqipëria ndeshej me Anglinë me pjesmarrjen e tij në stadium ai eklipsoi lojtarë të njohur të ekipit të tre luanëve sic ishte edhe kapiteni David Beckham.

Friday, 1 October 2010

Londer-Shtyhet gjyqi për Ilir Kumbaron

Nga Londra
Muhamed Veliu

I arrestuar në bazë të një fletë arresti ndërkombëtar, Ilir Kumbaro supozohej të përballej mesditën e së premtes me gjykatën e ekstradimeve, në Londër, ku do të zhvillohej seance gjyqësore në të cilën palët do t'i tregonin gjykatës argumentat e tyre pro dhe kundër ekstradimit.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Një zëdhënëse e gjykatës “City of Westminster Magistrate Court” i tha Top-Channel, se me kërkesë të palës mbrojtëse seanca e ekstradimit është shtyrë për në 21 Tetor.

Kjo shtyrje nga avokati John Jones ndërmerret për të fituar më shumë kohë, pasi në Tiranë është pajtuar një eksperte, e cila është duke shkruar një raport se cfarë mund t'i ndodhë Ilir Kumbaros nëse ai ekstradohet.

Gjithashtu mbrojtja e Kumbaros në Londër është duke pritur me shumë interes, vendimin e “Kolegjeve të bashkuara” pranë Gjykatës së Lartë.

Kjo është e vetmja shpresë për një bllokim të mundshëm të ekstradimit pasi në seancën e shkuar gjykatësi Anthony Evans la të kuptohet se vendimi i tij do të jetë pro ekstradimit duke u bazuar në vendimin e gjyktasësit Haward Riddle, i cili me 24 Mars 2009 lejoi ekstradimin e ish SHIK-asit Kumbaro.

Avokatët e zotit Kumbaro në Tiranë, Vojo Bregu dhe Bledar Fejzo, i kanë kërkuar “Kolegjeve të Bashkuara” ti japë përgjigje tre pyetjeve që kanë të bëjnë me vlefshmërinë e fletëarrestit të lëshuar më 15 Dhjetor 2009 nga 5 gjykatës të Krimeve të Rënda, kryesuar nga Gurali Brahimllari

E kontaktuar përmes telefonit zëdhënësja e Gjykatës së Lartë Ida Vodica tha se anëtarët e gjykatës së lartë janë duke diskutuar se kur kjo cështje do ti kalojë për shqyrtimim Kolegjeve të Bashkuar dhe se ende nuk është caktuar data.

Sipas saj këto cështje janë shumë specifike dhe kërkojnë një vendim të unifkuar i cili më pas kthehet në precedent për të gjitha gjykatat.

About Me

Veliupress


View My Stats