Wednesday, 22 September 2010

Harrohen shqiptarët e Anglisë

Nga Londra
Muhamed Veliu

Drejtuesit e shoqatave të emigrantëve shqiptarë në Londër shprehen se ata janë harruar duke u lënë jashtë programit që ministria shqiptare e arsimit ka për dërgimin e materialeve mësimore të gjuhës shqipe.

Disa ditë më parë kjo minsitri deklaroi se ka në dispozicion një fond për dërgimin e librave për fëmijët që studiojnë gjuhën shqipe në Greqi dhe Itali.

Nga të dhënat që paraqesin 8 shoqata shqiptare në Angli të cilat organizojnë klasa në gjuhën shqipe mësohet se 1,745 nxënës janë regjistruar të ndjekin studimet e gjuhës amtare këtë vit shkollor.

Esat Brace drejtor i shoqatës “Nënë Tereza” që vepron në veri të Londrës thotë se gjatë tre muajve të fundit i ka dërguar disa mesazhe elektronike, ministrisë së arsimit madje edhe vetë kryeministrit Berisha dhe askush nuk i është përgjigjur.

Sipas tij janë 300 nxënës në veri të Londrës që janë detyruar të paguajn vetë për blerjen e abetareve pas heshtjes të institucioneve shqiptare.

Drejtuesit e “Shpresa Programme” në lindje të Londrës ndajnë po të njëjtin shqetësim.

Gjatë të gjithë kohës që nga dita e parë e hapjes së klasave shqipe 6 vite më parë, kjo shoqatë nuk ka marrë asnjë libër nga shteti shqiptarë.

“Ndodhemi përballë dëshirës së madhe të shumë nxënësve që duan të mësojnë gjuhën shqipe por nuk kemi bazë materiale. Thjesht kemi siguaruar disa fotokopje tekstesh” thotë Pranvera Smith nga shoqata “Iliria” në qytetin e Birmingamit ku priten të hapen dy klasa të gjuhës shqipe.

Zamira Ruspi drejtoreshë e shoqatës “Mother Tereza” tregon se vitin e shkuar Ministria e Armisimit kishte dërguar 300 tekse por kërkesa këtë vit për të mësuar gjuhën shqipe nga fëmitë e emigrantëve sa vjen e shtohet.

Megjithë përpjekjet e këtyre shoqatave numri atyre fëmijëve që studiojnë gjuhën shqipe në Britaninë e Madhe është shumë i ulët duke u llogaritur vetëm në 1%.

Vërehet një tendencë e emigrantëve shqiptarë për të komunikuar me fëmijët në anglisht që do të thotë zbehje deri në zhdukjen graduale të gjuhës shqipe për brezin e dytë të emigrantëve shqiptarë në Britani që jo zyrtarisht besohet të jenë mbi 100 mijë persona.

Tuesday, 21 September 2010

Londer-Arrestohet shqiptari arratisur nga burgu ne 1997

Nga Londra
Muhamed Veliu

Ka marrë fund arratia 13-vjecare e një shqiptari që fshihej në Londër pasi kërkohej të përfundojë dënimin e marrë me 25 vite burg për një vrasje dhe një tentativë vrasje.

Skuadra e ekstradimeve në Scotland Yard ka ekzekutuar një fletë arresti ndërkombetar duke bërë të mundur arrestimin e Fadil Hoxhës pas një informacioni të dërguar nga Interpol Tirana për identitetin e rremë që perdorte në Angli.

Nga përmbajtja e fletë arrestit mësohet se 41-vjecari Hoxha kërkohet për plotësuar vitet e mbetura të burgut pasi është gjetur fajtor për vrasjen e Hysen Luzës dhe tentativën e vrasjes së Meliha Xhidikut ngjarje e ndodhur më 8 Tetor 1992.

Gjatë momentit të arrestimit në banesën e tij në zonën Enfield në veri të Londrës, Hoxha ka deklaruar se ai quhet Arben Hoxha dhe se nuk ishte ai personi të cilin kërkonin.

Gjykatës së ekstradimeve përfaqësuesja e shtetit shqiptar i tha se Fadil Hoxha fshiheh duke përdorur një identitet të rremë madje pavaresisht se ishte i arratisur nga një burg shqiptar kishte mundur të përfitonte nështetësi britanike.

Në seancën e ardhshme i takon palës mbrojtëse t'i argumentojë gjykatës se personi i arrestuar nuk është i kërkuari Fadil Hoxha, ndërkohë nuk bëhen të ditura provat e palës shqiptare që kanë bërë të mundur identifikimin e tij.

Fadil Hoxha do t'i zhvillojë procedurat e ekstradimit në paraburgimin e burgut të sigurisë së lartë Belmarsh, për vetë natyrën e krimeve të cilat ai kërkohet të ekstradohet.

Sunday, 19 September 2010

Skoci, historia rozë e vrasësit shqiptar

Nga Londra
Muhamed Veliu

Megjithëse Fatjon Kapri ishte njëri prej shqiptarëve më të kërkuar nga Interpol Tirana, gjatë fshehjes në Skoci ai kishte ndërtuar një romancë dashurie me një grua skoceze duke jetuar një jetë të dyfishtë.

Historinë e kësaj romance me killerin shqiptar, 44 vjecarja me emrin Jean Goudie e ka rrëfyer për gazetën skoceze “Sunday Mail”.

“Ende nuk mund ta besoj kur policët arrestuan Fatjonin dhe me treguan se ai është dënuar në mungesë me 22 vite burg për vrasje. Ishte me të vërtetë një tronditje. Të gjithë ata që e kanë marrë vesh lajmin e arrestimt janë habitur”, ka treguar ajo.

Fatjon Kapri i cili në Skoci përdorte emrin Sajmir Sadiku, është njohur me Jeam në një dyqan ku ai punonte në qytetin e Gllasgout.

Ai kërkohet për të vuajtur dënimin e dhënë në mungesë nga Gjykata e Elbasanit për vrasjen e Ylli Pepës ndodhur në një park në Londër në Prill të vitit 2001.

Megjithëse vrasja ka ndodhur në Londër, sipas legjislacionit shqiptar, kur Prokuroria Shqiptare njoftohet për një vrasje të kryer nga një shtetas shqiptar, atëherë automatikisht nis procedimi penal.

Oficerë të Scotland Yard sëbashku me dëshmitarët okularë dhanë dëshmi në gjykatën e Elbasanit për vrasjen e Ylli Pepës duke paraqitur edhe provat e ADN-së që i përkisnin Fatjon Kaprit.

30 vjecari Fatjon Kapri pas 6 vjet fshehje në Londër dhe tre vitet e fundit në Skoci është arrestuar pasi Interpol Tirana siguroi një informacion për vendndodhjen dhe identietetin e rremë që përdorte.

Prangosja e tij u krye mëngjesin e 24 Qershorit 2010 nga oficerë të armatosur në Gllasgow.

Fillimisht ai e ka mohur të jetë Fatjon Kapri por pasi është kryer krahasimi ADN-së së gjetur në trupim e viktimës ka rezultuar se është e njëjtë me atë të Kaprit i cili pritet të ekstradohet për në Shqipëri.

Thursday, 9 September 2010

Jeremy Clarkson prezantuesi i “Top Gear” në BBC viziton Shqipëri

Nga Londra
Muhamed Veliu

Jeremy Clarkson është prezantuesi i njohur emisionit “Top Gear” në BBC, i cili është shfaqur edhe në Top-Channel.

Disa javë më parë, së bashku me familjen ai ka vizituar Shqipërinë.

Me shumë finesë dhe humorin tipik të një britaniku, mbresat e këtij udhëtimi i ka shkruar në një artikull të gjatë për suplementin e udhëtimeve në gazetën “The Times”, ku ai është koluminist i përjavshëm.

“Pas tre ditësh në Korfuz u thashë fëmijëve, se kishte ardhur momenti të niseshim drejt eksplorimit të Shqipërisë, duke e filluar me vizitën në Butrint”, kështu e fillon shkrimin Clarkson, i cili shquhet për batuat gjatë prezantimit të “Top Gear”.

I mësuar të testojë dhe të lëvizë me mjete udhëtimi të shpejta, Clarkson ka refuzuar kalimin nga Korfuzi për në Sarandë me tragetin e linjës.

Zgjidhja ishte “Jahti Ferreti”, i marrë me qera, por me të mbërritur në Sarandë, shkruan ai, nuk kishte ku ta ankoronte dhe zgjidhja e Clarkosn ishte ta hidhte spirancën afër anijes së mbytur në vitin 1956, që për koincidencë i përket vendit të origjinës së tij.

Që në fillim ai është impresionuar kur Fatosi, djali që i ka shoqëruar, i ka treguar se programi “Top Gear” është shumë i ndjekur edhe në Shqipëri, natyrisht falë Top-Channel.

Humori Clarkson në shkrim vjen përmes rreshtave kur ai citon shpjegimet e shoqëruesit shqiptar rreth burimeve ujore në Sarandë dhe prodhimit të 45 mijë ton shalqi në vit në këtë zonë.

Clarkson vlerëson gadishmërinë e udhërrëfyesit shqiptar, i cili nuk nguron të tregojë historinë e cdo ndërtese në Butrint, pavarësisht zhegut të vapës.

“Kjo është ajo që fëmijët duhet të bëjnë gjatë pushimeve. Të mësojnë zhvillimet historike dhe jo të kthejnë gota vodke apo të puthen”, thotë ai.

Padyshim që prezantuesit të programit të makinave nuk do të rrinin pa i rënë në sy një numër i madh automjetesh me targa angleze, për të cilat i është ngjallur habi duke pyetur: Si është e mundur?

Duke u kthyer për në Sarandë, sikurse shumë turistëve që vizitojnë këtë qytet, i kanë lënë një pershtypje të keqe ndërtesat e prishura.

“Paska rënë tërmet në këtë zonë?”, ka pyetur Clarkson. “Jo, ky është një tërmet qeveritar”, është përgjigjur Fatosi, i cili i ka sqaruar se kush ndërton pa leje forcat speciale ia shëmbin me buldozerë.

Clarkson, po prap, me humor e mbyll shkrimin duke shkruar se me të kënaqesh po të udhëtosh në vende të reja, pasi mëson sa shalqi prodhohet dhe sa e pasur me ujë është zona që vizitojnë.

Gjithashtu, merr njohuri si për shembull për planin rregullues të Sarandës dhe Shqipërisë, plus kuptimin në shqip të fjalës makinë në anglisht.

Sunday, 5 September 2010

Angli-Gruaja e deputetit, prostitutë

Nga Londra
Muhamed Veliu

Nuk kanë të sosur telashet për Devid Kamerun, liderin e konservatorëve britanikë, njëkohësisht kryeministër.

Fillimjavën e shkuar Uilliam Hague, njëri prej bashkëpuntëorëve më të ngusht që mban postin e Sekretarit të Jashtëm, u akuzua për një lidhje të fshehtë me asistentin e tij 25 vjeçar duke aluduar se ai ishte homoseksual.

Ndërsa sot gazeta “Sunday Mirror” ka zbuluar se gruaja një deputi konservator punon si prostitutë në një shtëpi publike.

Gazetarët nëpërmjet kamerave të fshehta kanë filmuar gruan e deputetit Majk Uetherli, e cila kundrejt 70 stërlinave ofronte marrëdhënie seksuale.

“Sunday Mirror” shkruan se 39 vjeçarja braziliane, e quajtur Clara dhe e fotografuar në parlament disa muaj me parë me bashkëshortin deputet, punonte si prostitë në 3 shtëpi publike në jug të Londrës.

E pyetur nga gazetarët nëse e pëlqente punën që bënte duke shitur trupin, gruaja deputetit tha: “Më pëlqen të punoj këtu, klientët janë njërëz të këndshëm, kjo shtëpi publike është një vend i mirë nga ku mund të fitosh para”

Kur i është treguar se bashkëshortja punonte si prostitutë deputeti konservator tha se kjo është një tronditje e vërtetë, por ai deklaroi se ata ishin ndarë në muajin shkurt dhe se takoheshin njëherë në javë për drekë si dy miq të mirë.

“Faleminderit për njoftimin tuaj”, u ka thënë deputeti gazetarëve që zbuluan këtë skandal.

Gjenerali Sir Mike Jackson “Blair, jo i saktë për Kosovën”

Nga Londra
Muhamed Veliu

Pas një sërë kritikash se ka thyer protokollin mbretëror, libri “A Journey” (Një udhëtim) i ish kryeministrit britanik Tony Bler është kritikuar edhe nga ish-gjenerali Sir Mike Jackson i cili udhëhoqi trupat britanike në Kosovë.

Në një intervistë për gazetën “The People” ish-gjenerali thotë se faktet e publikuara në libër nga Bler për Kosovën nuk janë të sakta.

Bler në kapitullin për Kosovën shkruan se ishte ai që parandaloi një luftë të tretë botërore duke i telefonuar gjeneralit Jackson ku i kërkoi mos t’i bindej urdhërit të amerikanëve për të sulmuar rusët.

Sir Mike Jackson i ka treguar gazetës “The People” se ai personalisht nuk është telefonuar direkt nga Toni Bler, por nga një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes.

Për t’u siguruar që kjo telefonatë nuk është bërë nga Toni Bler gjenerali thotë se ka biseduar me ndihmësin e tij nënkolonelin James Evarld, i cili ka konfirmuar se një telefonatë e tillë nuk është bërë nga ish kryeministri.

Në vitin 1999 kur komandanti trupave amerikane Wesley Clark urdhëroi gjeneralin britanik të bllokonte një rrugë që të çonte për në Prishtinë nga ku do të kalonin trupat ruse për t’i ardhur në ndihmë trupave serbe.

Gjenerali Sir Mike Jackson rikujton se ai këtij urdhëri iu përgjigj duke thënë se nuk kishte ndërmend të fillonte një luftë të tretë botërore për ata.

Pas luftës Sir Mike në librin e tij me kujtime nuk e përmend të ketë marrë një telefonatë nga Toni Bler ku është folur për këtë çështje.

Në libër Bler shkruan: “Unë isha komandandi përgjithshëm dhe Mike më tha se urdhëri është urdhër. Çfarë të bëj. Pasi më tha se ishte e pallogjikshme të sulmonim rusët i thashë të qëndronin të qetë dhe mos t’i bindeshin urdhërit”.

Duke vijuar shpjegimin për këtë vendim delikat, Bler në libër thotë se ai edhe sot kur e çon në mendje atë rrethanë dhe nëse do të kishte dhënë urdhër për të vepruar kundra rusëve, vallë çfarë mund të kishte ndodhur?

Pretendimeve të gjeneralit nëpërmjet një zëdhënësi të Toni Blerit i ka dhënë të drejtë duke deklaruar: “Nëse gjenerali thotë se atë bisedë nuk e kam kryer më atë, atëherë duhet të ketë qenë me dikë tjetër”.

Thursday, 2 September 2010

Londër, lirohet me kusht Ilir Kumbaro

Nga gjykata "Royal Court of Justice"
Muhamed Veliu

Gjykata e Apelit në Londër i rikthen lirinë me kusht ish- SHIK-asit Ilir Kumbaro i arrestuar javën e shkuar në bazë të një fletë-arresti ndërkombëtar lëshuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Gjykatësi Stephen Irwin pasi dëgjoi përfaqësuesen e shtetit shqiptarë dhe avokatin mbrojtës, urdhëroi vendosjen e një pajisje elektronike monitorimi në këmbën e Kumbaros.

Kjo pajise e njohur si “Tag” është e lidhur me stacionin e policisë lokale duke lejuar monitorimin e cdo lëvizje të personit që i vendoset në këmbë një e tillë.

Sipas Gjykatësit të Apelit londinez Kumbaro gjithashtu duhet të banojë në adresën tashmë të ditur nga policia.

Paraqitja 3 herë në javë në stacionin e policinë të zonës Fulham është një tjetër kusht i vendosur për Ilir Kumbaron.

Gjykata pranoi garancinë pasurore prej 10 mijë stërlinash vendosur nga një grua e cila nga gjykatësi Irwin u identifikua si nga bashkëshortja e djalit të Ilir Kumbaros.

Vetë zoti Kumbaro nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit por u mbrojt nga avokati John Jones i cili tha se klienti i tij falë moshës, disa sëmundjeve dhe qëndrimit prej 15 muajsh në burg gjatë procesit të shkuar duhet të ndjekë procesin e ekstradimit në gjendje të lirë.

Avokati Jones përsëri tha se klienti i tij është Shaqa Shatri për aq kohë sa Ministria e Brendshme Home Office në bazë të këtij emri i ka garantuar azilin dhe nënshtetësinë britanike.

Clair Dobbin përfaqësuese e shtetit shqiptarë inicuese e apelit, kundërshtoi lirinë me kusht pasi sipas saj tani përballë një fletë-arresti të ri ndërkombetarë rreziku zhdukjes së zotit Kumbaro është më i madh.

“Detyra e mbajtur dhe lidhjet me shërbimin sekret shqiptarë, përfshi fshehjen e suksesshme 15 vjecare duke përdorur identitet të rremë gjër për të cilën ai ende këmbengul na bëjmë të besojmë se zoti Kumbaro mund t'i fshihet përsëri drejtësisë” theksoi zonja Dobin.

Seanca e ardhshme e ekstradimit do të zhvillohet më 1 tetor ku në thelb të debateve ligjore do të jetë vendimi i pritshëm gjatë këtij muaji i “Kolegjit të Bashkuar” në Gjykatën e Lartë në Tiranë për vlefshmërinë e mandatit të ri të lëshuar nga gjykata me kërkesë të prokurorisë.

About Me

Veliupress


View My Stats