Tuesday, 31 August 2010

Londër, Ilir Kumbaro mbetet në burg

Nga gjykata “City of Westminster Magistrate Court”
Muhamed Veliu

Ilir Kumbaro edhe në seancën e djeshme gjyqësore të ekstradimit ka këmbëngulur përballë një gjykatësi britanik se ai është Shaqa Shatri një qytetar shqiptar nga Prizreni i Kosovës.

Që në fillim të seancës gjyqësore që zgjati më shumë se 40 minuta, kur ish-shefit të drejtorisë së parë të SHIK-ut për Tiranën iu kërkua t’i tregonte gjykatës emrin ai tha: “Unë jam Shaqa Shatri”.

Sipas fletarrestit ndërkombëtar mbi Kumbaron rëndojnë 6 akuza ndër to më e rënda është ajo për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, në tetor të vitit 1995.

Mary Westcott, përfaqësuese e shtetit shqiptar i tha gjykatësit Anthony Evans se ndaj zotit Kumbaro rëndojnë disa akuza të rënda dhe tejet serioze.

Sipas saj, nuk ka as më të voglin dyshim se personi në gjykatë është pikërisht ai që kërkohet nga drejtësia shqiptare.

Jones, avokati i zotit Kumbaro u ka bërë një kronologji të gjitha zhvillimeve të deritanishme në këtë proces ekstradimi duke kërkuar edhe liri me kusht për klientin e tij.

“Për më shumë se 15 muaj, vitin e shkuar, zoti Kumbaro qëndroi në burg për faj të drejtësisë shqiptare, e cila vendosi se fletarrestit dërguar në Angli i kishin kaluar afatet. Zoti Kumbaro ishte në dijeni të një mandati të ri arrestimi lëshuar 8 muaj parë. Ai nuk bëri asnjë përpjekje për t’iu fshehur drejtësisë”, ka argumentuar avokati Jones, kërkesën për lirimin me kusht të klientit të tij.

Djali i Ilir Kumbaros fillimisht ishte i gatshëm të vendoste për lirinë e të atit një garanci pasurore prej 5 mijë sterlinash.

Gjykatësi Evans kërkoi më shumë para dhe familjarët e rritën shumën e garancisë deri në 10 mijë sterlina, por përfaqësuesja e shtetit shqiptar e kundërshtoi aprovimin e lirisë me kusht dhënë nga gjykatësi Anthony Evans.

Ankimimi i saj do të shqyrtohet gjatë 48 orëve të ardhshme nga Gjykata e Apelit në Londër. Ndërkohë, edhe për orët në vazhdim, Ilir Kumbaro do të vazhdojë të qëndrojë në Burgun Wandsworth.

Seanca e ardhshme gjyqësore do të zhvillohet më 1 tetor 2010.

Gjykatësi Evans la të kuptohet se do të jetë shumë e lehtë për të në dhënien e vendimit, pasi më 24 mars 2009 kolegu i po të njëjtës gjykatë, Haward Riddle e quajti të drejtë kërkesën e shtetit shqiptar për të ekstraduar Ilir Kumbaron.

Ilir Kumbaro u arrestua për të dytën herë në Londër në bazë të një fletarresti ndërkombëtar lëshuar nga Gjykata shqiptare e Krimeve të Rënda.

Gjatë javës së fundit, ish-drejtori i Drejtorisë së Parë të SHIK-ut për Tiranën është mbajtur nën survejim nga skuadra e ekstradimeve në Scotland Yard.

Ilir Kumbaro nuk banonte më në banesën e tij në lagjen “Fulham”, por në shtëpinë e djalit, Endritit, në jug të Londrës, ku ka ndodhur edhe arrestimi.

Sikurse në arrestimin e parë, Ilir Kumbaro ka deklaruar se ai është Shaqa Shatri, një shtetas shqiptar nga Prizreni i Kosovës.

Kumbaro ka dalë përpara gjykatës së ekstradimeve në Londër, ku i është komunikuar përmbajtja e fletarrestit lëshuar nga drejtësia shqiptare.

Sipas fletarrestit, shtetasi shqiptar, Ilir Nazmi Kumbaro, kërkohet të ekstradohet për një sërë akuzash që kanë të bëjnë me rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, torturimin e Zizo Kristopullit dhe Avdyl Loshajt përfshi edhe shpërdorim detyre.

Një gjykatës britanik vendosi masën e arrestit me burg deri më 31 gusht 2010, për t’u dhënë mundësi avokatëve mbrojtës të aplikojnë për ndjekjen e procedurave nga klienti i tyre në gjendje të lirë nëse familjarët e zotit Kumbaro do të vendosin një garanci pasurore.

Ilir Kumbaro për herë të parë do të provonte ftohtësinë e prangave britanike mëngjesin e datës 10 shtator 2008.

Pas 13 seancash gjyqësore nga data e arrestimit më 24 mars 2009, gjykatësi Haward Riddle e quajti të drejtë kërkesën e shtetit shqiptar për të ekstraduar Kumbaron.

Avokatët e tij e apeluan këtë vendim, ndërsa Gjykata e Apelit në Londër më 17 dhjetor 2009 pushoi çështjen e ekstradimit, pasi Gjykata e Lartë në Tiranë me një vendim të sajin e quajti mandatin e arrestit të pavlefshëm, pasi i kishte kaluar afati.

Megjithatë, përpjekjet e prokurorisë shqiptare për të ekstraduar Ilir Kumbaron vazhduan, duke i dërguar Ministrisë së Brendshme britanike Home Office një mandat të ri arresti lëshuar nga Gjykata e Krimeve të rënda.

Pikërisht ky mandat arresti është ekzekutuar mbrëmjen e së martës, duke rikthyer në qelitë e burgut Wansdworth ish-shikasin Ilir Kumbaro.

Wednesday, 25 August 2010

Sërish pranga londineze për Ilir Kumbaron

Nga Londra
Muhamed Veliu

Arrestohet për të dytën herë në Londër Ilir Kumbaro në bazë të një fletë arresti ndërkombëtar lëshuar nga Gjykata shqiptare e Krimeve të Rënda.

Top-Channel ekskluzivisht ka mësuar të gjitha detajet e operacionit të “Scotland Yard” ë bëri të mundur arrestimin e të shumëkërkuarit të drejtësisë shqiptare.

Gjatë javës së fundit ish-drejtori drejtorisë së parë të SHIK-ut për Tiranën është mbajtur nën survejim nga skuadra e ekstradimeve në “Scotland Yard”.

Ka rezultuar se ai nuk banonte më në banesën e tij në lagjen Fulham, por në shtëpinë e djalit, Endrit Kumbaros, në jug të Londrës ku ka ndodhur edhe arrestimi.

Sikurse në arrestimin e parë Ilir Kumbaro ka deklaruar se ai është Shaqa Shatri, një shtetas shqiptar nga Prizreni Kosovës.

Kumbaro ka dalë përpara gjykatës së ekstradimve në Londër ku i është komunikuar përmbajtja e fletë arrestit lëshuar nga drejtësia shqiptare.

Sipas fletë arrestit shtetasi shqiptar, Ilir Nazmi Kumbaro kërkohet të ekstradohet për një sërë akuzash që kanë të bëjnë me rrëmbimin dhe zdukjen e Remzi Hoxhës, torturimin e Zizo Kristopullit dhe Avdyl Loshajt përfshi shpërdorim detyre.

Një gjykatës britanik ka vendosur masën e arrestit me burg deri më 31 Gusht 2010.

Në këtë datë avokatët mbrojtës do të kenë mundësi të aplikojnë për ndjekjen e proçedurave nga klienti i tyre në gjendje të lirë nëse familjarët e zotit Kumbaro do të vendosin një garanci pasurore.

Ilir Kumbaro për herë të parë do të provonte ftohtësinë e prangave britanike mengjesin e datës 10 Shtator 2008.

Pas 13 seancash gjyqësore nga data e arrestimit më 24 Mars 2009 gjykatësi Haward Riddle e quajti të drejtë kërkesën e shtetit shqiptar për të ekstraduar Kumbaron.

Avokatët e tij e apeluan këtë vendim, ndërsa Gjykata e Apelit në Londër më 17 Dhjetor 2009 pushoi çështjen e ekstradimit pasi Gjykata e Lartë në Tiranë me një vendim të sajin e quajti mandatin e arrestit të pavlefshëm pas i kishte kaluar afati.

Megjithatë përpjekjet e prokurorisë shqiptare për të ekstraduar Ilir Kumbaron vazhduan duke i dërguar Ministrisë së Brendshme britanike “Home Office” një mandat të ri arresti lëshuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Pikërisht ky mandat arresti është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme duke rikthyer në qelitë e burgut “Wansworth” ish-agjentin e SHIK-ut, Ilir Kumbaro.

Nëse gjithçka do të shkojë sipas proçedurave të parapara nga ligji anglez dhe pala shqiptare do të jetë korrekte në dërgimin e dokumentacionit përkatës gjykatës angleze, atëherë ekstradimi Ilir Kumbaros kësaj here është më afër se kurrë.

Tuesday, 24 August 2010

Enesa Berisha mahnit në muzikalet e Londrës

Nga Londra
Muhamed Veliu

Muzikalet e Londrës tashmë kanë pjesë të tyre edhe një këngëtare të re shqiptare nga Kosova. Enesa Berisha falë telentit të saj për të aktruar, përfshi një zë të bukur dhe të fortë, ka mundur të interpretojë me sukses në rolet kryesore në dy prej tyre.

Interpretimi fantastik i 12 vjecares Berisha në muzikalet Annie dhe Bagsy Malone janë vlerësuar maksimalisht nga kritika britanike.

Ajo ka filluar të këndojë që në moshën 5-vjecare.

Disa vite me parë Enesa Berisha mori pjesë në një audicion ku nga 2000 mijë fëmijë pjesmarrës ajo zuri vendin e parë duke fituar rolin kryesor në muzikalin Annie.

Pas këtij suksesi Enesa do të përzgjidhej për të luajtur një tjetër rol kryesor në teatrin Bloomsbury.

“Të jeshë pjesë e muzikaleve të Londrës është një mundësi që të jepet një herë në jetë. Mbi të gjitha është një privilegj pasi shpalos mundësitë e tua për të kënduar dhe aktruar në teatër”, thotë Enesa Berisha në një prononcim të sajin për Top-Channel.

Ajo nuk e fsheh aspak dëshirën që një ditë të këndojë edhe në skenat e Kosovës dhe Shqipërisë.

Muajt në vazhdim për Enesën do të jetë të mbushura me audicione ku njëri prej tyre është pejsmarrja në “Britain Got Talented”, një program televiziv shumë popullor në Britaninë e Madhe.

Monday, 23 August 2010

Regbi, një shqiptar me fanelën angleze

Nga Londra
Muhamed Veliu

Regbia është një ndër sportet më të vjetër në Europë krijuar nga britanikët në shekullin XIX dhe gëzon popullaritet në shumë vende të botës.

Megjithëse në trojet shqiptare ky sport nuk praktikohet, tashmë edhe Shqipëria mund të krenohet se ka një lojtar të sukseshëm të sajin në këtë sport.

Olsi Krasniqi, është një prej talenteve të regbisë angleze që brenda një kohe shumë të shkurtër ka arritur të firmosë një kontratë si profesionist.

Talenti që ai ka e ka lejuar të veshë fanelën e përfaqësueses angleze për moshat nën 20 vjec.

17 vjecari shqiptarë është formuar si sportist në kolegjin "Feltham Community" të Londrës që gëzon një rekord të shkëlqyer në prodhimin e talenteve.

Këtë sezon ai luan në formacionin bazë për ekipin londinez Harlequins.

Sipas trajnerëve të këtij ekipi, Krasniqi ka një talent të jashtëzakonshëm, edhe pse detyra e tij në fushë nuk është nga më të lehtat. Olsi luan në rolin e mbrojtësit ku gjithmonë ka dyluftime.

Ai zotëron një teknikë të ashpër në ndërhyrje, duke dominuar përplasjet me kundërshtarët.

Megjithëse ka lindur në Angli, ai asnjëherë nuk e ka fshehur origjinën e tij shqiptare duke u bërë kështu mbase shqiptari i parë në botë që luan në një ligë profesioniste të regbisë.

About Me

Veliupress


View My Stats