Thursday, 27 May 2010

Britani, 18 vjeçari shqiptar sfidon “Google”

Britani, 18 vjeçari shqiptar sfidon “Google”

Nga Londra
Muhamed Veliu

Nëse do të dëgjonim se dikush po tenton të konkurojë motorin kërkues në internet “Google”, mbase do ta komentonim këtë lajm jo me shumë optimizën duke shprehur skepticizëm.

Por në rastin e një 18 vjecari shqiptar në Britaninë e Madhe nuk ka aspak vend për dyshime. Marsel Gashi ka marrë përsipër të konkurojë “Google”, duke tërhequr vëmendjen e investitorëve amerikanë dhe holandezë të cilët i kanë vënë në dispozicion 6 milion dollar për zgjerimin e projektit të tij.

I riu shqiptar është themeluesi motorit të kërkimit Timmp.com që ofron 130 miliard faqe me të dhëna të cilave çdo ditë i shtohen nga 3 milion faqe të reja.

“Jam shumë i lumtur që ky projekt i imi ka gjetur mbështetjen e disa investitorëve të cilët besojnë tek unë dhe ky projekt”, thotë Gashi në një prononcim për Top-Channel.

Agjencia e lajmeve ekonomike “Bloomberg” e vlerëson projektin e shqiptarit si një prej motorëve të kërkimit më të rëndësishëm që ka shumë se cfarë të ofrojë për përdoruesit.

Gjeniu shqiptar i elektronikës ndjek studimet në shkollë të mesme dhe jeton në qytetin e Leiçesterit në të cilin familja e tij u vendos si emigrantë kur ai ishte 8 vjeç.

Që kur ishte 14 vjeç Marsel Gashi hapi një faqe interneti ku shiste orendi shtëpiake nga e cila çdo javë fitonte 3 mijë paund. Këtë biznes ai do ta shiste për shumën prej 100 mijë paundësh.

Ai është edhe autor i një libri me titull “Dream Less Win More” (Ëndërro pak fito shumë”), nëpërmjet të cilit kërkon të inspirojë të rinjtë në vështirësi ekonomike.

Gashi e komenton këtë libër si sekretin për të luftuar reçesionin dhe se si në kohë të vështira ekonomike mund të ndërtosh biznese të suksesshme.

Marsel Gashi themeloi kompaninë e tij të parë me emër “Solution Media” që kur ishte 14 vjeç.

Një vit më vonë ai fitoni një konkurs për të drejtuar një program radiofonik në një radio lokale, ku më pas programi i tij do të arrinte një audiencë prej 270,000 dëgjuesish.

E nëse qindra mijëra 18 vjeçarë në Britaninë e Madhe nuk e dinë ende se cfarë do të ndodhë me të ardhmen e tyre, për Marsel Gashin ky është një kapitull i mbyllur pasi idetë e tij tashmë janë kthyer në një sukses të vërtetë që vlejnë miliona paund.

Friday, 14 May 2010

Londër, sukses shqiptar në “Royal Opera House”

Londër, sukses shqiptar në “Royal Opera House”

Nga Londra
Muhamed Veliu

Dy artistë shqiptarë me famë botërore sic janë sopranoja Ermonela Jaho sëbashku me tenorin Sajmir Pirgu kanë korrur suksesin e tyre të radhës në Operan Mbretërore të Londrës në “Covent Garden”, duke interpretuar në dy rolet kryesore të Travitës.

Eshtë hera e parë në historinë 276 vjecare të kësaj opere që dy rolet kryesore u besohet të luhen nga dy artistë prej të njëjtës origjinë.

Kritika britanike ka vlerësuar maksimalisht interpretimin e dy shqiptarëve.

Prestigjozja “The Times” i kushton një artikull me titullin “Lotët për Violetën me kualitet yjesh” duke shkruar se Ermonela Jaho rikthehet me rolin e Violetës duke provuar se ajo ka potencialin e duhur ta bëjë për vete audiencën.

Ndërsa për Sajmir Pirun kjo gazetë vlerëson tonin dhe interpretimin e vecantë në skenë.

Tenori Sajmir Pirgu rikthehet në “Royal Opera House” pas katër vitesh nga interpretimi tij i parë në Londër duke mos e fshehur gëzimin për këtë sukses të tijin me një partnere brilante sic është sopranoja Ermonela Jaho.

Për nder të artitstëve shqiptarë, Zef Mazi ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, organizoi një pritje në selinë e ambasadës shqiptare në Londër.

Posacërisht për të ndjekur Jahon dhe Pirgun në skenën londineze kishte ardhur edhe Suzana Turku, zv/ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Krahas mijëra britanikëve që ndoqën premierën e “La Traviata”-s kishte edhe shumë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Londër, madje disa të tjerë kishin ardhur nga Shqipëria.

Suksesi Ermonela Jahos dhe Sajmir Pirgut në “Royal Opera House” krahas një arritje personale për ata është padyshim një prezantim dinjitioz i Shqipërisë duke i treguar britanikëve se vendi ynë prodhon talente të denjë për t’u ndjekur e duarokitur gjatë nga ata.

Tuesday, 11 May 2010

Cana merr cmimin “Ambasador i shqiptarëve në botë”

Cana merr cmimin “Ambasador i shqiptarëve në botë”

Nga Londra
Muhamed Veliu

Lorik Cana është shpallur personaliteti shqiptar i vitit në Britaninë e Madhe nga gazeta e komunitetit “The Albanian”.

Talentit të futbollit shqiptar iu dorëzua cmimi i përvitshëm që jep kjo gazetë me motivacionin “Ambasador i shkëlqyer i shqiptarëve në botë”.


Petrit Kucana, botues i “The Albanian” tha:

“Cana është krenaria e shqiptarëve në Britaninë e Madhe i cili po u tregon britanikëve vlerat e vërteta të shqiptarëve duke u kthyer në shembull referues të një shqiptari të suksesshëm, mbi të gjitha të një djali patriot i cili është krenaria e kombit tonë”.

Pas dorëzimit të këtij cmimi nga poetja Brixhilda Ndini, i emocionuar Cana deklaroi: “Këtë cmim të dhënë nga komuniteti shqiptar në Angli e vlerësoj shumë pasi jam rritur në diasporë kur lashe Kosovën që shtatë vjec. Kur shkova në Zvicër për nëntë vite isha një emigrant pa dokumenta të rregullta qëndrimi por kjo më ka bërë të fortë pasi të jetuarit në diasporë mes shqiptarëve më krijoi ngrohtësinë e duhur sikur të isha në Kosovë. Eshtë e rëndësishme për ne dhe fëmijët e lindur në mërgim mos të harrojmë gjuhën dhe traditat tona”, ka thënë Cana.

I pyetur nga Top Channel se sa i kënaqur ishte ai që luante këtë sezon me ekipin e Sunderland-it dhe paraqitjen e tij, Cana u shpreh se ai ishte i kënaqur duke dhënë maksimumin, por ekipi nuk pati një parqitje të mirë për t’u renditur i 10-ti në fund të kampionatit.

Ndërsa pyetjes për një transferim të mundshëm sezonin e ardhshëm tek Arsenali apo ndonjë ekip tjetër anglez, Cana tha: “Do shqyrtoj me kujdes c’do ofertë. Unë dëshiroj të përmbush kontratën dy vjecere që kam me Sunderland. Dua që të jemë gjithmonë në 11-tëshen bazë të c’do ekipi për të luajtur intensivisht gjatë kampionatit. Vazhdoj të kem një komunikim shumë miqësor me trajnerin Arsen Venger”.

About Me

Veliupress


View My Stats