Thursday, 30 December 2010

Rooney zbulon talentin shqiptar

Nga Londra
Muhamed Veliu

Wayne Rooney, njëri prej futbollistëve më të suksesshëm për momentin në futbollin anglez, e ka shpalosur talentin që kur ishte fëmijë, fillimisht duke shkelmuar topin nëpër rrugët e qytetit të Liverpoolit.

Duke mos harruar fëmijërinë e vështirë dhe dëshirën për t’u bërë futbollist, çdo vit në bashkëpunim me stacionin televiziv SKY, ai zhvillon një konkurs për të zbuluar talente futbolli.

Këtë vit në edicionin e tretë të konkursit “Futbollistët e rrugës të Wyane Rooney-it” u paraqitën 3 mijë persona nga të cilët u përzgjodhën 100 dhe më pas 10 ku mes tyre ishte edhe një shqiptar.

Shpresim Vulaj, i cili jeton në Londër, kaloi me sukses të gjitha fazat e konkurrimit duke mbërritur në finale ku morën pjesë tre konkurrues.

19-vjeçari i veshur me një bluze të kuqe dhe shqiponjë të zezë, është duartrokitur nga të pranishmit, mes tyre shume shqiptarë, në finalen e zhvilluar në Manchester dhe të ndjekur nga miliona britanikë përmes SKY.

Shkodrani Vulaj, i cili ka shpalosur një teknikë të lartë në gjuajtjen e topit, është renditur i treti, pasi është përpjekur të japë maksimumin gjatë një ushtrimi të vështirë.

Ai është një djalë i qetë që flet pak, por ama me pasion për këtë eksperiencë të bukur dhe të vlefshme në konkursin e Wane Rooneyit.

I shoqëruar nga babai Xhelal Vulaj, e takojmë Shpresimin në veri të Londrës, jo shumë larg zonës ku ai banon. E pyesim në fillim si i lindi ideja për t’u paraqitur në fazën seleksionuese të këtij konkursi.

“Kisha dy vjet që e ndiqja këtë program nga ku më lindi dëshira për të marrë pjesë, pasi isha i bindur që do t’i kaloja provat për të mbërritur në finale”, thotë Vulaj.

Shpresimi tregon se gjatë të gjithë konkursit Rooney shikonte për ata konkurrentë që kishin cilësi të veçanta mbi të gjitha vlerësonte teknikën. Përpara çdo ushtrimi ai vetë kryente demonstrimin.

“Ishte privilegj, njëkohësisht një eksperiencë e jashtëzakonshme, për mua të merrja instruksione për kryerjen e ushtrimeve nga një futbollist i cilësuar si George Besti i ri. Rooney ishte një djalë i thjeshtë, pa çka se ai tashmë ka statusin e njërit prej yjeve të futbollit anglez”, tregon Shpresimi.

Katër episodet e finales janë regjistruar në Manchester ku nuk ka në munguar edhe surprizat për tre finalistët.

Shpresimi tregon se një natë më parë na u tregua se Rooney i kishte ftuar të ndiqnin një ndeshje të nesërmen të Manchester United në Old Trafford.

Për të marrë tre finalistët, ai dërgoi një limuzinë dhe kishte rezervuar një prej bokseve VIP nga ku tre finalistët e ndoqën ndeshjen.

Gjatë njërës prej ditëve kur po xhirohej programi, Wayne kishte ditëlindjen. Shpresimi do t’i dhuronte një bluzë të kuqe me shqiponjë të cilën e ai e pëlqeu.

Ky moment është filmuar dhe transmetuar në puntatën e tretë ku Rooney thotë “më pëlqen”. “Kjo është në shenjë mirënjohjeje për ndihmën dhe këshillat e tua gjatë këtij konkurrimi .Kur të mbaroj konkurrimin e sotëm, do ta firmos”, i ka thënë i riu shqiptar, duke bërë shaka.

Dita e finales është pritur me tension nga tre konkurrentët të cilët e shprehin atë haptas gjatë intervistave përpara mbërritjes në sallën e përzgjedhur për dy ushtrimet finale.

I pari që nis ushtrimin e finales është Shpresimi. Nga tre tuba plastike lëshohen topa, ku konkurrenti me dy prekje duhet t’i fusë në një kuti që saj vjen dhe largohet nga pozicioni i tij.

Shpresimi arriti të fusë në kuti pesë topa gjatë kohës së lejuar. Shtatë topa futi në kuti konkurrenti i dytë dhe nëntë i treti. Vendimi i Rooneyt ishte i vështirë, siç edhe ai e thotë vetë gjatë programit.

I larguari ishte Shpresim Vulaj, të cilit i uron fat. Fitimi i konkursit pa dyshim do të ishte një arritje madhore për të. Megjithatë, mbërritja në finale i shërben promovimit të tij për të ardhmen.

Ai nuk është aspak i dekurajuar përse zuri vendin e tretë, por premton se do të marrë pjesë përsëri vitin e ardhshëm duke tentuar fitimin e vendit të parë.

I riu shqiptar që bëri realitet këtë dëshirë, ka nisur të luajë futboll që në moshën 9-vjeçare, kur tërhoqi vëmendjen e agjentëve nga qendra e zbulimit të talenteve në ekipin e Tottenhamit.

Më pas ai ka luajtur me disa ekipe të 13-vjeçarëve si ato të Southamptonit, Harringeyt dhe Kentish Town në Londër në ligat semiprofesionale.

Pasi ka kaluar me sukses dy kurse të FIFA-s, Shpresim Vulaj aktualisht punon edhe si trajner pranë ekipit të Arsenalit, për moshat 5 deri 15 vjeç.

Dëshira e tij e madhe është aktivizimi në ligat profesioniste angleze, duke përfshirë veshjen e fanellës së përfaqësueses shqiptare për të rinj.

Tuesday, 21 December 2010

Britani, ministri "rrebel" ne kurthin e gazetareve investigative

Nga Londra
Muhamed Veliu

Zërat për një sërë problemesh në gjirin e koalicionit qeverisës të drejtuar nga kryeministri David Cameron janë vërtetuar përmes një investigimi nga dy gazetarë të së përditshmes “Daily Telegraph”.

Është Vince Cable, ministri që mbulon çështjet e biznesit, nga Partia Liberal Demokrate që ka shprehur një mori pakënaqësish gjatë një bisede me dy gazetarët e paraqitur si votues në zonën e tij elektorale.

Cable gjatë bisedës të regjistruar në mënyrë sekrete tha se ai ka të gjitha mundësitë për të rrëzuar qeverinë nëse ai do të shtyhet për të bërë më shumë se ç’është e mundur nga kolegët e tij konservatorë.

I pyetur nga gazetarët investigativë se çfarë influence ai ka në qeverinë e kryeministrit Cameron, ministry ka dhënë këtë përgjigje:

“Dua të jem shumë i siqertë me ju. Unë kam një mundësi nukleare. Është njësoj si të luftosh një luftë. Ata e dinë që unë kam një armë nukleare, por unë nuk kam ndonjë armë konvencionale. Nëse do të shtyhet për të bërë më shumë se ç’është e mundur, atëherë unë largohem nga kabineti qeveritar duke e rrëzuar qeverinë. Ata e dinë këtë”, ka deklaruar Cable.

Më tej gjatë bisedës zoti Cable ka ilustruar situatën brenda koalicionit me detajet e disa debate mes konservatorëve dhe liberaldemokratëve siç janë ato për bankat, çështjet e emigracionit apo rritjen e tarifës për të ndjekur universitet.

Si një betejë konstante e ka cilësuar ai atë që po ndodh mes partnerëve të koalicionit qeverisës.

Këto deklarata padyshim do të shkaktojnë një valë tronditjeje në politikën britanike.

Jo vetëm kaq, por edhe do të ngrenë një sërë pikëpytjesh për vijimin e koalicionit pasi deklaratat e Cable një politkan popullor tek Liberal Demokratët, janë të sinqerta gjatë bashkëbisedimit.

Kur Daily Telegraph ka kontaktuar Vince Cable të komentonte deklaratat e regjistruara ai ka shprehur keqardhje duke u ndjerë i turpëruar, për të tilla deklarime dhe se nuk ka ndërmend të largohet nga qeveria.

Daily Telegraph ka premtuar publikimin e të tjera investigimeve në ditët në vazhdim, përmes të cilave do të tregohen pakënaqësitë e aleatëve Liberal Demokrat në qeverinë Cameron.

The Times ,Thaci "Akuzat e Marty, propagandë fashiste"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Prestigjozja britanike “The Times” ka zhvilluar një intervistë me Hashim Thacin, ku ai ka follur rreth trillmeve të Dick Marty.

Që në fillim të intervistës, ish-lideri i UCK-së i cilëson akuzat e Marty si një propogandë fashiste, e frymëzuar nga lobet anti-kosovare.

Sikurse edhe në deklarimet e mëparshme, Thaci në mënyrë kategorike i ka mohuar akuzat duke i treguar “The Times” se ai asnjëherë nuk është përfshirë në trafikun e drogës, apo të ketë urdhëruar vrasje, apo të ketë vrarë vetë ndonjë person.

“Jam tërësisht i pastër ndaj këtyre pretendimeve. Jam i qetë. Unë jam akuzuar për të tilla gjëra që 15 vjet më parë dhe e di që për Europën dhe Amerikën këto akuza nuk janë gjë tjetër përvec se gënjeshtra”, ka deklaruar lideri Partisë Demokratike të Kosovës.

Edhe njëhërë tjetër, nëpërmjet gazetës britanike, Hashim Thaci ka treguar vendosmërinë e tij për t’i cuar në gjykatë shpfijet e senatorit zviceran.

Në vijim të intervistës, Thaci është shpehur se këto akuza nuk e ndalojnë atë që të vazhdojë me axhendën politike që ai ka. “Tre kanë qënë qëllimet madhore në jetën time”, thotë Thaci për “The Times”, duke i shpjeguar ato.

“Clirimi i Kosovës duke udhëhequr shqiptarët gjatë luftës në vitin 1999, shpallja e pavarsisë në 2008 dhe tani sfida më e madhe, integrimi i Kosovës në NATO dhe BE”, ka deklaruar Thaci.

“Tipa si Dick Marty nuk mundën të më ndalonin mua në realizimin e dy qëllimeve të para. Po ashtu nuk do të munden të më ndalojnë në përmbushjen e qëllimit të tretë”, ka theksuar ai.

I kontaktuar nga “The Times”, Dick Marty nuk ka pranuar të komentojë rreth rasportit dhe kundërshtimeve nga pala kosovare.

Monday, 20 December 2010

Ekpertja e OKB Anna Di Lellio: " Dick Marty nuk ka prova"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Anna Di Lellio është një emër i njohur në qarqet ndërkombetare dhe ato politike në Kosovë. Ajo është një sociologe dhe gazetare e cila ka shërbyer në Kosovë si konsulente e Kombeve të Bashkuara duke kryer një sër detyrash. Që prej vitit 1999 Di Lellio është një observuese dhe njëkohësisht raportuse e ngjarjeve të atjeshme duke i publikuar ato nëpër gazetat më me emër në Europë dhe Amerikë.
Aktualisht ajo është profesoreshë e mardhënieve ndërkombëtare në universitetin e “New School të New Yorkut”. Gjatë një interviste ekskluzive për Top-Channel unë fillimisht e pyeta zonjen Di Lelloi se cila është pikëpamja e saj rreth akuzave tejet të rënda në raportin e publikuar nga Dick Marty.

Nuk mund të komentoj me saktësi rreth këtyre akuzave pasi nuk e kam lexuar raportin. Ato janë thjesht akuza bazuar në thënie të ndryshme të cilat meritojnë një hetim të plotë në mënyrë që cilido më pas të komentojë rreth tyre.

Gjatë kohës që keni punuar në Kosovë a keni dëgjuar rreth të tilla krimeve monstruoze të kenë ndodhur gjatë luftës sic përshkruhen në raport?


Jo. Kurrë nuk kam dëgjuar të tilla gjëra. Unë kam mbërritur në Kosovë në vitin 1999 ekzaktësisht në përfundim të luftës. Përpara se të mbërrija atje isha në kampet e refugjatëve në Shqipëri. Kurrë nuk dëgjuar të tilla gjëra por e para herë që kam dëgjuar ishte në 2004 kur për herë të parë akuza të tilla u bënë publike nga Carla Del Ponte e cila hetoi këto akuza por pa sukses. Është disi e cuditshme që po të njëjtat akuza ringrihen përsëri.


A besoni se raporti në vetvete ka prova të mjaftueshme ku t'i mbështesë akuzat?
Jo. Raporti nuk ka paraqet ndonjë provë është thjesht i bazuar në gojdhëna të ndryshme. Unë mendoj se do të jetë në interes të zotit Thaçi si ish-udhëheqës i UCK-s të kërkojë një hetim të plotë. Unë nuk dua të them që jam 100% e sigurtë por jam shumë e sigurtë se anjë gjë nuk ka për tu vërtetuar apo gjetur në këto akuza të përmendura në raport.

Pas publikimit të këtij raporti, mendoni se komuniteti ndërkombëtar në Kosovë ka arsye të fortë për të nisur një hetim kriminal?

Po, unë besoj se janë arsye të forta për një hetim të tillë nga Këshilli Europës. Është në interes të personave të përmenduar në raport, të nis një hetim që do të provojë pafajsinë e tyre. Nuk e kuptoj pse njerëzit janë të mërzitur nga e gjithë kjo histori. Këto akzua janë të ngjashme me ato të ngritura në “Librin e Bardhë” që flet për terrorizmin shqiptarë të publikuara në anglisht nga Ministria e Jashtëme serbe disa vite mëparë. Ky ishte një libër që tentonte të kriminalizonte UCK-të gjithë luftën e tyre, pa patur asnjë provë.

Padyshim që ky raport ka dëmtuar figurën e zotit Thaci njëkohësisht imazhin e Kosovës. Zoti Thaci i ka mohuar të tilla akuza. Cila do të jetë rruga më e mirë që ai ta pastrojë emrin e tij nga këto akuza?

Mendoj se ai duhet të kërkojë një hetim. Nuk duhet ti frikësohet anjë hetimi. Nëse ai e bën një gjë të tilla atherë përvec se do të pastrojë emrin e tij njëkohësisht kjo do të vlejë për të gjithë. Të tilla akuza u ngritën disa vitë me parë por kurrë nuk u materializuan në prova. Janë shfaqur përsëri . Vetëm një investigim i plotë do ti qëtësojë ata që përmend në të.

Di Lellio në fund të intervistës thotë se për të ky nuk është një lajm i ri duke marrë si shembull një raport të BBC-së për “Shtëpinë e Verdhë” e cila është në qendër të historisë së tregtisë së organeve. Sipas saj do të jetë një zhvillim interesant për këto gazeta dhe televizione serioze të arrinë e të zbulojnë që këto akuza kanë baza.

Sunday, 19 December 2010

John Terry “Makina e bllokuar në Tiranë s’është e imja”

John Terry “Makina e bllokuar në Tiranë s’është e imja”

Nga Londra
Muhamed Veliu


Dy ditë më parë, burime policore të cituara nga disa media shqiptare, me plot vendosshmëri dhe siguri, kishin raportuar, për bllokimin në rrugët e Bllokut në Tiranë, të makisës së vjedhur që i përkiste futbollistit John Terry.


Sipas po të njëjtave burime makina kishte dy vjet, që i ishte vjedhur kapitenit, të ekipit të Celsit dhe skuadra e antitrafiqeve në Tiranë kishte përdorur sistemin GPS për ta lokalizuar.

Top-Channel ka mundur të hedhë dritë mbi këtë ngjarje duke zbuluar të kundërtën e këtyre deklarimeve.

Makina me targa angleze LT55EUO bllokuar nga policia e Tiranës javën e shkuar nuk i përket aspak John Terryt.

Është zoti Phil Hall nga kompania PHA-Media i cili kryen rrolin e zëdhënësit për futbollistin e kombëtares angleze, që mohon në mënyrë kategorike se makina në fjalë i është vjedhur klientit të tij .

“Jo. Ajo makinë nuk i përket John Territ. Ai kurrë nuk ka patur ndonjë makinë që ti vidhet. Nuk kam c’të them më shumë. Ata e kanë dhënë komplet gabim këtë gjë”.

Gjithashtu të kontaktuar përmes telefonit Scotland Yard në Londër dhe policia e zonës Surrey ku jeton John Terry konfirmuan se nuk kanë ndonje denoncim nga ky person apo të afërmit e tij, për makinë të vjedhur.

Nga kontrolli në një faqe të specializuar interneti në Angli, të targës së makinës të bllokuar rezulton se kjo makinë është e vjedhur dhe denoncuar në polici më datë 26 Tetor 2010, dhe jo dy vjet më parë sic deklarojnë burimet policore.

Një zëdhënëse e policisë së Tiranës deklaroi se “Interpoli është duke punuar për këtë cështje por ende nuk ka një denononcim nga personi në fjalë” pra John Terry”.

E gjithë kjo histori i ngjan një propagande të shëmtuar nga ata që e kanë orkestruar lëshimin e lajmit ndoshta me qëllimin final, për ti bërë qejfin shefave të tyre, pse jo edhe vetë ministrit të rendit Lulzim Basha se kishin mundur me sukses të bllokonin, makinën e vjedhur të John Territ.

Friday, 17 December 2010

Shtyhet ekstradimi i Kumbaros per ne Shkurt 2011

Nga Londra
Muhamed Veliu

Ilir Kumbaro do t’i kalojë festat e fundivit i lirë me kusht për t’u përballur përsëri me drejtësinë britanike në fillim të vitit të ardhshëm kur do të shqyrtohet kërkesa e drejtësisë shqiptare që kërkon ekstradimin.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore 17 Dhjetor 2010, përfaqësuesja e shtetit shqiptarë Rachel Scoot dhe John Jones, avokati Kumbaros, i kanë kërkuar bashkarisht, gjykatësit Haward Riddle shtyrjen e seancës ku palët do të paraqesin argumentat dhe kundra argumentat.

“Jemi në pritjeve të zhvillimit të një seance në kolegjet e bashkuara pranë Gjykatës së Lartë në Tiranë për të cilën na është thënë se do të zhvillohet gjatë muajt shkurt”, ka thënë prokurorja Scoot.

Ndërsa avokati Jons, krahas mbështetjes së kësaj kërkese, i kërkoi gjykatësit Riddle lehtësimin e kushteve të lirisë me kusht për ish drejtorin e Drejtorisë së Parë të SHIK-ut për Tiranën, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, përfshi abuzime me detyrën.

Sipas avokatit Johns, është e tepër paraqitja Ilir Kumbaros tre herë në javë në një stacion policie, ndërkohë që ai monitorohen çdo ditë nga një cip elektronik.

Krahas pranimit të kësaj kërkese që Kumbaro të paraqitet vetëm një herë në javë në stacionin e policisë gjykatësi Haward Riddle paralajmëroi palët se pavarësisht zhvillimeve në Tiranë ai është i prirur të shqyrtojë këtë çështje sipas ligjit britanik të ekstradimeve.

Ilir Kumbaro do të paraqitet përsëri përpara kësaj gjykate me 11 shkurt 2011 ku do të vendoset, data finale e zhvillimit të seancës së ekstradimit.

Thursday, 16 December 2010

Vilionistja Dizdari, sukses i pandalshem në Londër

Nga Londra
Muhamed Veliu

Violinistja shqiptare Alda Dizdari po korr sukses me interpretimin e saj në koncertin më të fundit në Hollin Mbretëror të qëndrës kultutore në Southbank të Londrës.

Koncerti titullohej “Brahm’s Univers” ku ajo ka interpretuar të gjitha sonatat nga kompozitori Brahm.

Pas deputimit në sallën prestigjoze të koncerteve Wigmore Hall në Londër në muajin korrik, ky koncert ishte suksesi i radhës për Aldën, duke u vlerësuar maksimalisht nga publiku dhe media.

Alda Dizdari, tashmë është një emër i spikatur në qarqet artistike në Londër falë një talenti të vecantë.

Gjithashtu falë interpretimeve të shkëlqyera ajo ka bërë emër si soliste nëpër skenat botërore ku ka dhënë koncerte si pjesë e orkestrave më me emër në botë. Rruga drej një kariere tashmë të konsoliduar për violinisten shqiptare ka nisur në Shqipëri në moshën 5-vjecare, kur ajo u dashurua pas instrumentit të violinës, më pas në Rumani ku ajo ka kryer universitetin, masterin në Amerikë dhe së fundmi vijimin e studimeve të avancuara për solistikë në Londër .

Sean Rafferty drejtues i emisionit prestigjon “In Tune” në BBC Radio 3 e ka ftuar Alda Dizdarin ne disa emisione live ku ajo ka interpretuar.

“Interpretim i jashtëzakonshëm. Një artiste e shkëlqyer. Një fillim i mbarë për një violinist shqiptare” me këto fjalë Sean Rafferty komenton interpretimin e saj në studion e BBC-Radio 3.

Instrumenti, që përdor zonjusha Dizdari, është një violinë e Gian Battista Ceruti, Cremona prodhuar në vitin 1791, e cila i është dhuruar nga një sponsor privat.

Julian Assange fiton apelin, gjykata i jep liri me kusht

Nga Londra
Muhamed Veliu

Pas një seance gjyqësore dramatike, në Gjykatën e Lartë në Londër të ndjekur nga 200 gazetarë të mediave botërore, shefi Wikileaks Julian Assange ka fituar lirinë me kusht.

Gjykatësi Duncan Ouseley ka kundërshtuar pretendimet e përfaqesueses së Suedisë e cila i tha gjykatës, se nëse Assange fitonte lirinë me kusht, ai do të zhdukej duke mos u paraqitur në gjykatë.

39-vjecari australian, që vazhdon së publikuari kabllogramet e diplomacisë amerikane, do të qëndrojë në një shtëpi në zonën Suffolk, pronë e mikut të tij Von Smith duke u paraqitur cdo ditë ne polici.

Avokatët e zotit Assange kanë depozituar një garanci pasurore prej 240 mijë stërlinash.

Assange i cili kërkohet të ekstradohet në Suedi për dy ngacmime seksuale, ndodhur në muajin gusht 2010, fitoi lirinë me kusht dy ditë më parë nga Gjykata e Ekstradimeve, por përfaqësuesja e Suedisë apeloi.

Të gjitha informacionet e dy ditëve më parë linin të besohej se vendimi për të apeluar lirinë me kusht ishte kërkuar nga Suedia.

Në fakt Suedia nuk e ka kërkuar një gjë të tillë por prokuroria britanike duke hedhur hije dyshimi për një reagim britanik përtej asaj cfarë i është kërkuar nga Suedia.

Më 11 Janar 2011 Julian Assange do të paraqitet përsëri në Gjykatën e Ekstradimeve ku palët do t'i raportojnë gjykatësit progresin e bërë në përgatitjen për seancën finale të ekstradimit.

Tuesday, 14 December 2010

Gjykata londineze liri me kusht Julian Assange, apelon Suedia

Nga salla Nr 1 e gjykates se ekstradimeve ne Londer
Muhamed Veliu

Gjykata londineze e ekstradimeve i ka lejuar Julian Assange lirinë, me kusht pasi miqtë e tij ofruan një garanci pasurore prej 240 mijë stërlinash dhe një adresë ku themeluesi WikiLeaks mund të qëndrojë, por ai nuk e ka fituar menjëherë lirinë pasi përfaqësuesja e Suedisë do ta apelojë dhëninen e lirisë me kusht.

Pas një seance gjyqësore që ka zgjatur 80 minuta gjykatësi Haward Riddle tha se kushtet e reja të paraqitura në aplikimin për liri me kusht, nga avokati Geofrey Robnertson ishin në përputhje me aktin britanik të ekstradimeve.

Krahas garancive pasurore gjykatësi Riddlle tha se Assange duhet të paraqitet çdo ditë në rajonin më të afërt të policisë dhe lëvizjet do t’i monitorohen nëpëmjet një çipi elektronik të vendosur në këmbë.

Von Smith themeluesi “FronTline Club”, në Londër, i tha gjykatës se Assange mund të qëndronte në shtëpinë e tij. Gjithashtu Smith ofroi një garanci pasurore prej 20 mijë stërlinash.

Sara Sander një tjetër mike e Julian Assange vuri në dispozicion të gjykatës shumën prej 150 mijë stërlindash, ndërsa disa persona të tjetër i kanë ofruar gjykatës shumën prej 70 mijë stërlinash.

Julian Assange tek i cili dalloheshin shenja lodhjeje e mirëpriti vendimin duke buzëqeshur, ndërsa nëna e tij prezente në sallën e gjygjit nisi të qajë.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve Assange edhe natën e sotme do ta kalojë në burgun Wandsworth pasi shuma prej 240 mijë stërlinash duhet të depozitohet në gjykatë në formën “cash”.

Jemma Lindsphield përfaqësuese e Suedisë tha se do ta apelojë vendimin e dhënises së lirë me kusht në gjykatët e lartë e cila do ta shqyrtojë apelin pas 48 orëve.

Assange do të paraqitet përsëri në këtë gjykatë me 11 Janar 2011 ku palët do t’i rapotojnë gjykatësit progresin në përgatitjen për gjygjin final të ekstradimit që do të zgjasë dy ditë.

Pak përpara mbërritjes në gjykatë Julian Assange ka patur një bisedë telefonike 10 minutëshe me nënën e tij, zonjën Christine Assange e cila kishte ardhur nga Australia.

Nëpërmjet saj njeriu që turpëroi diplomacinë amerikane, ka drejtuar një mesazh të gjithë mbështetëseve të WikiLeaks.

“Tani të gjithë ne e dimë që kompanitë Visa, Master Cards, Paypal dhe të tjera, janë instrumenta të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I bëjë thirrje të gjithë botës të marrë në mbrojtje punën time, njërëzit e mi nga këto sulme ilegale dhe të pamoralshme”, tha ai.

Assange e mbyll këtë mesazh duke deklaruar se ai i qëndron besnik idealeve tashmë të bëra publike dhe se rrethanat aktuale nuk do t’i lëkundin ato.

“Të gjitha këto sulme nuk kanë bërë gjë tjetër përveç se ka rritur vendosmërinë time”, ka thënë ai.

Monday, 13 December 2010

Daily Express-BE, 8,8 miliard euro ndihme vendeve te Ballkanit

Nga Londra
Muhamed Veliu

E përditshmja britanike “Daily Express” krtitikon ashpër vendet e Bashkimit Europian për ndihmën prej 8,8 miliard eurosh vënë në dispozicion të vëndeve si Shqipëria, që janë ende shumë larg aderimit në familjen Europiane.

Editori politik i kësaj gazete, Macer Hall shkruan se Shqipëria, e zhytur në varfëri, do të përfitojë gjatë pesë viteve të ardhëshme 320 milionë euro, pavarsisht se për momentin nuk po zhvillon negociata për aderim në BE.

“Ti japësh miliona euro vendeve si Serbia dhe Shqipëria për të luftuar korrupsion, ky është një hap shumë i madh nga Bashkimi Europian, që njihet si një organizatë e korruptuar. Është skandaloze t’i jepen këto para Shqipërisë kur me mijëra familje në Britani janë duke vuajtur financiarisht”, ka deklaruar për “Daily Express” eurodeputeti britanik William Dartmouth.

Duke i cilësuar nënpunësit e Brukselit si burokratë, “Daily Express” shkruan se janë miliarada euro të takspagusve që do t’i shkojnë Shqipërisë, Turiqisë, Bosnjës, Malit të Zi, Kroacisë dhe Serbisë, të cilat mund t’i bashkohen BE-së në një kohë ende të paparashikuar.

Skepticizmi i kësaj gazete britanike është legjitim, pasi në të shkuarën historia e financimeve europiane në Shqipëri është e errët.

Pjesën më të madhe të luanit nga këto fonde e marrin po vetë ekspertët e BE-së, që për një ditë këshillim të këtyre projekteve paguhen mijëra euro nën të ashtuquajturën asistencë teknike e projektit.

Një zyrtar i Komisionit Europian ka deklaruar se kjo ndihmë për këto vende ndihmon indirekt Bashkimin Europian.

Saturday, 11 December 2010

Interviste ekskluzive me njeriun qe strehoi Julian Assange ne Londer

Nga Londra
Muhamed Veliu

Dalja e fundit në publik e Julian Assange ishte më 4 nëntor gjatë në konference në Zvicër. Pas kësaj date ai ka qëndruar në Angli në dy adresa të ndryshme njëra prej tyre ndërtesa e “Frontline Club” një vend takim i gazetarëve britanikë dhe atyre ndërkombëtarë.
Njeriu i fundit që ka takuar thelemeluesin e Wikileaks përpara se ai të hynte në stacionin e policisë ishte Vaughan Smith, themeluesi “FrontLine Club”. Korrespondenti i Top Channel e ka takuar ate në sallën e konferencave të Front Line Club nga ku Assange më 26 Korrik anoncoi mekanizmin e lëshit të dokumentave sekrete për luftën në Irak dhe Afganistan. Fillimisht Smith u pyet nëse ai u suprizua që zotit Assange nuk ju lejua liria me kusht.

"U suprizova shumë. Unë isha në të njëjtën makinë nga cila e coi në rajonin e policisë. E rikujtoj momentin kur ai vendosi të hyjë në polici, kur më tha se ishte i bindur që do t'i lejohej liria me kusht. Kjo ishte një nga arsyet përse ai u vetëdorëzua. Nuk arrita ta kuptoj përse gjykatësi nuk e lejoi një gjë të tillë pas vetëdorëzimit", thote Smith.

Front Line club është përshkruar në mediat britanike si “selia sekrete e Assange në zemër të Londrës”.

"Julian Assange e ka përdorur Frontline Club si një bazë të tijën në Londër gjatë 4-5 muajve të fundit. Ai nuk ka qëndruar këtu gjatë të gjithë kohës pasi ka udhëtuar për në Suedi apo vende të tjera por ishte Frontline Club ishte një vend qëndrimi i vazhdueshëm për të. Ai pagoi për dhomën ku qëndronte njësoj në Clubet e tjera. Unë isha shumë i interesuar të kisha këtu një njeri interesant shumë të informuar. Edhe gazetarët antarë të club-it tonë e donin një dicka të tillë. Unë i kam pyetur antarët tanë se cfarë mendonin pasi disa e njihnin disa të tjerë jo. Morëm një përgjigje pozitive nga të gjithë ata", shton Smith.

Voughan Smith beson se akuzat për ngacmim seksual nuk qëndrojnë.

"Unë nuk i besoj ato por natyrisht tani kemi të bëjmë me procedura ligjore. Kam biseduar me pesë gazetarë të cilët i kanë investiguar këto akuza. Cdonjëri prej tyre më ka pohuar se ato nuk qëndrojnë sipas pikëpamjes së tyre. Jam shumë rretha dyshues rreth tyre. Fillimisht ai u akuzua dhe më pas ato u rrëzuan nga një prokuror që tha se akuzat nuk qëndronin. Provat ishin të pa mjaftushme. Ai pyeti që mund të largohej nga Suedia pasi qëndroi atje për 40 ditë. Ata kishin kohën e mjaftushme për t'u marrë me këtë cështje. Kur u rikthye në Londër papritur akuzat u ringritën. Unë besoj se një presioni është ushtruar. Këto që them janë bazuar në thëniet e gazetarëve që unë kam biseduar të cilët kanë investiguar këtë cështje", tha Smith.

Sipas Voughan Smith një ish-kameraman në Afganistani ne dhe Kosovë Wikileaks nuk ka shkaktuar dëm ne jetën e njerëzve sic pretendon Amerika.

"Nuk besoj në një gjë të tillë. është e vështirë të thuash se cfarë mund të ketë ndodhur pas këtyre publikimeve. Ne duhet të presim të paktën pesë vjet dhe të shikojmë. Duhet të kuptojmë. Nuk është WikiLeaks që direkt po bën shpërndarjen. WikiLeaks është duke bashkëpunuar me pesë gazetat më të mëdha në botë, të cilat janë duke bërë redaktimet e nevojshme duke fshirë emrat. Eshtë gabim të fokusohemi vetëm tek Wikileaks dhe harruar faktin që dokumentat po kalojnë nëpër kanalet mediatike. Unë jam shumë i qetë me këtë aspekt", shton Smith.

I pyetur nese zoti Smith beson se me 14 dhjetori Assange do t'i lejohet liria me kusht, ai u pergjigj:

"Shpresoj shumë. Për mua do të jetë një tronditje nëse nuk rifiton lirinë me kusht. Një prej shumë gjërave që më shqetëson është ajo që më është thënë nga avokatët e tij të cilët e kanë të vështirë të takojnë dikë që është në burg . Ata kanë vetëm dy orë kohë për ta takuar dhe bashkëbiseduar nga ku mund të ndërtojnë një stategji, një marrëdhënie me klientin që duhet për ta mbrojtur atë sa më shumë që të jetë e mundur. Nuk është aspak një gjë e mire të jesh në të tilla pozita. Kjo është me të vërtetë për t'u shqetësuar".

Më shumë se një ekstradim i Assange në Amerinë për zotin Smith do të kishte vlerë gjetja e një kontrolli më të mirë të internetit.

"Nuk e di nëse ndonjëherë ata do t'ia arrijnë ta ekstradojnë. Mbase ata do të ndryshojë ndonjë ligj kjo nuk do të jetë e drejtë. Shumë njerëz do të mërziten nga një veprim i tillë. Që tani shumë njerëz në Angli janë të shqetësuar. Nëse ai shkon në burgjet amerikane shumë e shumë njerëz do të mërziten. Kjo nuk do të jetë një dicka këndshme. Më mirë le të punohet se si në këtë botë moderne duhet të sillen me WikiLeaks, me internetin për ta kontolluar me mënyra të reja dhe jo arrestuar një njeri që quhet Julian Assange", tha Smith.

Pavarisht deëshirës prej një miku të Assange që ta shikojë atë të lirë , Von Smith e ka mëse të qartë se beteja SHBA kundra Assange do të jetë e gjatë dhe e vështirë.

“FT”, analizë për zgjedhjet në Kosovë

Nga Londra
Muhamed Veliu

Prestigjozja britanike “Financial Times” i ka kushtuar një analizë të ngjatë zgjedhjeve të së djelës në Kosovë, me titull “Sondazhet në Kosovë tregojnë rritje të partive të reja”. Albin Kurti, lideri partisë Vetëvendosja, gjithmonë nëpër protesta merr me vete një libër për ta lexuar më vonë nëpër qelitë e policisë.

Kështu e nis analizën “FT”, duke përshkruar profilin dhe ngjarjet që kanë patur si protagonist Kurtin, i cili nga udhëheqës i një levizjeje studentore, tani ndodhet në potizat e një politikani me prominencë.

“Të djelën shteti më i ri i Ballkanit zhvillon zgjedhjet e para që nga shpallja e pavarsisë”, shkruhet në vijim të artikullit, ku nënvizohet fakti se, “grupimi zotit Kurti, së bashku me partitë e reja të cilat kanë një platformë elektorale të pëlqyshme, mund të luajnë një rol në përcaktimin e koalicionit të ardhshëm”.

Duke analizuar rolin e liderëve serbë pro-europianë, “FT” vëren se ata janë duke bashkëpunuar, por këto zgjedhje në Kosovë ngrenë pyetjen se, cili do të jetë qëndrimi qeverisë së ardhëshme të Kosovës pasi shumica e shqiptarëve etnikë i shikojnë negociatat si të pakuptimta, ose të dëmshme.

“FT” për Partinë Demokratike të Hashim Thacit parashikon një garë të ngushtë elektorale përballë ish-partisë partnere në koalicion, LDK-së.

Artikulli vazhdon duke cituar analistë kosovarë të cilët mendojnë se partitë e reja kanë mobilizuar ata që votojnë për herë të parë, duke i larguar ata nga suporti për zotin Thaci.

Duke cituar themeluesin e partisë Fryma e Re, Shpend Ahmeti, kjo gazetë shkruan se qeveria ka dështuar në kryerjen e reformave të parashtruara nga Bashkimi Europian.

“FT” e ka cilësuar ish-koalicionin e mëparshëm qeveritar si “të cuditshëm”, me përbërje nga ish-ushtarët e UCK-së dhe pjesa tjetër akademikët e paraluftës që dështuan në sjelljen e investitorëve të huaj, gjë e cila do të shërbente në uljen e papunësisë që është 40%.

Artikulli mbyllet duke iu referuar sondazheve të cilat nxjerrin si parti të tretë forcën politike të Albin Kurtit me 20%, i cili ka shprehur qëndirimin e tij se një koalicion me PDK-në e Thacit apo me LDK-në e Mustafës është gati i pamundur për momentin.

Thursday, 9 December 2010

Mirësevini në bunkerin "Assange"!

Nga Londra
Muhamed Veliu

Sikurse vetë jeta e mistershme e Julian Assange bosit të WikiLeaks, po aq i mistershëm mbetej edhe bunkeri ku ai ka të fshehura 251000 kabllogramet amerikane.

Mediat britanike kanë mungur së sigurojnë foto në brendësi të bunkerit nga ku ka nisur shpërndarja e dokumentave sekrete të cilat kanë shkaktuar një tronditje botërore.

I ngjashëm me skenat e filmit Agjenti 007 bunkeri quhet “Pionen data Centre” i ndërtuar 100 mentra nën tonë.

Gjatë luftës së ftohtë bunkeri nuklear është përdorur për qëllime ushtarake ndërsa sot në mënyrë po aq paradoksale po përdoret nga Julian Assange si qendra e një lufte tejet të vecantë në llojin e saj.

Vendodhja e tij ndodhet në parkun Vita Berg, në afërsi të kryeqytetit suedez Stokholm.

Bunkeri që mban sekretet amerikane tashmë të poseduara nga Assange dhe organizata ëikileaks është rihapur në vitin 2008.

Ndërtimi këtij bunkeri mban firmën e arkitektit suedez Albert France-Lanord, i cili e mori inspirimin për ta projektuar atë nga skenat e filmit Agjenti 007.

Eshtë ende e paqartë se si Assange mundi të marrë në përdorim shërbimet që ofron “Pionen data Centre” ku ai ka ruajtur materialet e përfituara nga një burim, që nuk pranoi ta bëjë publik, por që besohet të jetë ushtari amerikan Brandley Manning.

Kush e mbron Julian Assange?

Nga Londra
Muhamed Veliu

Julian Assange, themeluesi i WikiLeaks ka kaluar 48 orët e para në qelitë e burgut Wandsworth në Londër. Mbrapa tij qëndron një ekip mbrojtës me avokatë anglez, të cilët po tentojnë bllokimin e ekstradimit.

Por cilët janë juristët që kanë marrë përsipër një mision të vështirë sic mund të jetë mbrojtja e njeriut që iu kundërvu në mënyrën më të ashpër një superfuqie botërore sic janë SHBA.

Në krye të ekipit mbrojtës në Londër qëndron Mark Stephens një avokat me eksperiencë të gjatë i përkushtuar cështjeve të medias.

Stephens është pjesa e dukshme e përfaqësimit ligjor falë një mori deklaratash në media ku ai e ka cilësuar kërkesën e ekstradimit të Assange si “të motivuar politikisht” ndërsa drejtësinë suedeze e ka akuzuar “si orkestruese të një procesi gjyqësor që do t'i përngjajë një show.”

Barrën më të rëndë në prezantimin e mbrojtjes në gjykatë, e mban baristeri John Jones një jurist lider në fushën e ekstradimeve në Britaninë e Madhe përfshi cështjet e terrorizmin.

CV-ja e tij përmban një sëre cështjes të profilit të lartë sic janë marrja në mbrojtje e Naser Orić dhe Rasim Delić që të dy, komandante lufte gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.

NE CV përfshihet edhe mbrojtja e Ejup Ganic ish- presidentit së Federatës së Bosnjë Hercegovinës duke mundur bllokimin e ekstradimit nga Londra për në Serbi si të motivuar politikisht.

Juristi John Jones që prej 10 Shtatorit 2008 ka marrë në mbrojtje edhe ish SHIK-asin Ilir Kumbaron, ndërsa në vitin 2007 Vullnet Mucellin i kërkuar për t'u ekstraduar në Francë dhe Shqipëri.

Për zotin Johnes ky proces ekstradimi padyshim është një prej sfidave më të mëdha profesionale.

Atij do t'i duhet përsëri t'i argumentojë gjykatës javën e ardhshme kërkesën e lirimit me kusht për Assange.

Në krah të ekipit mbrojtës së Julian Assange janë edhe zonja Jemima Khan një aktiviste e të drejtave të njeriut ish e dashura e yllit të kinemasë britanike, Hugh Grant.

Ken Loach një regjisor i njohur britanik është një tjetër përkrahës.

Gazetari John Pilger një prej legjendave të gazetarisë britanike, mik i shefit të Wikileaks, është një tjetër përkrahës i Assange i cili së bashku me Khan dhe Loach vunë në dispozicion të gjykatës një garanci pasurore prej 180,000 stërlinash.

Prezenca e tyre në gjykatë më 14 Dhjetor duket se do të jetë e paevitueshme duke ofruar përsëri këtë garanci pasurore njëkohësisht duke i shtuar këtij procesi atë që është cilësuar si “Celebrity-Factor”.

Wednesday, 8 December 2010

Assange nën akuzë "bëri seks pa prezervativë"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Pas vetëdorëzimit në polici të themeluesit të Wilileaks, Julian Assange dhe refuzimit të lirisë me kusht kundrejt një garancie pasurore prej 180 mijë stërlinash, pyetja e parë që ngrihet është nëse ai do të ekstradohet në Suedi.

Përpara se kjo pyetje të marrë përgjigje duhet të analizohet e gjithë procedura e ekstrdamit duke nisur nga shpjegimi se cfarë është Mandati Europian i Arresit, që në gjuhën ligjore njihet si “European Arrest Warant”.

Mandati Europian i Arresit është i vlefshëm për të gjitha vendet e BE-së për cështje të karaktetit kriminal.

Me t'u lëshuar prej njërit shtet në mënyrë automatike të gjitha shtetet e tjera nisin zbatimin duke arrestuar personin e kërkuar në territorin e tyre.

Katër janë cështjet e parashtruara në mandatin e firmosur nga prokuroria suedeze ndaj të cilave kërkohet marrja në pyetje në polici i Julien Assange.

Së pari ngacmim seksual të viktimës A ndodhur më 14 Gusht 2010 në Stokholm.

Së dyti marredhënie seksuale më dëshirë por duke kundërshtuar përdorimin e prezervativit.

Së treti është përsëri viktima A që thotë se Assange më 18 Gusht 2010 e ka ngacmuar atë seksualisht.

Akuza e katërt vjen nga viktima B, e cila pretendon, se kur ajo po flinte Assange ka krye marredhënie seksuale pa kondom, kundra dëshirës së saj që cilësohet si përdhunim.

Mandati Europian i Arresit është vlerësuar nga gjykatësi Haward Riddle në përputhje me aktin britanik të ekstradimeve duke ja kaluar të gjithë betejën ligjore ekipit mbrojtës së Assange.

Ata duhet të provojnë që kërkesa e ekstradimit është e motivuar politikisht që për momentin përballë kërkesës suedeze nuk ka asnjë element politik.

Thënë ndryshe probabiliteti i përfundimit të procesit, në favour të shtetit suedez është shumë i lartë.

Nëse Assange ekstradohet në Suedi do të përballet me një hetim, nga ku mund të ngrihen edhe akuza duke e cuar cështjen në gjykatë.

Ateherë, nëse ai do të shpallet fajtor në të gjitha shkallët e gjyqësorit suedez, bosit të Wikiliks do t'i duhet të shpenzojë disa vite në burg.

Por a do të ndihmonte një zhvillim i tillë në nisjen e shumëdëshiruar nga amerikanët, të procedurave të ekstradimit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Nga pikepamja ligjore duket shumë e vështirë.

E vetmja akuzë që prokurorët amerikanë mund të ngejnë për Assange është spiunazhi.

Suedia dhe Amerika kanë një marreveshje ekstradimi por në të nuk përfshihet spiunazhi që do të thotë një avantazh për Assange.

E gjitha kjo do të jetë një betejë e gjatë dhe e vështirë ligjore që nisi dje në Londër për të përfunduar me 14 Dhjetor, nëse gjykata do të mund të marrë një vendim duke vijuar në Suedi, me aktin final të një ekstradimi të mundshëm në Amerikë.

Tuesday, 7 December 2010

Assange humb lirinë me kusht

Nga gjykata ekstradimeve "City of Westminster Magistrates Court"
Muhamed Veliu

Julian Assange themelusei WikiLeaks ka humbur lirinë duke u izuluar në një burg londinez, por jo mundësinë e vazhdimit së publikuari të dokumentave sekrete të dipllomacisë amerikane.


Gjatë seancës së parë të ekstradimit gjykatësi Haward Riddle ka refuzuar ta lirojë zotin Assange me kusht pavarësisht se pesë prej miqve të tij ofruan një garanci pasurore prej 100 mijë stërlinash.

Që në filim të seancës gjyqësore Julian Assange i veshur me një kostum blu të errët dhe këmishë të bardhë, i zbehur në fytyrë, por i qetë, ka refuzuar ekstradimin për në Suedi ku kërkohet të merret në pyetje pasi është akuzuar nga dy gra për pëdhunim dhe ngacmim seksual.

Gemma Lindfield përfaqësuese e drejtësisë suedeze për herë të parë ka treguar detajet e fletëarrestit, por jo emrat e dy grave akuzuese të Assange të cilat janë nga Stokholmi.

Jon Jones avakati mbrojës i Assange, i cili mbron edhe ish SHIK-asin Ilir Kumbaro, propozoi që klienti i tij ta ndjekë proçesin e ekstradimit në liri me kusht.

Gjykatësi Haward Riddle e refuzoi kërkesën duke e argumentuar me faktin se Assange nuk ka një adresë fikse në Angli përfshi mospasjen e informacionit se kur dhe në cilën pikë kufitare ai ka hyrë në Britaninë e Madhe.

Gjithashtu gjykatësi Riddle tha se nëse ai do t’i garantonte Assange një liri me kusht i frikësohej mosparaqitjes në gjykatë.

Seanca e ardhshme do të jetë më 14 dhjetor ku palës mbrojtëse do t’i duhet të argumentojë përse Assange nuk pranon të shkojë në Suedi për t’u pyetur nga hetuesit e atjeshëm në lidhje me akuzat të cilat ai i ka mohuar.

Assange do të arrestohej mëngjesin e së martës, kur sëbashku me avokatët ai u paraqitën vullnetarisht në një stacion policie pasi ishin njoftuar se ndaj tij kishte mbërritur një fletë arresti ndërkombëtar.

Kryeministria britanike dhe Downing Street e ka komentuar arrestin si “tërësisht një çështje të policisë”, ndërsa sekretari amerikan i mbrojtjes Robert Gates tha se “zhvillimet në Londër ishin një lajm i mirë”.

Izolimi Julian Assange në një burg londinez pritet të provokojë një valë publikimesh të reja, ku siç është premtuar nga WikiLeaks do të shpërndahen dokumenta të paçesuruara me emra diplomatësh apo agjentësh amerikanë.

Monday, 29 November 2010

28-29- Nëntori mungojnë fondet, s’ka pritje zyrtare në Londër

Hera e parë që nga viti 1991 kur është rihapur ambasada shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar që nuk organizohet një pritje zyrtare.

Nga Londra
Muhamed Veliu

Shkurtimet në buxhetet e ministrive të urdhëruara nga ministri financave Ridvan Bode apo deklaratat e kryeministrit Berisha “për një qeveri në dietë” e kanë patur efektin e tyre mijëra kilometra larg Shqipërisë.
Pritja zyrtare tradicionale, për kremtimin e festave kombetarë të 28 dhe 29 Nëntorit, këtë vit nuk është organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Londër.
Shkaku mosorganizimit ishte mungesa e një fondi që MPJ-a duhet t'i akordonte për këtë qëllim kësaj ambasade.
Është hera e parë që nga viti 1991 kur është rihapur ambasada shqiptare në Londër që nuk organizohet një pritje zyrtare.
Një ngjarje e tillë padyshim që ul prestigjin e përfaqësimit të shtetit shqiptarë në një prej kryeqyteteve më të rëndësishme në botë sic është Londra.
Mosdhënia e fondeve për pritjen zyrtare në Londër është një viktimizim i hapur që i bëhet ambasadës shqiptare në Londër, njëkohësisht komunitetit shqiptarë të këtushëm, pasi në vendet fqinjë me Anglinë si Franca apo Belgjika janë zhvilluar pritje zyrtare nëpër ambasada.
Përgjegjësia dhe turpi bie mbi qeverinë shqiptare e cila vitin e fundit ka organizuar disa koncerte festive me vlerë miliona Euro, ku këngëtarët vetëm për të luajtur buzët duke kënduar me playback janë paguar nga 2 deri 3 mijë Euro secili.
Megjithatë shoqatat e emigrantëve në c’do cep të Anglisë, janë mbeldhur duke festuar me plot dinjitet, ditën e shpalljes së pavarsisë duke i dhënë një leksion të mirë qeverisë shqiptare e cila nuk ka 5 mije euro fond për organizmin zyrtar të pritjes nga ambasada në Mbretërinë e Bashkuar.

Thursday, 18 November 2010

Angli-celulari tradheton fierakun "wanted"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Telefoni celular ka tradhëtur një vrasës nga Fieri i cili fshihej në Angli dhe kërkohej nga drejtësia shqiptare. Lulzim Haxhi Hoxhaj është arrestuar në qytetin e Newcastle në Anglinë Veriore pas 13 vjet fshehje.

Ai kërkohet të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata me 22 vite burg për vrasjen e Eduart Hoxhës dhe plagosjen e dy personave të tjerë me armë zjarri e tipit kallashnikov, ndodhur në vitin 1997.

Një zëdhënëse e Scotland Yard tha se Hoxhaj në Angli përdorte identitet të rremë me emrin Idriz Dervishaj, i datëlindjes 15 Shkurt 1966.

Agjentët e zyrës së Interpol Tiranës në bashkëpunim me policinë e Fierit fillimisht kanë mundur të identifikojnë numrin e telefonit celular nëpëermjet të cilit ai telefononte familjarët.

Numri i identifikuar së bashku me materialet përkatëse i kanë kaluar oficerëve të skuadrës së ekstradimeve në Scotland Yard të cilët nëpërmjet kompanive celulare në Angli kanë zbuluar banesën ku ai jetonte duke e arrestuar.

Hoxhaj ka dalë përpara gjykatës në Londër ku do të zhvillohen seancat e ekstradimit. Në këtë gjykatë janë në procesh shqyrtimi edhe katër kërkesa të tjera të shtetit shqiptarë.

Gjatë pesë viteve të fundit 14 është numri personave të ekstraduar për në Shqipëri nga Anglia ndërsa rastet kur ekstradimi ka dështuar janë 5.

Duke tentuar bllokimin e ekstradimit në Gjykatën e Apelit në Londër janë dy shtetas shqiptarë, pasi është lejuar ekstradimi i tyre.

Policia shqiptare beson se 80 shtetas shqiptarë shumica të kërkuar për krimin e vrasjes fshihen në Britaninë e Madhe.

Tuesday, 16 November 2010

Dasma e princit William me Kate Middleton, vitin e ardhshëm

Nga Londra
Muhamed Veliu


Marrin fund të gjitha spekulimet se kur Princi William do të martohet me të dashurën e tij Kate Middleton.Clarence House, selia e Princit të Uellsit babait të Princit William paraditen e sotme ka shpërndarë lajmin se cifti do të martohet vitin e ardhshëm.

Princi i Wales është i lumtur të anoncojë lajmim e martesës mes princit William dhe zonjushës Catherine Middleton” thuhet në njoftimin për shtyp.

Dasma do të zhvillohet në Londër gjatë pranverës së vitit të ardhshëm.

Princi William kandidati kryesor për të udhëhequr monarkinë britanike pas një lidhje disa vjecare u fejua me Kate Middleton në muajin tetor gjatë kohës kur ata ishin me pushime në Kenia.

Ai ka njoftuar gjyshen, Mbretëreshën Elisabeta II për martesësn pasi ka marrë pëlqimin e babait të vajzës.

Pas martesës cifti do jetojë në veri të Uellsit ku princi William do të vazhdojë së shërbyeri në “Forcën Ajrore Mbretërore".

Zonjusha Middleton pas martesës do të marrë titullin e princeshës.

Menjëherë pas bërjes publik të këtij lajmi kryeministri David Cameron ka uruar ciftin.

Kate Middleton është 27 vjece. Ajo ka lindur në zonën Berkshire dhe vjen nga një familje e rangut të mesëm

Me princin William ajo do niste historinë e dashurisë në vitin 2001 kur ata studionin së bashku në universitetin St Andreës.

Dasma pritet të tërheqë një vëmendje të madhe të medias botërore të njëjtë me atë të martes së nënës së tij Princeshës Diana, e cila u nda nga jeta gjatë një aksidenti në Francë

Miliarderi rus inkurajon gazetarinë investigative

Nga Londra
Muhamed Veliu

Alexander Lebedev botues i tre gazetave në Londër dhe një tjetre në Rusi do të financojë nëpërmjet një fondi të veçantë të gjithë ata gazetarë në të gjithë botën që ushtrojnë gazetarinë investigative.

Qëllimi i kësaj nisme në partneritet me ish-presidentin rus Mikhail Gorbachev ka si qëllim inkurajimin e këtij zhanri gazetarie për të ekspozuar korrupsion.

Lebedev ish-agjent i KGB-së në Londër, tani një biznesmen i fuqishëm i përfshirë edhe në botën e medias, thotë se kjo iniciativë do të ndihmojë në bërjen publike të rasteve korruptive në nivel global.

Duke paraqitur këtë projekt zoti Lebedev ka treguar se ky fond prej qindra mijëra dollarë, ka si qëllim të ndihmojë gazetarinë investigative në të gjithë botën duke dhënë grante dhe çmime.

Gjatë një sesioni me pyetje përgjigje në konferencën e prodhuesve të medias britanike në Gllasgou, Lebedev u tha delegatëve se ai beson që korrupsioni global është i shpërndarë në të gjitha institucionet financiare duke u kthyer në një çështje ndërkombëtare

Për ta ilustruar këtë Lebedev tha se çdo vit në Rusi jepen 300 miliard dollarë në formë rryshfeti.

“Të kesh mundësi raportimi se çfarë ndodh në korridoret e fuqishme të politikës, në fushën e betejës, mbrapa dyerve të mbyllura janë principe të panegociueshme të gazetarisë, me qëllimin final për t’i vënë të korruptuarit përpara përgjegjësive që të kryejnë akte pozitive për shoqërinë dhe njerëzit” , me këto fjalë Lebedev e ka përfunduar fjalën e tij e cila është mirëpritur nga drejtuesit e medias në Britani.

Monday, 15 November 2010

Ish-diplomati britanik në Tiranë,përpara gjykates në Londër, i akuzuar për shpërdorim të qëllimshëm detyre

Nga Londra
Muhamed Veliu

Një ish-diplomat që ka shërbyer në Ambasadën Britanike në Tiranë ka dalë përpara një gjykate në Londër, i akuzuar për shpërdorim të qëllimshëm detyre, gjatë shqyrtimit të aplikimeve për viza pune.

Shkeljet u zbuluan nga një kontroll i brendshëm i Ambasadës Britanike pas marrjes së informacionit se një punonjës abuzonte me detyrën.

“Mark Griffith 44 vjeç me dashje ka neglizhuar kryerjen e detyrës si oficer intervistues i emigracionit, gjatë kohës kur ai punonte në seksionin e vizave të Ambasadës Britanike në Tiranë”, shkruhet në aktakuzë.

Pas një hetimi disa mujor, prokurorët britanikë në aktakuzën e ngritur thonë se Griffith me dashje neglizhoi detyrën e shqyrtimit të aplikimeve gjatë një periudhe 18 mujore.

Ish-diplomati ka lëshuar viza duke shkelur proçedurën e lëshimit të tyre. Nuk është ende e qartë nëse zoti Griffith apo persona të tjerë kanë përfituar financiarisht nga shkeljet në lëshimin e vizave jashtë standarteve të parashikuara nga ligji anglez i emigracionit.

Së bashku me ish-punonjësin e Ambasadës Britanike si i bashkëakuzuar është edhe 39 vjeçari Samuel Fongho.

Të dy akuzuarit gjatë seancës preliminare në gjykatën e krimeve “Southwark Crown Court” në Londër i kanë mohuar akuzat.

Ndaj Mark Griffith me origjinë nga qyteti Norwich, rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës në një zyrë shtetërore gjatë periudhës 1 Dhjetor 2005 deri më 1 Maj 2007.

Samuel Fongho banues në zonën Middlesex në Londër, akuzohet për këshillim dhe prokurim, që çuan në neglizhimin e detyrës nga zoti Griffith. Fongho akuzohet edhe për konspiracion në përdorimin e instrumentave të falsifikuar.

Ai nuk është diplomat, por punon si menaxher i një kolegji dhe agjencie punësimi në Londër.

Gjykatësi John Price vendosi datën 6 Qershor 2011 për të zhvilluar proçesin gjyqësor që parashikohet të zgjasë katër deri në gjashtë javë.

Ministria e punëve të jashtëme britanike “Foreign Office” nëpërmjet zëdhënes së saj nuk ka pranuar të komentojë rreth këtij rasti, por ka konfirmuar se Mark Griffith ishte një diplomat i cili merrej me shqyrtimin e vizave të punës duke shërbyer në këtë detyrë prej Gushtit 2005 deri në Maj 2007, kur ai është larguar nga puna pas një hetimi të brendshëm.

Friday, 12 November 2010

Irlandë, Gjykata pafajësi agresorit VIP të shqiptarit

Nga Londra
Muhamed Veliu

Shpeshherë në Britaninë e Madhe përballja e personave publik me drejtësinë kthehet në temë debatesh për dënimet minimale apo mosdënimit prej gjykatave.

I tillë është edhe rasti i ish-kampionit të botës në boks, irlandezit Steve Collins, i cili goditi me grusht një emigrant shqiptar në Irlandë, duke i thyer tre dhëmbë.

Gjykata kriminale në Dublin e ka shpallur të pafajshëm për të dytën herë Collins, i cili akuzohej për dëmtime të rrezikshme trupore ndaj Adriatik Vodës.

I janë dashur vetëm 35 minuta kohë jurisë për të vendosur për pafajsinë e ish-boksierit të dhunshëm, duke vënë në pikëpyetje nëse ky ishte një vendim i drejtë që duhej marrë.

Steve Collins në vitin 2006 tentoi të hynte në stadiumin nacional në zonën VIP, ku do të komentonte një ndeshje boksi në televizionin RTE, pa patur të varur në qafë baxhën identifikuese.

Emigranti shqiptar që punonte si roje sigurie i ka ndaluar hyrjen duke zbatuar detyrën. “A e dini se kush jam? Keni vetëm 2 sekonda kohë”, ka thënë Collins.

Më pas kur është ndeshur me kundërshtinë e Adriatik Vodës e ka goditur me grusht duke e rrëzuar në tokë.

“Në momentin kur më goditi përjetova një shok elektrik”, ka deklaruar shqiptari në gjykatë.

Pavarësisht se ai po kryente punët si roje sigurie në përputhje me instruksionet e marra, pavarësisht se u godit në krye të detyrës, agresori i tij ka lënë ambientet e gjykatës duke u shpallur i pafajshëm.

Kësaj here gjykata irlandeze nuk dha drejtësi pasi viktima ishte shqiptar, por u vendos në krah të personit që e goditi, i cili ishte një person publik, duke rihapur debatin në Britaninë e Madhe se statusi i personit VIP kthehet në mburojë për cdo prapësi që ata mund të bëjnë

Britani, asistencë sociale me punë vullnetare

Britani, asistencë sociale me punë vullnetare

Nga Londra
Muhamed Veliu

Qeveria britanike e kryeministrit David Cameron ka anoncuar një sërë masash që kanë si qëllim inkurajimin drejt punësimit të personave të papunë të cilët e kanë mbështetur jetesën në asistencën sociale.

Refuzimi i punës së dhënë nga qendrat e punës “Job Centres” do të thotë ndërprerje e asistencës sociale për tre muaj. Nëse kjo përsëritet për të dytën herë paratë e asistencës ndërpriten për 6 muaj. E nëse e njëjta gjë përsëritet për të tretën herë atëherë asistenca sociale hiqet për tre vjet.

Gjithashtu asistenca do t’u ndërpritet edhe atyre të cilët refuzojnë të kryejnë punë vullnetare në komunitet që ka si qëllim edukimin e personave të cilët për shume vite jetotojnë me ato pak para të dhëna nga shteti.
Në punën vullnetare parashikohet pastrimi i rrugëve, grumbullimi i mbeturinave, rregullimi i parqeve apo pastrimi i mureve të mbushura me grafite.

Sipas statisikave 1,5 milion persona në Britaninë e Madhe jetojnë me 64 stërlina në javë të dhëna nga shteti.

Kryeministri David Cameron tha se këto masa do të detyrojnë heqjen dorë nga ndihmat sociale të atyre mijëra personave të cilët jetojnë nga taksat e paguara nga ata mijëra të tjerë që janë në marrëdhënie pune.

“Mesazhi është mëse i qartë. Nëse ekzistojnë mundësitë e punësimit atëherë opsioni i të jetuarit me asistencë sociale nuk është më një opsion” ka theksuar Cameron.

Këto masa janë cilësuar si më të ashprat në sistemin e ndihmave sociale të cilat prekin edhe mijëra emigrantë shqiptarë me të drejtë qëndrimi në Britani të cilët janë të papunë.

Wednesday, 10 November 2010

Shqipëria dhe Kosova, në panairin e boteror te turizmit ne Londer

Nga Londra
Muhamed Veliu

Qendra 'Exel' në Londër ka hapur dyert për panairin e përvitshëm i turizmit “World Travel Market”, i dyti më i madhi i këtij lloji në botë pas atij të Berlinit, ku marrin pjesë edhe Shqipëria me Kosovën.

Në katër ditët e panairit brenda 90 mijë metrave katrorë të qendres 45 mijë pjesmarrës nga më shume se 180 vende nga e gjithë bota shpalosin të gjitha ofertat e tyre turistike, në një kohë kur kriza ekonomike globale e ka prekur edhe këtë industri që vlen miliona dollarë.

Eshtë viti i pestë që edhe Shqipëria është pjesë e këtij panairi, duke u përfaqësuar me operatorë privatë,hotele dhe disa bashki në stendën e krijuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit.

Stenda e Shqipërisë ka tërhequr më shumë vëmendjen e vizitorëve për turizmin kulturor sidomos në zonat arkeologjike.

Panairi ndiqet nga 2500 gazetarë të akredituar. Programet për turizimin në televizonet Euronews, CNN dhe BBC kanë treguar interes per pavionin e Shqipërisë duke intervistuar zëvëndësministrin e Rinisë Kulturës, Sporteve dhe Turizmit zotin Nikolle Lesi, i pranishëm në panair.

I pyetur nga Top Channel se cfarë synohet të arrihet me pjesëmarrjen në panair, Lesi tha se "Shqipëria është këtu për t'i thënë të gjithë vendeve të botës se është një treg i shkëlyqer për turistët të huaj, të cilët duhet ta vizitojnë menjeherë".

Sipas Lesit, turizmi në Shqipëri nuk është vetëm veror, por në të gjithë stinët, pasi zotërojmë vende të jashtëzakonshme me trashëgimi kulturore.

Eshtë viti i dytë që edhe Kosova vjen në këtë panair me një stendë të ideuar për të përcuar mesazhin e shtetit më i ri në Europë, jo vetëm kaq por edhe se cfarë ofron në turizëm.

"Duhet të mbështetemi ne ato që kemi, në aspektin e trashegimisë kulturore dhe natyrore", tha Njazi Shala, drejtor i Departamentit të Turizmit në Kosovë.

Pas disa artikujve pozitivë në mediat botërore,më i fundit ai i dy ditëve më parë në revistën 'Lonely Planet', pjesëmarrja në këtë panair është një tjetër mundësi e artë promovimi për të treguar se Shqipëria nuk ofron vetëm diell, det dhe rërë por akoma edhe më shumë.

Emigrantët kosovarë do të votojnë

Nga Londra
Muhamed Veliu

Ndryshe nga emigrantët shqiptarë që nuk kanë të drejtë vote, qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në perëndim do të kenë mundësi votimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme më 12 dhjetor.

Ambasada e Kosovës në Britaninë e Madhe ka nisur një fushatë të gjerë sensibilizuese në mënyrë që shtetasit e Kosovës sic edhe e parashikon ligji i zgjedhjeve fillimisht të regjistrohen për të votuar.

Muhamet Hamiti, ambasador i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar shpjegon rëndësinë e të votuarit nga emigrantët, pasi sipas tij këto janë zgjedhjet e para të përgjithshme që organizohen në Kosovën e pavarur.

"Republika jonë, - thotë ambasadori Hamiti, - si çdo demokraci, ka nevojë për rinovim të pushtetit në cikle të caktuara kohore. Zgjedhjet e mundësojnë këtë. Kosova e do vullnetin demokratik e të gjithë shtetasve të vet, pa marrë parasysh a jetojnë aktualisht brenda apo jashtë atdheut.”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur si afat aplikimi për t'u regjistruar përmes postës datën 16 nëntor.

Hap i parë është rregjistrimi duke plotësuar “Formularin e rregjistrimit dhe aplikimit për votim jashtë Kosove” që mund të shkarkohet nga faqja online, e Komisionit Qëndror të zgjedhjeve apo të tërhiqet në ambientet e ambasadës së Kosovës në Londër.

Formulari i postohet ose dërgohet me fax, Komisionit Qëndror i cili pasi verifikon vlefshmërinë e aplikantit dërgon me postë fletën e votimit tek adresa që aplikanti ka shënuar në formular.

Kushtet për t'u përfshirë në votimin me postë janë:

Mosha 18 vjec.

Regjistrim në Regjistrin Civil të Kosovës dhe UNMIK-ut.

Posedimi dokumentin të Identifikimit të Kosovës ose të UNMIK-ut (ose pasaportën), apo ndonjë dokument tjetër që vërteton se janë shtetas i Kosovës.

Shetasit që kanë vetëm si dokument identifikimi pasaportën britanike , atëherë kanë të drejtë aplikimi nëse në pasaportë shënohet se vendlindja është në Kosovë.

Tuesday, 9 November 2010

Media britanike komenton liberalizimin e vizave

Media britanike komenton liberalizimin e vizave

Nga Londra
Muhamed Veliu

Pamvarsisht se Anglia dhe Irlanda nuk janë në zonën Shengen, mediat britanike e kanë pasqyruar vendimin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën në dy këndvështrime të ndryshme.
Prestigjozja Financial Times publikon detajet teknike të marrveshjes duke e ilustruar shkrimin me një foto nga festimet në Tiranë.
“Marrveshja vjen si një shpërblim për të inkurajuar akoma më shumë reformat demokratike në të dy këto vënde, një vit pas liberalizimit të vizave me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi” shkruan FT.
Në vijim të artikullit theksohet se Shqipëria dhe Bosnja janë paralajmëruar se do të ndërshkohen rëndë, nëse kjo marrveshje do të përdoret për cështje azili, në vëndet e zonës Shengen.
Ndërsa gazeta Express që shquhet për artikujt me karakter racist kundra të huajve, e komenton liberalizimin e vizave si një veprim që mund të shkaktojë, një valë emigracioni klandestin drejt Britanisë.
Express shkruan se emigrantë përfshi njerëz të botës së krimit, do të futen fshehurazi në Britaninë e Madhe tani që ata kanë mundësi të udhëtojnë në të gjithë Europën ku nuk ka pika kufitare.
Gerard Batten zëdhënës për cështjet e emigracionit në partinë “UK Independent” citohet nga Express të ketë deklaruar se “Ata nuk do të ndalojnë në Francë apo Spanjë por do të vinë në Britani duke u përfshirë në sitemin e ndihmave sociale apo të punojnë me pagesë të ulët në tregun e zi të punës.
Zyrtarë nga Agjencia Britanike e Kufirit (UK Border Agency) që monitoron të gjitha pikat kufitare të shtetit ishull, nuk kanë shpehur ndonjë shqetësim për një valë të mundshme të shqiptarëve apo boshnjakëve drejt Britanisë së Madhe.

Sunday, 7 November 2010

Edhe Mbretëresha në Facebook

Nga Londra
Muhamed Veliu

Nuk i ka shpëtuar përfshirjes në rrjetin social Facebook, edhe monarkja britanike Mbretëresha e Elisabeta II e cila është regjistruar duke e përdorur atë si një mjet komunikimi me miliona fansa të saj në të gjithë botën.

Që prej mëngjesit të sotëm foto, video dhe lajme rreth aktivitetit të mbretëreshës mund të shikohen në Facebook.

Faqja e saj në këtë rrjet social nuk i lejon monarkes të pranojë kërkesat, për t’u miqësuar me të, por me një klikim të vetëm mund të shtypet butoni “Like” që do të thotë pëlqimin e faqes duke u bërë kështu automatikisht fans i saj.

Mbretëresha Elisabeta II e cila është 84 vjeçe, është një përdoruese e rregullt e internetit.

Nëpërmjet postës elektronike ajo shkëmbën mesazhe me nipërit dhe mbesat.

Ndërsa bashkëshorti Princi Philip është një përdorues akoma më i madh i internetit.

Vendimi për hapjen e kësaj faqeje në Facebook është komentuar si një tjetër përpjekje e pallatit mbretëror Buckingham për të rifreskuar imazhin e monarkisë.

Në Britaninë e Madhe janë 26 milion njerëz që përdorin Facebook.

Që prej ditës së sotëme atyre i është bashkuar edhe monarkia e vendit të tyre.

Londra lejon ekstradimin e vrasesit Laurent Cakollari

Akuzohet për ekzekutimin e Adriatik Banos në vitin 1998. Përdorte emrin e rremë, Roland Kadria

Nga Londra
Muhamed Veliu


Gjykata lonindeze e ekstradimeve i ka dhënë OK-in ekstradimit të Laurent Selami Cakollarit i dënuar në mungesë për vrasjen e Adriatik Banos në janar 1998.

Sipas vendimit, gjykata angleze ka refuzuar kërkesat e 34-vjeçarit me origjinë nga fshati Zvarisht i Korçës, banues në Londër, që pretendonte se nëse kthehet në Shqipëri do të vritet për hakmarrje dhe nuk do të ketë një gjykim të drejtë.

Në vendim thuhet se pretendimi për një eliminim fizik në Shqipëri, apo mosrealizimin e një procesi gjyqësor të drejtë, siç pretendonte pala mbrojtëse, janë të pabazuara.

Cakollari i ka deklaruar gjykatës se në vitin 2009, në Londër, ai është qëlluar me armë për ta vrarë së bashku me një person tjetër i quajtur Vilion Krasniqi dhe se e njëjta histori mund t’i përsëritet, nëse ai ekstradohet.

Kjo ngjarje, ndodhur pranë një lokali në zonën Paddington në Londër, është ende nën hetim nga Scotland Yard, në bashkëpunim me policinë dhe prokurorinë shqiptare të krimeve të rënda.

Motivi i ngjarjes dyshohet të jetë për një larje hesapesh në kryeqytetin britanik mes Cakollarit dhe disa anëtarëve të bandës së Selitës, që janë aktivë në botën kriminale në Londër.

Një zëdhënëse e Gjykatës se Ekstradimeve tha se i kërkuari i drejtësisë gjatë të gjithë procesit të ekstradimit ka pretenduar se ai nuk ishte personi që kërkohej, por ishte Roland Kadria, një shtetas shqiptar, me origjinë nga Kosova.

Vetëm në seancën e fundit, pak përpara se gjykatësi Zani të lexonte vendimin, ai pranoi se ishte Laurent Cakollari i datëlindjes 14 qershor 1976.

Menjëherë pas incidentit ku ai mbeti i plagosur, Scotland Yard nëpërmjet hetimeve intensive mësoi identitetin e tij të vërtetë nga ku rezultoi se ai ishte person në kërkim nga Interpol Tirana.

Prokuroria shqiptare ka ngritur disa akuza ndaj Laurent Cakollarit.

Të gjitha akuzat përbëjnë edhe thelbin e fl etëarrestit ndërkombëtar, ekzekutuar nga skuadra e ekstradimeve në Scotland Yard, për llogari të Interpol- Tiranës.

Prokuroria, pas hetimeve ka mbërritur në përfundimin se në mbrëmjen e 15 janarit 1998, Laurant Cakollari ka goditur me armë për vdekje Adriatik Banon, pranë banesës së tij në afërsi të pallatit të sportit “Asllan Rusi” në Tiranë.

Oficerët gjyqësorë kanë zbuluar se Cakollari, i cili ishte mik me viktimën, gjatë kohës kur ata ishin emigrantë në Itali, i kishte marrë një makinë për ta shitur në Shqipëri.

Pas shitjes së saj nuk ia kishte dhënë lekët.

Nga ky konflikt i lindur për makinën, prokuroria beson se është shkaku i ngjarjes së rëndë.

Saturday, 6 November 2010

Britani, filtër për emigrantët

Nga Londra
Muhamed Veliu

Qeveria britanike e kryeministrit David Cameron vijon reformimin e ligjit të emigraciont duke futur sistemin e pikëve, të njëjtë me atë kanadez, për të gjithë ata të cilët duan të punojnë apo studiojnë në Britani.

Ligji i ri i Emigracionit që hyn në fuqi fillim vitin e ardhshëm, i klasifikon aplikantët në pesë kategori në bazë të pikëve që do të mbledhin.

Në kategorinë e parë bëjnë pjesë të gjithë emigrantët e kualifikuar të cilët nëse aplikimi për vizë pune është i suksesshëm mund të qëndrojnë sëbashku me familjet më shumë se dy vjet.

Emigrantët me ftesë pune përbëjne kategorinë e dytë por ata kanë të drejtën e bashkimit familjarë pas pesë vitesh.

Ndërsa aplikantët që nuk janë të kualifikuar, renditen në kategorinë e tretë duke u lejuar, të qëndrojnë në Britani, maksimumi një vit por nuk kanë të drejtën e bashkim familjar.

Studentët përbëjnë kategortinë e katërt. Pasi ata do të jenë të suksesshëm në aplikimin e vizës, nuk mund të ndryshojë universitetin që i ka pranuar, por mund të tërheqin familjarët për të gjithë kohën që kryejn studimet.

Grupi i pestë dhe i fundit përbëhet nga emigrantët e përkoshëm që mund të jenë artistë apo vullnetarë, që nuk shkojnë në Britani për arsye ekonomike.Ata mund të qëndrojnë në shtetin ishullor jo më shumë se dy vjet. Mosha e tyre duhet të jenë 18 deri 30 vjeç. Kjo kategori nuk mund të kryejë bashkim familjar.

Ligji i ri parashikon se të gjithë personat që do të paisen me vizë punësimi duhet të lënë një garanci monetare, në zyrën e emigracionit në vendin e origjinës, në formë sigurije ndaj autoriteteve të emigracionit , që aplikanti do të kthehet në vendin e origjinës.

Gjithashtu aplikantët , do të vlerësohen me pikë në testin e gjuhës angleze, në bazë të moshës, profesionit, më kryesorja nevojës së tregut britanik për punën që mund të kryejnë.

Gjykata i heq mandatin deputetit Laborist

Nga Londra
Muhamed Veliu

Gjykata e Lartë në Londër i ka hequr mandatin një deputeti laborist pasi gjatë fushatës elektorale nëpërmjet fletëpalosje, ai kishte shpërndarë informacione të pavërteta ndaj kandidatit kundërshtar në zonën ku garonte.

Ish-ministri Emigracionit Phil Woolas krahas heqjes së mandatit nuk do t'i lejohet hyrja në parlament për tre vjet pasi gjykata vërtetoi se gjatë fushatës elektorale ai gënjeu elektoratin.

Dy gjykatës e gjetën atë fajtor për shpifje të qëllimshme me vetëdije ndaj kundërshtarit.

Ky është vendimi i parë i këtij lloji që kjo gjykatë jep pas 99 vjetesh, duke i cuar përsëri votuesit drejt qendrave të votimit në zonën elektorale Oldham East, ku zoti Woolas fitoi ngushtë me 130 vota më shumë se rivali Liberal Demokrat.

I menjëhershëm ishte reagimi Partisë Laburiste. Lideri i saj Ed Milliband e shkarkoi zotin Woolas nga detyra e ministrit hije për Emigracionin.

“Nuk është pjesë e Partisë Laburiste të fituarit e vëndeve në parlament duke gënjyer elektoratin” tha Harriet Harman një deputete Laburiste.

Burime pranë ish ministrit Woolas i kanë deklaruar medias britanike se vendimi i gjykatës do të thotë fund i karrierës politike për të.

Nëse në Shqipëri do të përdorej i njëjti standart me atë britanik, atëherë gjysma e deputetëve të parlamentit shqiptarë duhet t'i hiqej madati, pasi të gjithë ne jemi dëshmitarë të fushatave elektorale, ku dominojnë ofendimet e shoqëruara, me akuza të pavërteta mes kandidatëve.

Friday, 5 November 2010

Presidenti Topi në Britani, viziton BERZH-in

Nga Londra
Muhamed Veliu

Presidenti Bamir Topi në vijim të vizitës në Londër, i është rezervuar një pritje nga presidenti “Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, Thomas Mirow. BERZH që prej nisjes së aktivitetit në Shqipëri është përfshirë në 49 projekte me vlerë 550 milion euro.

Fillimisht kreu i shtetit shqiptar ka nënshkruar librin e personaliteteve që vizitojnë këtë bankë ku edhe ka lënë një shënim.

I shoqëruar nga ambasadori Zef Mazi takimi ka vijuar në një prej zyrave të BERZH-it ku është diskutuar për vijimin e një sër projekteve ekzistuese dhe të reja në Shqipëri.

Claudio Viezzoli drejtor i kësaj banke për Ballkanin Perëndimor, ka folur rreth një prej projekteve më të fundit të BERZH në Shqipëri, në dhënien e një kredie me vlerë 50 milion euro e cila po përdoret për ndërtimin e 500 kilometra rrugë në zonat rurale.

Antarësimi i Kosovës në BERZH i është parashtruar nga presidenti Topi të pranishmëve në takim si një domosdoshmëri.

“Ky anëtarësim ka një rëndësi të madhe jo vetëm për zhvillimin ekonomik të shtetit më të ri në rajonin e Ballkanik, por edhe në kuadër të projekteve rajonale” ka theksuar zoti Topi.

Kreu i shtetit shqiptar dhe zoti Mirow diskutuan edhe rreth angazhimit të BERZH-it në sektorin bankar shqiptar si dhe mbi rëndësinë e përqendrimit të vëmendjes nga banka në sektorin privat dhe perspektivave të zhvillimit ekonomik rajonal në tërësi.

Thursday, 4 November 2010

Presidenti Topi, vizitë në Britani

Nga Londra
Muhamed Veliu

Presidenti Bamir Topi vijon vizitën treditore të punës në Britaninë e Madhe, i ftuar nga presidenti Oxford Union.

Kreu i shtetit shqiptar, i shoqëruar nga zonja e Parë Teuta Topi, është takuar në parlamentin britanik me kryeministrin David Cameron, lordë dhe deputetë nga grupi gjithë partiak Britani e Madhe Shqipëri

Kryeministri David Cameron i ka rezervuar presidentit Topi një takim në ambientet e parlamentit, pa praninë e mediave.

Menjëherë pas takimit zyra e kryeministrit lëshoi një deklaratë, ku thuhet se zoti Cameron vlerësoi kontributin e rëndësishëm ushtarak në Afganistan dhe inkurajoi përpjekjet e Shqipërisë së bashku me ato të vendeve të Ballkanit Perëndimor, drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gjatë takimit me ministrin e Europës, David Lidington presidentit Topi iu rikonfirmua mbështetja britanike për ambicjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por edhe bërja me dije e një monitorimi rigoroz nga Britania e zhvillimeve më të fundit politike në Shqipëri.

Ministri Lidington u shpreh se pavarësisht rekomandimeve për liberalizimin e vizave dhe gatishmërisë së Shqipërisë për të përfituar statusin e vendit kandidat, politikanët shqiptarë duhet të përshpejtojnë reformat.

Ai ka theksuar gjatë takimit se reformimi sistemit të drejtësisë është një cështje e rëndësishme për të cilën ka përshëndetur angazhimet e presidentit Topi dhe përpjekjet e tij, për këtë reformë.

“Pata një falenderim për Zotin kryeministër, i cili demonstroi dëshirën e madhe për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian. E falenderova për ndihmën që Shqipëria të bëhet anëtare e NATO-s dhe për të gjitha proceset e tjera. Kemi diskutuar për cështjet e bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Kryeministri falenderoi Shqiperinë për pjesëmarrjen e trupave shqiptare ne Afganistan”, u shpreh Topi.

Përpara mbajtjes së një leksioni në ‘Oxford Union’, presidenti është takuar me një grup të rinjsh nga shoqata e studentëve shqiptarë të Oxfordit.

I shoqëruar nga James Kingston presidenti Oxford Union, që është një prej unioneve më të vjetra në botë, ku kanë ligjëruar personalitete të rëndësishme nga e gjithë bota presidenti Bamir Topi foli për rolin e Shqipërisë në rajon, cështjet ballkanike duke e vënë theksin në integrimin Euro-Atlantik.

Dikur një akademik, tashmë i përfshirë në politikë, presidenti Topi e ka cilësuar këtë leksion si një rikthim i shkurtës në botën akademike.

Sunday, 31 October 2010

Londër-Shfaqet ne parlamentin britanik dokumentari shqiptar për hebrenjtë

Nga Londra
Muhamed Veliu


Megjithëse kanë kaluar 50 vjet nga koha kur shqiptarët shpëtuan nga Holokausti më shumë se 2 mijë hebrenj, ky veprim i cili do t’i sillte çdo kombi krenari, vazhdon t’i jepet një rëndësi dhe vlerësim i veçantë.

Këtij akti, tashmë të cilësuar si një prej xhesteve, më fisnik të shqiptarëve në Shqipëri, përfshi ata në Kosovë, i është dedikuar një dokumentar që mban firmën e Dardan Islamit.

Ideja e shfaqjes së këtij dokumentari, në tempullin e demokracisë botërore siç është parlamenti britanik ishte e dy ambasadorëve atij të Shqipërisë, Zef Mazi dhe homologut të tij kosovar, Muhamet Hamiti.

Lordë, parlamentarë, studiues të çështjeve të Luftës së Dytë Botërore, anëtarë të komunitetit hebre dhe atij shqiptar në Londër, kanë ndjekur së bashku, dokumentarin e titulluar “Rescue in Albania” (Të shpëtuar në Shqipëri).

Dokumentari përcjell fuqishëm dy karakteristika të patjetërsueshme të shqiptarëve, bujarinë dhe besën, përfshi dëshmi rrënqethëse të atyre që i mbijetuan kërkimeve të ethëshme nga ushtarët nazistë me qëllimin final ekzekutimin.

“Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk kishin asgjë, por ishin të gatshëm të ndanin edhe kafshatën e fundit me ata në nevojë. Ndërsa besa ishte një tjetër element që çoi në mbrojtjen e hebrenjëve, pasi siç ne e dimë shqiptari më mirë jep jetën se sa t’i preket miku”, thotë producenti Dardan Islami.

Me shumë emocion e ka ndjekur dokumentarin njëra prej dëshimitareve okularë të atyre ngjarjeve.

Scarlett Epstein ishte vetëm 16 vjeçe kur u mor në mbrojtje nga një familje shqiptare. Pasi u largua nga Shqipëria ajo vazhdoi jetën në Londër ku u shkollua dhe tani punon si profesoreshë e antropologjisë dhe eksperte për problemet e vendeve në zhvillim.

Alban Bytyqi një prej aktivistëve të komunitetit shqiptar në Angli tha se “shfaqja e dokumentarit “Rescue in Albania”, përçoi një mesazh jashtëzakonisht të rëndësishëm, që tregon se, shqiptarët kanë plot arsye të jenë krenarë për vetitë e tyre fisnike dhe bujarinë e pashembullt, cilësi të cilat njihen shumë pak nga bota”.

Thursday, 21 October 2010

Bllokohet përkohësisht ekstradimi Ilir Kumbaros

Nga Londra
Muhamed Veliu

Bllokohet përkohësisht në Londër procesi shqyrtimit të kërkesës së ekstradimit të drejtësisë shqiptare për Ilir Kumbaron.
Shkaku i mos procedimit të mëtejshëm në gjykatën londineze të ekstradimeve, është marrja në shqyrtim nga Kolegjet e Bashkuara pranë Gjykatës së Lartë në Tiranë e kërkesës së avokatëve të Ilir Kumbaros.
Ata kërkojnë interpretimin e ligjshmërisë së fletë arrestit të ri ndërkombëtar lëshuar nga pesë gjyqtarë të Gjykatës së Krimeve të Rënda vitin e shkuar.
I veshur me një kostum gri, këmishë të bardhë dhe një kollare ngjyrë po gri të errët, i shoqëruar nga i biri Ervini, Ilir Kumbaro është ulur qetësisht në bankën e të akuzuarit.
Edhe gjatë kësaj séance që zgjati vetëm 10 minuta kur është pyetur ti deklarojë gjykatës emrin, Ilir Kumbaro është përgjigjur se ai quhet Shaqa Shatri pamvarsisht se Kolegjeve të Bashkuara në Tiranë, i është kërkuar një interpretim për shtetasin Ilir Kumbaro.
Claire Dobbin përfaqësuese e shtetit shqiptar i tha gjykatëses Alison Rose se për momentin nuk mund të procedohet me këtë cështje pasi është në pritje të zhvillimeve që do të ndodhin në Shqipëri.
Kjo kërkesë e prokurores Dobbin është pranuar duke u vendosur data 25 Nëntor për ti raportuar gjykatës zhvillimet e pritshme nga drejtësia shqiptare për këtë cështje.
Ndërkohë Top-Channel ka mësuar se Kolegjet e Bashkuara do ta shqyrtojnë kërkesën e avokatëve të zotit Kumbaro pas datës 20 Nëntor.
Ndërsa séanca kryesore e shqyrtimit të kërkesës së drejtësisë shqiptare, do ti paraqitet gjykatësit Haward Riddle i cili më 24 Mars 2009, mbërriti në përfundimin se personi i arrestuar pa më të voglin dyshim është Ilir Kumbaro dhe se kërkesa e ekstradimit ishte në përputhje me ligjin britanik të ekstradimeve.
Zoti Kumbaro vazhdon të jetë i lirë me kusht që të parqitet tre herë në javë në stacionin e policisë Fulham, pëfshi mbajtjen në këmbë të një cipi elektronik monitorimi.

Wednesday, 13 October 2010

Veliaj, 5.000 abetare për fëmijët e emigranteve ne diaspore

Nga Londra
Muhamed Veliu

Pas kronikës në Top Channel për shqiptarët e Anglisë të harruar nga Ministria e Arsimit në dërgimin e abetareve për fëmijët, Erion Veliaj nisi një iniciativë përsonale në rrjetin FB.

“5,000 abetare për fëmijët e emigrantëve shqiptarë”, kështu e ka quajtuar Veliaj këtë nismë së cilës i janë përgjigjur pozitivisht me kontributet e tyre shumë shqiptarë.

Turin e shpërndarjes së abetareve në diasporë Veliaj e ka nisur me Anglinë. Ndalesa e parë në veri të kryeqyetit britanik në bashkinë e Enfildit, ku shoqata “Nënë Tereza” cdo të shtunë organizon klasat e gjuhës shqipe.

Fëmijët nisin e bashkëbisedojnë me mikun e ardhur nga Tirana që e kanë parë vetëm nga ekrani, duke u ndjerë të lumtur kur, një e nga një nisin e të marrin në dorë librin e abetares të sjellë nga Veliaj.

Në bashkinë Brent e cila ndodhet në Londrën perëndimore, jeton një numër i madh emigrantësh shqiptarë. Falë angazhimit të një tjetër shoqate e quajtur “Mother Tereza” fëmijët shqiptarë shumica të lindur në Angli, e kalojnë fundjavën duke mësuar në klasat shqipe.

Edhe këtu Erion Veliaj ka lënë një numër të konsiderueshëm abetaresh tejet të nevojshme për numrin në rritje të fëmijëve që frekuentojnë këto klasa.

Shpresa Programe që prej 8 vitesh vazhdon intesivisht të jetë një prej shoqatave në të suksesshme në lindje të Londrës duke fituar një sërë cmimesh për arritjet dhe përkushtimin përfshi larminë e shërbimeve që ofron.

E ndërsa fëmijët vazhdojnë normalisht mësimin, Erion Veliaj takohet me prindërit e tyre duke bashkëbiseduar për cështjet e arsimit në diasporë.

“Unë do të jem një e-mail apo një telefonatë larg problemeve tuaja nëse opozita vjen në pushtet”, u ka premtuar Velija të pranishmëve të cilët kanë këruar të vizitohen më shpesh nga politikanët e Tiranës.

Përvec këtij kontributi personal, ky tur i Veliajt në diasporë, i pari pas bashkimit të tij me PS-në, duket se është edhe sinjali strategjisë së opozitës për të afruar emigrantët në votimet e ardhshme, që me sa dukët do të jetë detyrë e Veliajt.

Tuesday, 12 October 2010

Një shqiptare pedagoge në Universitetin e Oksfordit

Nga Londra
Muhamed Veliu

Me mijëra studentë janë ulur në auditoret e universiteteve britanike duke nisur vitin e ri akademik, ndërsa një juristeje shqiptare i është dhënë mundësia të japë mësim në një prej universiteteve me famë botërore sic është ai i Oksfordit.
Rudina Jasini është punësuar pranë Fakultetit juridik të këtij universiteti për të dhënë lëndën e “Te Drejtës Penale Ndërkombëtare” dhe “Të Drejtave të Njeriut”.

Është një rast i rrallë që në auditoret e këtij universiteti një shqiptare punësohet duke qënë pjesë e strukturave akademike të mësimdhënies.

Kjo oferte pune për zonjushën Jasini vjen pasi ajo gjatë vitit 2008-2009 përfundoi studimet e masterit për te Drejtën Penale dhe Kriminologji po në këtë universitet ku edhe ka nisur doktoraturën për të Drejtën Penale Ndërkombëtare.

Rudina Jasini i tha Top-Channel se “Të japësh mësim në një tempull dijesh sic është Universiteti i Oxford-it pa diskutim që është nje reflektim i aspiratave të brendshme dhe e një kërkese per stimulim intelektual. E kam mirëpritur ofertën me entuziasm dhe shpresoj që të japë kontributin tim
maksimal”.

Përpara mbërritjes në Universitetin e Oxfordit, Rudina Jasini ka punuar pranë Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi si pjesë e ekipit të mbrojtës në cështjen e ish kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy të bashkëakuzuarve të tjerë, cështje të cilën ajo vazhdon ta ndjekë.

Pas përfundimit të studimeve për drejtësi, në Universitetin e Georgetown në Amerikë, ajo është përfshirë në dhënien e asistencës juridike viktimave të genocidit pranë gjykatës së posacme ndërkombëtare në Kamboxhia.

Gjithashtu juristja e suksesshme shqiptare është pjesë e studios ligjore britanike e cila po kryen një studim se cilat janë rrugët ligjore për zgjidhjen e cështjes Came.

Saturday, 9 October 2010

Kriza ne Britani. Ministri kultures, "Mos lindni fëmijë"

Nga Londra
Muhamed Veliu

Mos lindni fëmijë nëse nuk keni të ardhura të mjaftueshme financiare për t’i rritur ata. Kjo thënie nuk i përket ndonjë udhëheqësi fetar por një ministri në kabinetin qeveritar anglez.

Kjo deklaratë e Jeremy Hunt ministër për Kulturën, ka provokuar një debat kur ai sugjeroi se britanikët nuk duhet të lindin fëmijë pa patur para për t’i rritur ata.

Hunt e ka vazhduar deklaratë duke thënë se nuk është detyrë e qeverisë të financojë numrin në rritje të atyre familjeve me shumë fëmijë, të cilët marrin ndihma sociale.

Komentet e tij janë cilësuar si provokative, të cilat vijnë vetëm disa ditë pas konferencës së Partisë Konservatore nga ku ministri i Financave George Osborne anoncoi reformën në sistemin e ndihmës sociale për fëmijët.

I menjëhershëm ishte reagimi opozitës laboriste të drejtuar nga Ed Miliband, i cili i komentoi deklaratat e Jeremy Hunt si të pështira dhe mizore.

Megjithatë 10 Downing Street së bashku me Ministrinë e Financave përfshi disa deputëtë konservatorë janë munduar ta zbusin debatin e krijuar nga deklarata tepër e fortë e ministrit të Kulturës.

Qeveria e koalicionit mes Konservatorëve dhe Liberal demokratëve po luftojnë të zvogëlojnë deficitin buxhetor duke shkrurtuar vënde pune në administratën shtetërore dhe shpenzimet publike ku përfshihet edhe ndihma sociale.

Kryeministri britanik David Cameron disa ditë më parë deklaroi se qeveria e tij do të punojë për të ndërtuar një vend për njerëz të zotë.

“Shkurtimet do të jenë të forta, pasi nuk kishte rrugë tjetër. Por ju garantoj se brenda pak vitesh shpërblimi do të ndihet nga të gjithë në vendin tonë”, ka pohuar Cameron.

Tuesday, 5 October 2010

Mediat britanike komentojnë “Pitkinin shqiptar”

Nga Londra
Muhamed Veliu

Sir Norman Wisdom, legjenda filmave komikë britanikë aq të dashur për shqiptarët, është ndarë nga jeta në moshën 95 vjecare.

Pas disa sëmundjeve kardiake ai ndërroi jetë qetësisht në një shtëpi kujdesi për moshuar.

Karriera e tij artistike e nisur fillimisht si amator gjatë Luftës së Dytë Botërore kur ai ishte ushtar, është shumë e pasur ku dominojnë qindra role, kryesisht komikë, duke përcjellë humorin tipik anglez me origjinalitet të plotë.

Të gjitha mediat britanike menjëherë pas marrjes së lajmit për ndarjen nga jeta të Sir Norman Wisdom janë marrë masivisht më shumë me lidhjen që ai kishte me Shqipërisë se sa me karrierën e tij në Britani.

“Për Shqipërinë Pitkini ishte një dritare për të parë perëndimin”, shkruan “The Times”.

Ndërsa “The Guardian” e përshkruan Wisdom si mbretin e skenës së humorist britanik i cili ishte shumë i njohur në Shqipëri ku kishte më shumë adhurues krahasuar me vëndlindjen e tij.

“The Indipendent” ka si titull” “Veterani komik, i preferuari shqiptarëve vdes në moshën 95 vjecare”.

“Cuditërisht ai ishte një figurë kult në Shqipëri ku filmat e tij ishin të vetmit filma perëndimorë që lejoheshin”, komenton “The Sun”.

Televizionet britanike kanë transmetuar intervista me Zef Mazin, ambasadorin e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, të shoqëruara me pamje të Wisdom gjatë vizitës në Tiranë ku ai hyri në stadium në pjesën e dytë të ndeshjes ku Shqipëria luante kunder Anglisë.

“Pas Charlie Chaplin ai ishte komediani më i madh në Shqipëri. Ende e mbaj mend rolin e Pitkinit dhe bosit të tij zotit Grimsdale. Sir Norman Wisdom ishte shumë popullor për të gjithë grupmoshat duke i bërë atë të qeshnin gjatë periudhës komuniste ku nuk kishte shume arsye për të qeshur”, ka thëne Mazi për televizionin BBC.

Nga komentet e Facebook apo faqet online të televizoneve për vdekjen e Sir Norman, komentuesit shprehin habinë e gjithë kësaj dashurie të madhe shqiptare për komikun e tyre, madje edhe duke pyetur nëse Shqipëria do të mbajë 3 ditë zi?

Ndërkohë mediat britanike janë vënë në kërkim të pamjeve apo fotove nga ndonjë ceremoni e mudëshme përkujtimore në Tiranë.

Ndahet nga jeta Sir Norman Winsdom “Pitkini”

Nga Londra
Muhamed Veliu

Ndahet nga jeta në moshën 95 vjeçare Sir Norman Winsdom, legjenda e filmave komikë britanik, aq të dashur për shqiptarët.

Vdekjen e komedianit me origjinë nga Londra, e njoftoi i biri mbremjen vonë të së hënës.

Vitet e fundit të jetës Sir Norman Winsdom i kaloi në një shtëpi kujdesi për të moshuar.

Duke filliuar që nga viti 2006 ai në mënyrë të vazhdueshme ka vuajtur nga sëmundje kardiake të cilat i shkaktuan humbjen e pjesëshme të memories.

Karriera e tij artistike e nisur fillimisht si amator gjatë luftës së dytë botërore kur ai ishte ushtar, është shumë e pasur ku dominojnë qindra role kryesisht komike duke përcjellë humorin tipik anglez me origjinalitet të plotë.

Në vitin 1946 ai do të debutonte për herë të parë si profesinist në moshën 32 vjecare.

Gjatë karrierës në Angli dhe teatrot Brodway në USA ai fitoi disa cmime.

Krahas aktrimit Norman Winsdom, ka publikuar disa albume përfshi një këngë kushtuar Shqipërisë me titull “Big in Albania” “I madh në Shqipëri” e cila në chartin e Top-Albania Radio zuri vëndin e 18.

Vetëm kur ai mbushi 90 vjec i la lamtumirën skenës së teatrove dhe shesheve të xhirimit për të shpenzuar më shumë kohë me familjen dhe duke luajtur golf.

Breza të tërë shqiptarësh janë rritur me filmat e Wisdom i cili ishte i vetmi aktor filmat e të cilit lejoheshin gjatë kohës së regjimit komunist.

I njohur për famën dhe admirimin në Shqipëri Wisdom që njihej si “Pitkini” vizitoi dy herë Shqipërinë.

Gjatë vizitës në vitin 2001, kur Shqipëria ndeshej me Anglinë me pjesmarrjen e tij në stadium ai eklipsoi lojtarë të njohur të ekipit të tre luanëve sic ishte edhe kapiteni David Beckham.

Friday, 1 October 2010

Londer-Shtyhet gjyqi për Ilir Kumbaron

Nga Londra
Muhamed Veliu

I arrestuar në bazë të një fletë arresti ndërkombëtar, Ilir Kumbaro supozohej të përballej mesditën e së premtes me gjykatën e ekstradimeve, në Londër, ku do të zhvillohej seance gjyqësore në të cilën palët do t'i tregonin gjykatës argumentat e tyre pro dhe kundër ekstradimit.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Një zëdhënëse e gjykatës “City of Westminster Magistrate Court” i tha Top-Channel, se me kërkesë të palës mbrojtëse seanca e ekstradimit është shtyrë për në 21 Tetor.

Kjo shtyrje nga avokati John Jones ndërmerret për të fituar më shumë kohë, pasi në Tiranë është pajtuar një eksperte, e cila është duke shkruar një raport se cfarë mund t'i ndodhë Ilir Kumbaros nëse ai ekstradohet.

Gjithashtu mbrojtja e Kumbaros në Londër është duke pritur me shumë interes, vendimin e “Kolegjeve të bashkuara” pranë Gjykatës së Lartë.

Kjo është e vetmja shpresë për një bllokim të mundshëm të ekstradimit pasi në seancën e shkuar gjykatësi Anthony Evans la të kuptohet se vendimi i tij do të jetë pro ekstradimit duke u bazuar në vendimin e gjyktasësit Haward Riddle, i cili me 24 Mars 2009 lejoi ekstradimin e ish SHIK-asit Kumbaro.

Avokatët e zotit Kumbaro në Tiranë, Vojo Bregu dhe Bledar Fejzo, i kanë kërkuar “Kolegjeve të Bashkuara” ti japë përgjigje tre pyetjeve që kanë të bëjnë me vlefshmërinë e fletëarrestit të lëshuar më 15 Dhjetor 2009 nga 5 gjykatës të Krimeve të Rënda, kryesuar nga Gurali Brahimllari

E kontaktuar përmes telefonit zëdhënësja e Gjykatës së Lartë Ida Vodica tha se anëtarët e gjykatës së lartë janë duke diskutuar se kur kjo cështje do ti kalojë për shqyrtimim Kolegjeve të Bashkuar dhe se ende nuk është caktuar data.

Sipas saj këto cështje janë shumë specifike dhe kërkojnë një vendim të unifkuar i cili më pas kthehet në precedent për të gjitha gjykatat.

Wednesday, 22 September 2010

Harrohen shqiptarët e Anglisë

Nga Londra
Muhamed Veliu

Drejtuesit e shoqatave të emigrantëve shqiptarë në Londër shprehen se ata janë harruar duke u lënë jashtë programit që ministria shqiptare e arsimit ka për dërgimin e materialeve mësimore të gjuhës shqipe.

Disa ditë më parë kjo minsitri deklaroi se ka në dispozicion një fond për dërgimin e librave për fëmijët që studiojnë gjuhën shqipe në Greqi dhe Itali.

Nga të dhënat që paraqesin 8 shoqata shqiptare në Angli të cilat organizojnë klasa në gjuhën shqipe mësohet se 1,745 nxënës janë regjistruar të ndjekin studimet e gjuhës amtare këtë vit shkollor.

Esat Brace drejtor i shoqatës “Nënë Tereza” që vepron në veri të Londrës thotë se gjatë tre muajve të fundit i ka dërguar disa mesazhe elektronike, ministrisë së arsimit madje edhe vetë kryeministrit Berisha dhe askush nuk i është përgjigjur.

Sipas tij janë 300 nxënës në veri të Londrës që janë detyruar të paguajn vetë për blerjen e abetareve pas heshtjes të institucioneve shqiptare.

Drejtuesit e “Shpresa Programme” në lindje të Londrës ndajnë po të njëjtin shqetësim.

Gjatë të gjithë kohës që nga dita e parë e hapjes së klasave shqipe 6 vite më parë, kjo shoqatë nuk ka marrë asnjë libër nga shteti shqiptarë.

“Ndodhemi përballë dëshirës së madhe të shumë nxënësve që duan të mësojnë gjuhën shqipe por nuk kemi bazë materiale. Thjesht kemi siguaruar disa fotokopje tekstesh” thotë Pranvera Smith nga shoqata “Iliria” në qytetin e Birmingamit ku priten të hapen dy klasa të gjuhës shqipe.

Zamira Ruspi drejtoreshë e shoqatës “Mother Tereza” tregon se vitin e shkuar Ministria e Armisimit kishte dërguar 300 tekse por kërkesa këtë vit për të mësuar gjuhën shqipe nga fëmitë e emigrantëve sa vjen e shtohet.

Megjithë përpjekjet e këtyre shoqatave numri atyre fëmijëve që studiojnë gjuhën shqipe në Britaninë e Madhe është shumë i ulët duke u llogaritur vetëm në 1%.

Vërehet një tendencë e emigrantëve shqiptarë për të komunikuar me fëmijët në anglisht që do të thotë zbehje deri në zhdukjen graduale të gjuhës shqipe për brezin e dytë të emigrantëve shqiptarë në Britani që jo zyrtarisht besohet të jenë mbi 100 mijë persona.

Tuesday, 21 September 2010

Londer-Arrestohet shqiptari arratisur nga burgu ne 1997

Nga Londra
Muhamed Veliu

Ka marrë fund arratia 13-vjecare e një shqiptari që fshihej në Londër pasi kërkohej të përfundojë dënimin e marrë me 25 vite burg për një vrasje dhe një tentativë vrasje.

Skuadra e ekstradimeve në Scotland Yard ka ekzekutuar një fletë arresti ndërkombetar duke bërë të mundur arrestimin e Fadil Hoxhës pas një informacioni të dërguar nga Interpol Tirana për identitetin e rremë që perdorte në Angli.

Nga përmbajtja e fletë arrestit mësohet se 41-vjecari Hoxha kërkohet për plotësuar vitet e mbetura të burgut pasi është gjetur fajtor për vrasjen e Hysen Luzës dhe tentativën e vrasjes së Meliha Xhidikut ngjarje e ndodhur më 8 Tetor 1992.

Gjatë momentit të arrestimit në banesën e tij në zonën Enfield në veri të Londrës, Hoxha ka deklaruar se ai quhet Arben Hoxha dhe se nuk ishte ai personi të cilin kërkonin.

Gjykatës së ekstradimeve përfaqësuesja e shtetit shqiptar i tha se Fadil Hoxha fshiheh duke përdorur një identitet të rremë madje pavaresisht se ishte i arratisur nga një burg shqiptar kishte mundur të përfitonte nështetësi britanike.

Në seancën e ardhshme i takon palës mbrojtëse t'i argumentojë gjykatës se personi i arrestuar nuk është i kërkuari Fadil Hoxha, ndërkohë nuk bëhen të ditura provat e palës shqiptare që kanë bërë të mundur identifikimin e tij.

Fadil Hoxha do t'i zhvillojë procedurat e ekstradimit në paraburgimin e burgut të sigurisë së lartë Belmarsh, për vetë natyrën e krimeve të cilat ai kërkohet të ekstradohet.

Sunday, 19 September 2010

Skoci, historia rozë e vrasësit shqiptar

Nga Londra
Muhamed Veliu

Megjithëse Fatjon Kapri ishte njëri prej shqiptarëve më të kërkuar nga Interpol Tirana, gjatë fshehjes në Skoci ai kishte ndërtuar një romancë dashurie me një grua skoceze duke jetuar një jetë të dyfishtë.

Historinë e kësaj romance me killerin shqiptar, 44 vjecarja me emrin Jean Goudie e ka rrëfyer për gazetën skoceze “Sunday Mail”.

“Ende nuk mund ta besoj kur policët arrestuan Fatjonin dhe me treguan se ai është dënuar në mungesë me 22 vite burg për vrasje. Ishte me të vërtetë një tronditje. Të gjithë ata që e kanë marrë vesh lajmin e arrestimt janë habitur”, ka treguar ajo.

Fatjon Kapri i cili në Skoci përdorte emrin Sajmir Sadiku, është njohur me Jeam në një dyqan ku ai punonte në qytetin e Gllasgout.

Ai kërkohet për të vuajtur dënimin e dhënë në mungesë nga Gjykata e Elbasanit për vrasjen e Ylli Pepës ndodhur në një park në Londër në Prill të vitit 2001.

Megjithëse vrasja ka ndodhur në Londër, sipas legjislacionit shqiptar, kur Prokuroria Shqiptare njoftohet për një vrasje të kryer nga një shtetas shqiptar, atëherë automatikisht nis procedimi penal.

Oficerë të Scotland Yard sëbashku me dëshmitarët okularë dhanë dëshmi në gjykatën e Elbasanit për vrasjen e Ylli Pepës duke paraqitur edhe provat e ADN-së që i përkisnin Fatjon Kaprit.

30 vjecari Fatjon Kapri pas 6 vjet fshehje në Londër dhe tre vitet e fundit në Skoci është arrestuar pasi Interpol Tirana siguroi një informacion për vendndodhjen dhe identietetin e rremë që përdorte.

Prangosja e tij u krye mëngjesin e 24 Qershorit 2010 nga oficerë të armatosur në Gllasgow.

Fillimisht ai e ka mohur të jetë Fatjon Kapri por pasi është kryer krahasimi ADN-së së gjetur në trupim e viktimës ka rezultuar se është e njëjtë me atë të Kaprit i cili pritet të ekstradohet për në Shqipëri.

Thursday, 9 September 2010

Jeremy Clarkson prezantuesi i “Top Gear” në BBC viziton Shqipëri

Nga Londra
Muhamed Veliu

Jeremy Clarkson është prezantuesi i njohur emisionit “Top Gear” në BBC, i cili është shfaqur edhe në Top-Channel.

Disa javë më parë, së bashku me familjen ai ka vizituar Shqipërinë.

Me shumë finesë dhe humorin tipik të një britaniku, mbresat e këtij udhëtimi i ka shkruar në një artikull të gjatë për suplementin e udhëtimeve në gazetën “The Times”, ku ai është koluminist i përjavshëm.

“Pas tre ditësh në Korfuz u thashë fëmijëve, se kishte ardhur momenti të niseshim drejt eksplorimit të Shqipërisë, duke e filluar me vizitën në Butrint”, kështu e fillon shkrimin Clarkson, i cili shquhet për batuat gjatë prezantimit të “Top Gear”.

I mësuar të testojë dhe të lëvizë me mjete udhëtimi të shpejta, Clarkson ka refuzuar kalimin nga Korfuzi për në Sarandë me tragetin e linjës.

Zgjidhja ishte “Jahti Ferreti”, i marrë me qera, por me të mbërritur në Sarandë, shkruan ai, nuk kishte ku ta ankoronte dhe zgjidhja e Clarkosn ishte ta hidhte spirancën afër anijes së mbytur në vitin 1956, që për koincidencë i përket vendit të origjinës së tij.

Që në fillim ai është impresionuar kur Fatosi, djali që i ka shoqëruar, i ka treguar se programi “Top Gear” është shumë i ndjekur edhe në Shqipëri, natyrisht falë Top-Channel.

Humori Clarkson në shkrim vjen përmes rreshtave kur ai citon shpjegimet e shoqëruesit shqiptar rreth burimeve ujore në Sarandë dhe prodhimit të 45 mijë ton shalqi në vit në këtë zonë.

Clarkson vlerëson gadishmërinë e udhërrëfyesit shqiptar, i cili nuk nguron të tregojë historinë e cdo ndërtese në Butrint, pavarësisht zhegut të vapës.

“Kjo është ajo që fëmijët duhet të bëjnë gjatë pushimeve. Të mësojnë zhvillimet historike dhe jo të kthejnë gota vodke apo të puthen”, thotë ai.

Padyshim që prezantuesit të programit të makinave nuk do të rrinin pa i rënë në sy një numër i madh automjetesh me targa angleze, për të cilat i është ngjallur habi duke pyetur: Si është e mundur?

Duke u kthyer për në Sarandë, sikurse shumë turistëve që vizitojnë këtë qytet, i kanë lënë një pershtypje të keqe ndërtesat e prishura.

“Paska rënë tërmet në këtë zonë?”, ka pyetur Clarkson. “Jo, ky është një tërmet qeveritar”, është përgjigjur Fatosi, i cili i ka sqaruar se kush ndërton pa leje forcat speciale ia shëmbin me buldozerë.

Clarkson, po prap, me humor e mbyll shkrimin duke shkruar se me të kënaqesh po të udhëtosh në vende të reja, pasi mëson sa shalqi prodhohet dhe sa e pasur me ujë është zona që vizitojnë.

Gjithashtu, merr njohuri si për shembull për planin rregullues të Sarandës dhe Shqipërisë, plus kuptimin në shqip të fjalës makinë në anglisht.

Sunday, 5 September 2010

Angli-Gruaja e deputetit, prostitutë

Nga Londra
Muhamed Veliu

Nuk kanë të sosur telashet për Devid Kamerun, liderin e konservatorëve britanikë, njëkohësisht kryeministër.

Fillimjavën e shkuar Uilliam Hague, njëri prej bashkëpuntëorëve më të ngusht që mban postin e Sekretarit të Jashtëm, u akuzua për një lidhje të fshehtë me asistentin e tij 25 vjeçar duke aluduar se ai ishte homoseksual.

Ndërsa sot gazeta “Sunday Mirror” ka zbuluar se gruaja një deputi konservator punon si prostitutë në një shtëpi publike.

Gazetarët nëpërmjet kamerave të fshehta kanë filmuar gruan e deputetit Majk Uetherli, e cila kundrejt 70 stërlinave ofronte marrëdhënie seksuale.

“Sunday Mirror” shkruan se 39 vjeçarja braziliane, e quajtur Clara dhe e fotografuar në parlament disa muaj me parë me bashkëshortin deputet, punonte si prostitë në 3 shtëpi publike në jug të Londrës.

E pyetur nga gazetarët nëse e pëlqente punën që bënte duke shitur trupin, gruaja deputetit tha: “Më pëlqen të punoj këtu, klientët janë njërëz të këndshëm, kjo shtëpi publike është një vend i mirë nga ku mund të fitosh para”

Kur i është treguar se bashkëshortja punonte si prostitutë deputeti konservator tha se kjo është një tronditje e vërtetë, por ai deklaroi se ata ishin ndarë në muajin shkurt dhe se takoheshin njëherë në javë për drekë si dy miq të mirë.

“Faleminderit për njoftimin tuaj”, u ka thënë deputeti gazetarëve që zbuluan këtë skandal.

Gjenerali Sir Mike Jackson “Blair, jo i saktë për Kosovën”

Nga Londra
Muhamed Veliu

Pas një sërë kritikash se ka thyer protokollin mbretëror, libri “A Journey” (Një udhëtim) i ish kryeministrit britanik Tony Bler është kritikuar edhe nga ish-gjenerali Sir Mike Jackson i cili udhëhoqi trupat britanike në Kosovë.

Në një intervistë për gazetën “The People” ish-gjenerali thotë se faktet e publikuara në libër nga Bler për Kosovën nuk janë të sakta.

Bler në kapitullin për Kosovën shkruan se ishte ai që parandaloi një luftë të tretë botërore duke i telefonuar gjeneralit Jackson ku i kërkoi mos t’i bindej urdhërit të amerikanëve për të sulmuar rusët.

Sir Mike Jackson i ka treguar gazetës “The People” se ai personalisht nuk është telefonuar direkt nga Toni Bler, por nga një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes.

Për t’u siguruar që kjo telefonatë nuk është bërë nga Toni Bler gjenerali thotë se ka biseduar me ndihmësin e tij nënkolonelin James Evarld, i cili ka konfirmuar se një telefonatë e tillë nuk është bërë nga ish kryeministri.

Në vitin 1999 kur komandanti trupave amerikane Wesley Clark urdhëroi gjeneralin britanik të bllokonte një rrugë që të çonte për në Prishtinë nga ku do të kalonin trupat ruse për t’i ardhur në ndihmë trupave serbe.

Gjenerali Sir Mike Jackson rikujton se ai këtij urdhëri iu përgjigj duke thënë se nuk kishte ndërmend të fillonte një luftë të tretë botërore për ata.

Pas luftës Sir Mike në librin e tij me kujtime nuk e përmend të ketë marrë një telefonatë nga Toni Bler ku është folur për këtë çështje.

Në libër Bler shkruan: “Unë isha komandandi përgjithshëm dhe Mike më tha se urdhëri është urdhër. Çfarë të bëj. Pasi më tha se ishte e pallogjikshme të sulmonim rusët i thashë të qëndronin të qetë dhe mos t’i bindeshin urdhërit”.

Duke vijuar shpjegimin për këtë vendim delikat, Bler në libër thotë se ai edhe sot kur e çon në mendje atë rrethanë dhe nëse do të kishte dhënë urdhër për të vepruar kundra rusëve, vallë çfarë mund të kishte ndodhur?

Pretendimeve të gjeneralit nëpërmjet një zëdhënësi të Toni Blerit i ka dhënë të drejtë duke deklaruar: “Nëse gjenerali thotë se atë bisedë nuk e kam kryer më atë, atëherë duhet të ketë qenë me dikë tjetër”.

Thursday, 2 September 2010

Londër, lirohet me kusht Ilir Kumbaro

Nga gjykata "Royal Court of Justice"
Muhamed Veliu

Gjykata e Apelit në Londër i rikthen lirinë me kusht ish- SHIK-asit Ilir Kumbaro i arrestuar javën e shkuar në bazë të një fletë-arresti ndërkombëtar lëshuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Gjykatësi Stephen Irwin pasi dëgjoi përfaqësuesen e shtetit shqiptarë dhe avokatin mbrojtës, urdhëroi vendosjen e një pajisje elektronike monitorimi në këmbën e Kumbaros.

Kjo pajise e njohur si “Tag” është e lidhur me stacionin e policisë lokale duke lejuar monitorimin e cdo lëvizje të personit që i vendoset në këmbë një e tillë.

Sipas Gjykatësit të Apelit londinez Kumbaro gjithashtu duhet të banojë në adresën tashmë të ditur nga policia.

Paraqitja 3 herë në javë në stacionin e policinë të zonës Fulham është një tjetër kusht i vendosur për Ilir Kumbaron.

Gjykata pranoi garancinë pasurore prej 10 mijë stërlinash vendosur nga një grua e cila nga gjykatësi Irwin u identifikua si nga bashkëshortja e djalit të Ilir Kumbaros.

Vetë zoti Kumbaro nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit por u mbrojt nga avokati John Jones i cili tha se klienti i tij falë moshës, disa sëmundjeve dhe qëndrimit prej 15 muajsh në burg gjatë procesit të shkuar duhet të ndjekë procesin e ekstradimit në gjendje të lirë.

Avokati Jones përsëri tha se klienti i tij është Shaqa Shatri për aq kohë sa Ministria e Brendshme Home Office në bazë të këtij emri i ka garantuar azilin dhe nënshtetësinë britanike.

Clair Dobbin përfaqësuese e shtetit shqiptarë inicuese e apelit, kundërshtoi lirinë me kusht pasi sipas saj tani përballë një fletë-arresti të ri ndërkombetarë rreziku zhdukjes së zotit Kumbaro është më i madh.

“Detyra e mbajtur dhe lidhjet me shërbimin sekret shqiptarë, përfshi fshehjen e suksesshme 15 vjecare duke përdorur identitet të rremë gjër për të cilën ai ende këmbengul na bëjmë të besojmë se zoti Kumbaro mund t'i fshihet përsëri drejtësisë” theksoi zonja Dobin.

Seanca e ardhshme e ekstradimit do të zhvillohet më 1 tetor ku në thelb të debateve ligjore do të jetë vendimi i pritshëm gjatë këtij muaji i “Kolegjit të Bashkuar” në Gjykatën e Lartë në Tiranë për vlefshmërinë e mandatit të ri të lëshuar nga gjykata me kërkesë të prokurorisë.

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats