Tuesday, 30 December 2008

"Remzi Hoxha", Kumbaro u dekonspirua kur foli shqip

Ish-shikasi artikuloi një shqipe të pastër gjatë seancës së radhës në Londër

Nga Londra
Muhamed Veliu

Interpol Tirana, së bashku me Scotland Yard, kanë goditur në shenjë. Tashmë nuk kaas më të voglin dyshim se personi i arrestuar në Londër, icili kërkohet të ekstradohet nëShqipëri, është Ilir Kumbaro. Çdo hije dyshimi rreth identitetit të diskutueshëm është shuar dje, kur Kumbaro, që pretendon të jetë Shaqa Shatri, ka folur me një shqipe të kulluar, pa më të voglin aksent kosovar. Ky detaj i vogël, por padyshim i rëndësishëm në identifikimin e Kumbaros, ka ardhur kur ai ka ndërhyrë disa here duke folur shqip, gjatë séances së djeshme në sallën numër tre të gjykatës "City of Westminster Magistrate Court" në Londër. Fjalitë e thëna nga ai janë përkthyer në anglisht nga një përkthyese. Megjithatë, çështja e identitetittë vënë në dyshim nga avokatët e tij mbrojtës do të marrë fund në seancën e datës 27 janar 2009, ku palët do të paraqesin provat. Clare Dobbin, përfaqësuesja e shtetit shqiptar në këtë proces ekstradimi, do të hyjë në "betejën" e 27 janarit me avokatin e Kumbaros, juristin e njohur britanik, Xhon Xhons, në kushte shumë të favorshme, pasi Interpol Tirana, Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me Scotland Yard dhe Ambasadën Britanike në Kosovë, kanë zbuluar një provë të rëndësishme, e cila do të rrëzojë çdo pretendim të mbrojtjes se klienti i tyre është shtetasi kosovar Shaqa Shatri. Nga burime shumë të sigurta pranë kësaj çështjeje, "Shqip" është në dijeni të provës së "artë", e siguruar në Kosovë, por nuk do ta bëjë publike për arsye të vijueshmërisë së procesit të ekstradimit. Ilir Kumbaro do të arrestohejnë fillim në muajin tetor 2008, pas një mandati arrestimi ndërkombëtar firmosur nga prokurori Xhevat Hana. Prangosja e Kumbaros, njeriut kyç në zhdukjen e Remzi Hoxhës, u realizua pas një pune disavjeçare gjurmuese nga zyra e Interpol Tiranës, e cila zbuloi identitetin e rremë që ai përdorte në Angli dhe banesën ku fshihej në lagjen Fulham. Mbetet ende enigmë ekzistenca e një tjetër personi me emrin Shaqa Shatri, i cili duhet të ketë kërkuar azil si shtetas çek.

Procesi

Ilir Kumbaro, ish-drejtor i ShIKut për Tiranën, i akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe më pas zhdukjen e Remzi Hoxhës, për të katërtën herë ka dalë përpara një gjykate në Londër, duke tentuar bllokimin e ekstradimit. Edhe gjatë kësaj seance, Kumbaro, nëpërmjetnjë video-linku nga burgu Wansworth, i ka deklaruar gjykatës se ai është Shaqa Shatri. Seanca e djeshme gjyqësore, që ka zgjatur 20 minuta, kishte si qëllim raportimine progresit nga palët për sa i përket paraqitjes së provave, të cilat do të përdoren në seancën e dates 27 janar. Avokatja mbrojtëse e Ilir Kumbaros i deklaroi gjykatëses Karoline Tubs se ajo kërkonte të shtyhej afati i dorëzimit të provave deri më datë 14 janar, pasi sipas saj është duke u analizuar një dosje voluminoze vënë në dispozicion nga Home Office. Kërkesa e saj është pranuar.

Mbrojtja

Në përbërje të kësaj dosjeje është aplikimi që Kumbaro ka bërë kur ai kërkoi azil në Anglinë vitin 1998. "Jemi në pritje të draftit përfundimtar të dy raporteve hartuar nga ekspertët. Njëri prej tyre, hartuar nga një ekspert shqiptar, do të jetë rreth gjendjessë burgjeve në Shqipëri dhe tjetri hartuar nga një ekspert anglez, i cili nëpërmjet metodës "Facial Mapping" (matjeve të fytyrës) ka analizuar pamjen aktuale të zotit Shatri me atë të fotos së vetme disponuar nga drejtësia shqiptare", ka thënë avokatja. Ilir Kumbaro gjatë seancës ka ndërhyrë disa herë, duke folur me një shqipe të pastër, pa asnjë lloj aksentikosovar, duke hedhur poshtë pretendimet e deritanishme se ai është një qytetar nga Kosova. Seanca gjyqësore e 27 janarit do të ketë një rëndësi të veçantë për të gjithë këtë proces ekstradimi, pasi palët do të paraqesin argumentet dhe kundra argumentet rreth identitetit të Ilir Kumbaros, pasi ai, së bashku me mbrojtjen, pretendojnë se Scotland Yard përllogari të Interpol Tiranës kanë arrestuar një person të gabuar.




You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Thursday, 11 December 2008

Shqiperia dergon si dipllomat ne Londer një zooteknik

Skandali-Kaos në shërbimin konsullor të ambasadës shqiptare në Londër. Dipllomati Nuredin Aliaj s’flet asnjë fjalë anglisht

Nga Londra
Muhamed Veliu

Ministria e Punëve të Jashtëme të Shqipërisë përfshihet në një tjetër skadal që ka të bëjë me emërimin e një dipllomati në Londër i cili nuk flet asnjë fjalë Anglisht.
Drejtoria e personelit, në këtë ministri, me miratimin e ministrit Lulzim Basha kanë emëruar si konsull në shërbimin konsullor pranë ambasadës shqiptare në Londër zotin Nuredin Aliaj me profesion zooteknik.
Ky post tejet i rëndësishëm në këtë ambasadë i është besur Aliajt i cili nuk ka asnjë lloj eksperience të mëparshme në dipllomaci.
Skandali thellohet akoma më tepër për vëtë faktin se Aliajt, do ti duhet të merret me legalizimin, përkthimin dhe autenticitetin e dokumentave që paraqesin emigrantët për t’i legalizuar, ndërkohë që ai nuk zotëron gjuhën angleze.
Po ashtu këtij dipllomati do ti duhet të bashkëpunojë me institucionet britanine sic janë ministria e jashtëme “Foreign Office”, ajo e brendëshme “Home Office” apo policia londineze “Scotland Yard”.
Ky emërim në kundërshtim me procedurat e emërimit të personelit në Ministrinë e Punëve të Jashtëme ka shkaktuar një sër problemesh në shërbimin konsullor pranë kësaj ambasade.
Emigrantët shqiptarë, pohojne se ata janë ndeshur me një sër vonesash në shërbimin konsullor.
Ata po ashtu pohojnë se e kanë patur të vështirë në legalizimin e dokumentave nga shqip në anglisht dhe anasjelltas, duke fajesuar konsullin e ri zotin Nuredin Aliaj.
Njëri prej tyre e ilustron këtë shqetësim duke deklaruar se e dashura nga Lituania, me të cilën do të martohet, e ka patur të pamundur të marrë një përgjigje nga sherbimi konsullor i ambasadës shqiptare pasi është paraqitur fizikisht në ambasadë dhe nuk ka mundur te bisedoje me zotin Aliaj.
Po i njëjti person thotë se e dashura ka tentuar të flasë në telefon me konsullin shqiptarë por nuk ka mundur pasi dikushi që i është pergjigjur telefonit ka sqaruar se nuk ndodhet asnje person në ambasade që mund të komunikoje me të.
I pyetur rreth këtij shqetësimi Zef Mazi ambasadori i shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar ka refuzuar të kometojë duke pohuar se kjo cështje i përket zyrës së personelit në Ministrinë e Jashtëme në Tiranë.
Madje Mazi nuk ka dashur që ky problem të behet bublik në media.
Ndërkohë kësaj ministrie ju la dy javë kohë për t’u prononcuar pasi ministri Basha nuk ka ndodhej në Shqipëri .
Dje një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtëme ka deklaruar, se kjo ministri, pasi është vënë në dijeni të situatës së krijuar në ambasadën shqiptare, në Londër ka marrë masa duke e zëvendësuar këtë dipllomat, që prej dates 11 Dhjetor me një tjetër.

Ambasada në Londër dy dhoma e një guzhinë

Nëse ka ambasadë më të shëmtuar të një vëndi në Londër, ajo është e Republikës së Shqipërisë. Ambienetet e saj përbehen nga dy dhoma dhe një guzhine, në katin e tretë të një ndërtese aspak të përshtatëshme për qëllime dipllomatike.
Kjo ambasadë nuk ka një dhomë pritje ku mund të qëndrojnë emigrantët e shumtë të cilët i drejtohen për shërbime konsullore.
Me shtimin e komunitetit shqiptarë në Angli këto 15 vitet e fundit, për c’do ditë mesatarisht 20 deri në 30 persona shkojnë në këtë ambasadë për kryer shërbime konsullore.
C’do mëngjes në hyrjen e godinës ku është ambsada, mblidhen një turmë e madhe njerëzish që shpeshherë ka tërhequr vëmendjen e policisë londineze pasi rruga në të cilët ndodhet ambasada është vetëm 100 metra larg pallatit mbretëror “Buckingham Palace”.
Emigrantëve shqiptarë përfshi shtetasit e huaj u duhet të presin me orë të tëra, në shi apo të ftohtin londinez për të mbaruar punët e tyre në këtë ambasadë e cila nuk ka kushtet më minamele për tu quajtur e tillë.
Shteti shqiptarë ka lënë në mëshirë të fatit këtë ambasadë e cila drejtrohet nga njëri prej dipllomatëve më të mirë që ka Shqipëria.
Pas Greqisë dhe Italisë, Britania e Madhe është vëndi i tretë me numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë të cilët janë kontribues të rëndësishëm në ekonominë shqiptare me dërgesat e parave.
Por ajo që vihet re ështrë se këta emigrant janë lënë jetim nga shteti i tyre. Mbi të gjitha zyrat e kësaj ambasade janë një turp në përfaqësimin me dinjitet të Shqipërisë në një prej vëndeve më të rëndësishëm në politikëbërjen botërore.











You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Tuesday, 2 December 2008

Ish-agjenti i SHIK-ut pret Vitin e Ri ne burgun anglez

Shtyhet për në janar ekstradimi i Ilir Kumbaros në Shqipëri

Nga gjykata "City of Westminster Magistrate Court”
në Londër
Muhamed Veliu

Për të parën herë në jetën e tij, Ilir Kumbaro do të kalojë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në një qeli burgu, mes ankthit se cili do të jetë fati i procesit të ekstradimit gjatë vitit 2009. Ish-punonjësi i SHIK-ut, Kumbaro, është lënë në qeli nga një gjykatës britanik deri më date 27 janar 2009, ku ai së bashku me avokatin mbrojtës do të prezantojnë një sërë provash se ai nuk është Ilir Kumbaro por Shaqa Shatri, një shtetas nga Jugosllavia.
Gjatë seancës se djeshme në "City of Westminster Magistrate Court në Londër" janë mësuar të tjera mistere që kanë të bëjnë me një fshehje pothuajse perfekte nga ish-shikasi Kumbaro, i cili siç pretendon pala shqiptare dhe oficerët e Scotland Yard, ka ndërtuar një identitet të ri.

Procesi

Pala mbrojtëse e Kumbaros nuk ishte gati t‘i parashtronte gjykatës argumentet se personi i arrestuar është Shaqa Shatri dhe jo Kumbaro, ish-drejtori i SHIKut për Tiranën që akuzohet për rrëmbim, torturë dhe vrasje me dashje të Remzi Hoxhës. Që në fillim të seancës së djeshme gjyqësore, që ka zgjatur më shumë se 60 minuta, Ilir Kumbaro ka shpalosur shenja nervozizmi kur i është kërkuar t‘i thotë gjykatësit emrin dhe datën e lindjes.
"Mos vallë doni t‘ju pohoj edhe tri data të ndryshme të ditëlindjes time që keni në dosje", është përgjigjur ai në anglisht me zë të lartë. Më tej Kumbaro me ndihmën e një përkthyeseje ka vijuar dëgjimin e seancës së katërt gjyqësore që kur u arrestua në mesin e tetorit 2008. Kumbaro, 63 vjeç, përfaqësohet në këtë proces ekstradimi nga avokati Xhon Xhons. Ai i kërkoi gjykatës më shumë kohë për mbledhjen e provave, ku përmes të cilave do të vërtetohet se klienti i tij është Shaqa Shatri dhe jo Ilir Kumbaro. "Na rezulton se në shërbimin mjekësor NHS ekzistojnë dy dosje, njëra me emrin Shaqa Shatri tjetra me emrin Ilir Kumbaro", deklaroi ai.
Në këtë moment ka ndërhyrë gjykatësi Evans, i cili e pyeti se si do të mund të siguronte dosjen "Kumbaro" kur ndërkohë ai në këtë proces përfaqëson Shaqa Shatrin, pasi një dosje e tillë është tërësisht konfidenciale me akses të limituar vetëm nga personi me të njëjtin emër. "I kemi kërkuar mjekut të familjes që ka dosjen e Ilir Kumbaros të na vërë në dispozicion të këtij procesi gjyqësor atë dosje", ishte përgjigjja e avokatit. Më tej ai ka vazhduar së argumentuari përse i duhet më shumë kohë, duke treguar një element të ri, të padeklaruar më parë, që ka të bëjë me një ekspert kriminalistik, i cili po harton një raport për mbrojtjen. "Po presim raportin e një eksperti që ka kryer krahasimin e fotos së klientit tim kur ai ka kërkuar azil në vitin 1996, me portretin e tij të sotëm, nëpërmjet metodës "Facial mapping", ka thënë avokati Xhons, i cili për herë të parë ka treguar të plotë strategjinë e mbrojtjes që do të vihet në zbatim në séance e radhës.

Mbrojtja

Avokati i Kumbaros ka hedhur hije dyshimi për autoritetet shqiptare, duke i akuzuar ata indirect për fshehje të fakteve të tjera që nuk janë përfshirë në dosjen me dokumente nisur gjykatës.
Pretendimi i tij kishte të bënte me faktin e një procesi gjyqësor në vitin 2003, ku së bashku me tre persona të tjerë Ilir Kumbaro është dënuar në mungesë dhe se gjykata ka rrëzuar akuzat. Avokati Xhons nuk ka paraqitur ndonjë provë shkresore për të mbështetur pohimin e tij. "E nëse kjo është e vërtetë, kredibiliteti i kërkesës së palës shqiptare në këtë proces është tejet i ulët dhe kjo nëse është e vërtetë do të më bëjë të dërgoj në shtëpi zotin Shatri", ka thënë gjykatësi, duke ju drejtuar përfaqësuesve të shtetit shqiptar.
"Në seancën e ardhshme dua të mësoj të vërtetën nga pala shqiptare rreth këtij pretendimi të zotit Xhons", deklaroi ai. Në fund të kësaj seance, kërkesa e avokatit Xhons është pranuar nga gjykatësi Nikolas Evans, i cili tha se është i prirë që ky proces ekstradimi të përfundojë sa më parë. Përfaqësuesja e shtetit shqiptar në këtë proces nuk ka paraqitur asnjë argument, ndërkohë që ka mohuar në mënyrë kategorike se gjatë kontrollit të shtëpisë ku banonte Ilir Kumbaro të jetë gjetur një certifikatëe të birit lëshuar nga zyra e gjendjes cilivile në Tiranë me emrin Ervin Ilir Kumbaro.
Ky fakt u bë publik disa ditë më parë, dhe u referohej burimeve nga prokuroria shqiptare. Palët në këtë proces do të paraqesin argumentet e tyre më 27 Janar 2009, ndërkohë që disa javë më vonë gjykatësi do të japë vendimin nëse personi i arrestuar është Shaqa Shatri apo Ilir Kumbaro. Seanca e djeshme është ndjekur nga tre të afërm të Kumbaros, të cilët qëndronin në galerinë e publikut, së bashku me dy përfaqësuese të "Amnesty International", të cilat janë përfshirë në çështjen e Remzi Hoxhës, duke ushtruar presion në qeverinë shqiptare për një hetim transparent.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

About Me

Veliupress


View My Stats