Thursday, 26 June 2008

Xhimi Marku më i forti Britaninë së Madhe

Xhimi Marku më i forti Britaninë së Madhe

Nga Londra
Muhamed Veliu

Xhimi Marku është shpallur njeriu më i fortë në Britaninë e Madhe për vitin 2008.
Si një "gladiator" i vërtetë i kohrave moderrne, gjatë konkurrimit "Britain‘s Strongest Man" që ka përdunduar dje, emigranti shqiptarë me banim në Londër ka lënë pas të gjithë konkurentët e tjerë duke realizuar kështu ëndrrën për ta fituar këtë titull që në momentin kur vendosi ti përkushtohej këtij sporti. Këtë vit konkurimi është zhvilluar në qytezën "Batlins Minehead" ku morën pjesë 16 konkurentë që përfaqësonin Anglinë, Irlandën, Skocinë dhe Wellsin. Marku 34 vjeç që në fillim të garës ka bërë një paraqitje të shkëlqyer duke qënë favority kryesor për t‘ja marrë titullin kampionit në fuqi Mark Felix. "Mark ishte kërcënimi kryesor për mua gjatë të gjithë garës. Por kisha besim të plotë se këtë vit vëndin e parë do ta fitoja unë" nis të rrëfejë Xhimi ekskluzivisht për Shqip aventurën e tij drejt fitimit të këtij titulli. Për shqiptarin me origjinë nga Tropoja ky eveniment mezi pritej, për shumë arsye. Më kryesorja për ti dhënë një përgjigje skeptikëve se edhë këtë vit Marku nuk do të mund ta fitonte vëndin e parë pasi vitin e shkuar ai u shpall i katërti pas një dëmtimi në pulpën e këmbës.

"Ky konkurim sëbashku me fitimin e titullit "Britain‘s Strongest Man" ishte një sfidë e vërtetë për mua që fatmirësisht ja dola mbanë. Vitin e shkuar shumë shqiptarë ishin skeptikë duke deklaruar se unë nuk do të mund të shpallesha njeriu më i fortë në Britaninë e Madhe. Për t‘ja shuar skepticizmin atyre ju përvesha punës duke u stërvitur gjatë të gjithë vitit. Dhe rezultati u pa. Ishte një moment i jashtëzakonshëm fitimi këtij titulli për mua personalisht dhe njëkohësisht për vëndin nga vi. Me këtë konkurim unë u tregova anglezëve se Shqipëria ka djem të fuqishëm të denjë për tu marrë me këtë sport" ka thënë ai. "Britain‘s Strongest Man" është një konkurim i përvitshëm nga ku zgjidhet njeriu më i fortë në Britani. Konkurimi është gjithashtu një fazë kualifikimi për "World‘s Strongest Man" "Njeriun më të fortë në botë" që zhvillohet në Amerikë.

Xhimi Marku ka dy vjet që i është përkushtuar këtij sporti. Pas kësaj fitore ai padyshim është shqiptari më i fortë në botë pasi është i vetmi shqiptarë që merret me një sport të tillë. Por ç‘farë do të thotë për Markun të qënurit njeriu më i fortë në Britaninë e Madhe? Pasi pozon për disa sekonda jep këtë përgjigje. "Fitimi këtij titulli nga ana ime tregon se ne shqiptarët po ju futëm diçkaje do t‘ja dalim për mbanë. Nuk ka njeri të na ndalojë. Më kujtojhet dita e parë kur vendosa të merresha me këtë sport. I vura një synim vetes për dalë njeriu më i fortë në Britani dhe ja arrita. Jam krenar për këtë". Në CV e tij Xhimi Marku ka të arkivuara edhe disa tituj të tjerë. Kështu në vitin 2006-2007 ai do të shpallej burri më i fortë në Angli.

Po në 2007 në konkusrin për "Britain‘s Strongest Man" do të shpallej i katërti. Konkurimi këtij viti do ta gjente atë në formë të jashtëzakonsheme sportive pamvarësisht një aksidenti të vogël me makinë kur por shkonte në vëndin ku do të zhvillohej kompeticioni sivjetshëm. "Arrita ti mund bindshëm të gjithë kundërshtarët e mi në të gjitha ushtrimet, saqë nuk kisha nevojë ta bëja ushtrimin e fundit pasi kisha mbledhur pikët e mundëshme për të qënë i pari" thotë Xhimi për të cilin kanë bërë tifo shumë shqiptarë dhe anglezë gjatë konkurimit. Tani ai është duke u përgatirur për një sfidë tjetër akoma të rëndësishme. Atë të kampionatit botëror "World‘s Strongest Man" që do të zhvillohet në West Virginia në Shator 2008. Sido që të jetë rezultani këtij konkurimi Marku pohon se dëshira e tij e madhe është marrja pjesë në shown më të rëndësishëm atë të quajtur "Arnold Classic".

Nuk mund të rrish pa e pyetur atë se nga buron kjo forcë e jashtëzakonshme për tu marrë me këtë lloj sporti. Xhimi Marku pasi vë buzën në gaz thotë: "Vjen nga trashgimnia ime familjare plus pastaj çelësi suksesit është shtërvitja internsive pesë herë në javë". Përfshirja në këtë lloj sporti tejet burrëror për të ishte krejt e rastësishme. Që në ditën e parë kur mbërriti si emigrant në Anglia gjëja e parë që do të kërkonte ishte gjetja e një palestre të mirë. Vitet kaluan shpejt dhe Xhimi ishte bërë një djalë popullor në një prej palestrave në lagjen Wembley. Një ditë menaxheri palestërës duke parë se muskujt e shqiptarit sa vinin e rriteshin duke u bërë akoma më të fortë i sygjeron të përfshihej në këtë sport. Duket se ka qënë një sugjerim mëse me vlerë për të cilin Xhimi i është mirnjohës. E ndërsa karriera Xhimi Markut po kap majat e këtij sporti ai nuk mjaftohet me kaq. Dëshira e madhe është të dërkojë një akademi të tijën ku të stërvisë kampionët e ardhshëm shqiptarë në këtë sport. Në fakt hapat për këtë i ka ndërmarrë.

Ai ka nisur të stërvisë një djalë nga Kosova që quhet Fatmir Haxa. "Famtmiri ka mundur të ndërtojë një trup plot muskuj dhe tani ai është i denjë të marrë pjesë në konkurse të ndryshme ku mund të vër në përdorim forcën që ka. Ishte jo me shumë fat në konkurimin e sivjetshëm për "England‘s Strongest Man".Një dëmtim në shpatull nuk e lejoji të shpaloste aftësitë e tij për tu kualifikuar. Nuk ka dyshim që vitin që vjen Fatmiri do të shkojë në finale" pohon Xhimi. Shqiptarët në Angli do të kenë mundësi ta ndjekin konkurimin ku Marku u shpall "Britain‘s Strongest Man" përmes Channel 5 në muajin gusht. Ata të cilët nuk mund të presim mjafton një kërkim në www.youtube.com me emrin Jimmy Marku ku mund të shikojnë shpalljen e ti si njeri më i fortë në Britani 2008. Atij kanë filluar ti mbërrinë urimet e para. Tashmë shqiptarët e Britanisë kanë një arsye më shumë për tu krenuar. Njeri më i fortë i vëndit ishull është Shqiptarë. Dhe kjo nuk është pak. Por si është e mundur që një talent shqiptar në këtë sport nuk është aspak i njohur në Shqipëri? Xhimi me modesti thotë se ka dashur të prezantohet publikisht në Shqipëri në të ardhëmen. Por indentifimimi i djalit gjigand, si një njeri që merret me një sport të tillë është realizuar pa nevojën e artikujve në gazeta apo në kronikave televizive.

Gjatë pushimeve vjet në Velipojë dhe Shëngjin Xhimi tregon se plazhistët janë marrosur me trupin e tij. Padyshim më shumë femrat që kërkonit të bënin foto me djalin që ka një trup të veçantë e që peshon 142 kilogram. "Nga një anë u ndjeva mirë nga një anë prezanca ime në plazh bëri të më rrethonin shumë njerëz duke më pyetur si kam mundur të ndërtoj një trup të tillë. Ata kërkonin të bëni foto gjë të cilën e pranova me kënaqësi. Ditën tjetër mu desh të rrija në çadër" rrëfen Xhimi për pushimet në bregdetin shqiptar. Edhe atje ai ka demostruar se sa i fortë është dhe ç‘farë mund të arrij falë saj. Kur plazhistët në Shëngjin mësuan se ai merrej më ngritjen e peshave të rënda ju kanë lutur të ngrijë një makinë. "Nuk ja prisha qejfin. Ngrita peshë një makinë Reno" tregon Xhimi. Tani që ai është "Britain‘s Strongest Man 2008 " Xhimi Marku i ka të gjitha potencialet të bëhet ambasadori më i mirë i për Shqiptarët në Britaninë e Madhe me imazh të nëpërkëmbur e nxirrë padrejtësisht nga mediat britanike.

Duke qënë se ky lloj sporti në të cilin fatëmirësisht ai po shkëlqen ndiqet masizivsh përmes ekraneve televiziv nga miliona njerëz paraqitja e tij me origjinën shqiptare do të thotë shumë. Për këtë mjafron të hedhim sytë nga eksperienca italiane e shqiptarëve të atjeshëm. Në vitet e para të emigracionit shqiptar në Itali mediat avendase ja faturonin xhdo lloj krimi që ndodhte shqiptarëve. Fjala shqiptar për Italianët identifikojej me krimin. Fatmirësisht një situatë e tillë nuk zgjati gjatë. Disa të rinj kërcimtarë në emisionin e gazetares Maria De Filipi bënë ndryshim. Të talentuarit Ambreta Toromani, Leon Çino, Klajdi Kadiu falë aftësive të përkryera si balerinë u shndërruan në idhuj për të rinjtë Italianë. Revistat filluan ti kenë në faqe të parë. Mediat elektronike u kushtuan programme të tëra televizive duke analizuar suksesin e arritur. Madje ata tashmë njihen në Itali si "Bravi-Albanezi" një titull që vjen më shumë se kaq. Ata ndryshuan imazhin e shqiptarëve në gadishullin Apenin. A mund të ndodh një dicka e tillë në Britaninë e Madhe? Padyshim që po. Njëri prej atyre të cilët mund të jetë ambasadori ynë më i mirë mes shumë të tjerëve që ne të tjerët të krenohemi pse jo të mburremi është Xhimi Marku.

Pamvarsisht se në këtë konkurs ai garon për Anglinë, kurrë nuk është kursyer të thotë se është shqiptarë. "Ëndrra ime është të shpallem kampion bote duke ngritur flamurin shqiptarë" shprehet Xhimi Marku "gladiatori" shqiptarë i kohrave moderne. Me vullnetin që e karakterizon ajo ditë nuk duket aspak e largët për ta pare atë njeriun më të fortë të botës duke ja rrëmbyer titullin polakut Marjus Puxhanovski që e mban këtë titull katër herë radhazi.



You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Tuesday, 24 June 2008

Britani, komuniteti shqiptar, më të mirët në organizim

Nga Londra
Muhamed Veliu

"London School of Economics" nderon studentët shqiptarë për promovimin e traditave
Organizata studentore "LSE Albanian Society" është nderuar me çmimin "Best Overall Society" 2007-2008. Kjo do të thotë se mini-komuniteti shqiptar në ekonomikun e Londrës është vlerësuar si organizata më e mirë e huaj që ka promovuar më mirë traditat shqiptare. Por jo vetëm kaq. Organizata shqiptare është vlerësuar për sjelljen e mirë, inteligjencën në përzgjedhje, rezultatet e mira në mësime, për organizimin e debate apo realizimin e aktiviteteve kulturore duke promovuar traditën shqiptare. Jehona e fitimit të këtij çmimi vazhdon ende në korridoret e kësaj shkolle si një arritje për t‘u pasur zili nga të gjithë studentët nga viset shqiptare që kryejnë studimet në universitetet britanike, pse jo edhe në ato botërore.

Alfred Kovaçi, kreu i "LSE Albanian Society", thotë se ky është një vlerësim maksimal për punën e bërë deri tani, por njëkohësisht edhe një motivim dhe detyrim për studentët shqiptarë që ndjekin studimet në Britani. "Shanset për të fituar çmimin e parë ishin të pakta, pasi konkurrent kishim shoqata me një traditë të gjatë dhe emër të madh në LSE, siç janë "Economics Society", "Finance Society", "Business Society", "Conservative Society", "Labour Society", "German Society", "Italian Society", shoqata këto që kanë anëtarësi dhjetëra herë më të madhe në numër se ne, si dhe sponsorizohen nga bankat më prestigjioze të investimeve në të gjithë botën", sqaron Kovaçi. Sipas tij, kriteret që janë marrë parasysh për vlerësimin e shqiptarëve janë evenimentet cilësore që kanë organizuar "LSE Albanian Society".

Deri më tani në "London School of Economics" janë identifikuar 16 shqiptarë, por numri mund të jetë edhe më i lartë. Gjysma e tyre janë në LSE për studime universitare, ndërsa pjesa tjetër janë për studime pasuniversitare, kryesisht për të mbrojtur gradën "mjeshtër shkencash" në fushat e tyre përkatëse.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Saturday, 21 June 2008

Claunchy rrëfen jetën e Antigonës

Claunchy rrëfen jetën e Antigonës

Shkrimtarja Kate Claunchy hedh në libër jetën e pastrueses së saj nga Kosova, emigrante në Londër

Nga Londra
Muhamed Veliu

Shpeshherë, dadot e fëmijëve apo pastrueset e shtëpive që kryejnë shërbimet e tyre në familjet e klasës së mesme shikohen si njerëz që bëjnë një punë që gratë e kësaj shtrese për një arsye apo tjetrën nuk mund ta bëjnë. Gratë e këtyre familjeve që ia mban xhepi të kenë një dado apo pastruese harrojnë se nga puna e këtyre grave ato mund të vazhdojnë pa asnjë problem karrierën, e cila mund të ndërpritet për shembull nga lindja e një fëmije.

Në të gjitha vendet e Evropës në veçanti, Britaninë e Madhe, dadot apo pastrueset e shtëpive janë profesione që u përkasin vajzave apo grave lindore kryesisht polake, lituaneze, madje edhe shqiptare. Kate Claunchy është një shkrimtare britanike, e cila ka publikuar shumë libra. Pastruesja e saj për disa vite ka qenë një vajzë nga Kosova, e quajtur Antigona. Nga marrëdhënia mes tyre për disa vite me radhë autorja britanike u inspirua të shkruajë librin e saj të radhës. Ka vetëm pak ditë që në libraritë britanike ka dalë libri "What Is She Doing Here? A Refugee‘s Story" "Çfarë është duke bërë ajo këtu? Historia e një refugjateje".

Autorja britanike me detaje përshkruan në librin e saj me detaje që ditën e parë kur punësoi Antigonën, duke e vënë veten e saj në rolin e një punëdhënësi autoritar, por që më pas krijon një lidhje nga e cila lind një simpati e veçantë mes dy grave. Antigona përshkruhet në libër si një grua shembullore, e cila e pastron shtëpinë sikur të ishte një laborator mjekësie, i rrit fëmijët e punëdhënëses sikur të ishin fëmijët e saj. Por Antigona është vetë nënë, e cila i shikon fëmijët e saj gjatë pushimit mes punës si pastruese dhe kameriere. E ndërsa gazetat e krahut të djathtë si "Daily Mail", "Daily Express" apo "The Sun" trumbetojnë me të madhe se të huajt janë atë që po zënë vendet e punës së britanikëve, autorja Claunchy, e cilësuar si një grua me ide liberale në libër, nuk i shmanget përcjelljes së disa detajeve që e nxjerrin personazhin e saj në libër, Antigonën, më shumë si një emigrante ekonomike sesa një vajzë që u shpëtoi bastisjeve serbe.

Është pjesa e dytë e librit, ku autorja merret gjatë me të shkuarën e Antigonës. Arsyeja kryesore përse ajo erdhi në Britani ishte konflikti në vitin 1999 në Kosovë, ku shtëpia e saj u dogj, ndërsa e bija në mënyrë brutale u keqtrajtua.Shqiptarja, pasi ka krijuar një marrëdhënie të ngrohtë me autoren britanike i tregon me detaje historinë e jetës së saj pa e ditur se bisedat një ditë do të botoheshin në një libër ku Kate Claunchy e konsideron atë thjesht një emigrante ekonomike. Autorja britanike zbulon se Antigona përpara se të mbërrinte në Britani kaloi nga Italia dhe Belgjika vende ku mund të kishte kërkuar azil.

"Ajo nuk ishte një refugjate lufte, ajo është një emigrante ekonomike, e cila u trafikua me ndihmën e trafikantëve të qenieve njerëzore. Kur ajo mbërriti në Angli, i vëllai e detyroi të sillte bashkëshortin duke i paguar atij udhëtimin me kamion paksa se Antigona e kishte denoncuar atë në polici më parë si një bashkëshort violent", shkruhet në libër. Konkluzioni ku ka dashur të dalë autorja është vetëm një. Sa të dobët kanë qenë kufijtë e Britanisë së Madhe gjatë dhjetë viteve të shkuara.

Po të lexosh me vëmendje librin faqe pas faqe gjithmonë e tepër arrin të kuptosh se përpjekjet e autores britanike në të kuptuarin e së shkuarës së Antigonës kanë dështuar. Për të gjetur një përgjigje të jëtës së vështirë se shqiptares nga Kosova ajo e fut rrjedhën e ngjarjeve në një rrugë pa krye duke fajësuar Kanunin për c’do padrejtësi ndaj grave në Kosovë .

Libri “C’farë është duke bërë ajo këtu? Historia e një rrefugjateje” që britanikët e kanë në duar është sa dashamirës ndaj pesonazhit të vetëm në të po aq edhe mjegullues. Autorja nuk jep një përgjigje përfundimtare nëse Antigona e meriton të jetojë në Britaninë e Madhe, pamvarsisht se bën dy punë të cilat nuk guxohen ti afrohen bashkëpatriotet e autores Kate Claunchy.



You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Thursday, 19 June 2008

Albani, nga bari dhish në asistent i deputetit britanik

Nga Londra
Muhamed Veliu

Alban Bytyci është një emër i njohur për komunitetin shqiptar në Angli.
Nuk ka veprimtarisocial-kulturore, sportive, apo nga ato me karakter politik që ai mos të jetë prezent. Epiteti"i gjithanshëm" është përcaktuesi më i saktë që mund të gjendet për ta përkufizuar me një fjalëtë vetme këtë djalë kaq energjik e tejet popullor mes bashkëmoshatarëve shqiptarë e të huaj në kryeqytetin britanik. Si gjithmonë i veshur sportiv ai është i përpiktë me kohën e takimit,jo shumë larg shtëpisë ku banon prej disa vitesh në Soho.

Biseda jonë nis shumë vite pas në kohë, kur ai ka mbaruar studimet në shkollën 8-vjeçare. "Kisha dëshirë të madhe të mësoja. Kushtet nuk ishin. Kështu, si shumë bashkëmoshatarë të mi, me të mbaruar tetëvjeçaren iu futa punës si bari", fillon rrëfimin Albani. Gjatë gjithë bisedës ai e thekson me të madhe se pavarësisht kusteve ai donte të shkollohej me çdo kusht.
Ky është edhe shkaku primar për të cilin do të braktiste vendlindjen për t‘iu drejtuar një bote të re, ku shpejtësia me të cilën jetohej e punohej ishte jashtëzakonisht e madhe krahasuar me atë të një bariu. Kjo nuk e trembi. Përkundrazi e bëri që edhe ai të motivohej për të kapur shpejtësinë e ritmit të jetës. Përpara kishte shumë sfida, të cilat kur ai i mendon se i ka kapërcyer me sukses.

Ishte viti 2000 kur mbërriti në Britaninë e Madhe. Ishte vetëm 20 vjeç. Gjëja e parë që bëri ishte puna për një indian që kishte lindur në Angli, vetëm e vetëm për të mësuar gjuhën. Ishte një hap i menduar mirë.

Vetëm disa muaj më pas ishte në gjendje të komunikonte anglisht. Shtatorin e atij viti i drejtohet kolegjit të quajtur "Barnfield College", në qytezën Luton, duke treguar interes për të studiuar në degën e Anglishtes dhe Medias. "Anglishtja juaj nuk është e mjaftueshme për t‘u regjistruar në një kurs të tillë", kanë qenë fjalët e pedagoges së pranimit që po e intervistonte. Albani këmbënguli duke i thënë. "Ka vetëm disa muaj që kam ardhur në Angli. Nuk flisja asnjë fjalë. Tani unë po komunikoj me ju në anglisht.

Në këto muaj unë kam avancuar shumë. Ma jepni mundësinë të studioj. Keni për ta parë se nuk do të kem asnjë problem". E shtangur nga ngulmimi i Albanit, profesoresha vendos ta pranojë. Kursi njëvjeçar do të mbaronte shumë shpejt për të. Duke befasuar të gjithë klasën, shqiptari "me anglishte jo të mjaftueshme për të ndjekur atë kurs" renditet në radhën e atyre që u shpallën "Silver students". Por si ia arriti diçkaje të tillë? Albani thotë: "Me këmbëngulje. Qëndroja në kolegj për 12 orë. Punoja në darkë për 7 orë, kohën që mbetej e përdorja për të studiuar në shtëpi dhe pak gjumë".
Të studiuarit për një vit Media e bënë atë të mendojë se gazetaria gjëja që donte të bënte në jetë. Aq më tepër që kishte krijuar idhullin e tij në BBC, editorin ndërkombëtar, të madhin Jonhn Simpson. Hapi tjetër drejt shkollimit në nivel universitar ishte ndjekja për një vit e një kursi që njihet si "Akses në edukimin e lartë". Ndërkohë që ndiqte këtë kurs, Albani tregon se si nisi të punonte në një kompani avokatore si postier i brendshëm dhe i jashtëm.

Pasi konkurroi në disa degë të ndryshme në universitetin "Kings College" të Londrës, vendosi të studionte në degën "Studime Amerikane", duke braktisur deri diku aspiratën për t‘u bërë gazetar, por jo tërësisht. Ishte viti 2003 kur ai u ul për herë të parë në këtë tempull dijesh, që renditet ndër universitet më të mira në Angli. Shpeshherë, me të drejtë miqtë, apo ata që nuk e njohin, kur bisedojnë me Albanin rreth zgjedhjes së kësaj dege që tingëllon disi e çuditshme për një joamerikan, marrin prej tij një përgjigje tejet të argumentuar:"Në viset shqipfolëse ka një frymë pro amerikane tejet të theksuar".

Po nga buron ky pro amerikanizëm i ‘çmendur‘ te shqiptarët? Nuk merrja përgjigje. Për këtë vendosa të studio në këtë degë. Dhe përgjigjen e enigmës së proamerikanizmit të shqiptarëve e mora pas tre vitesh studimi. Ishte historia reciproke e Amerikës me Shqipërinë që tregon këtë dashuri amerikane aspak të verbër. Janë arsyet historike ato që dominojnë. Ishte ish-amerikani President, Woodrow Willson, ai i cili në vitet 1900 vendosi që shqiptarët të kishin të drejtën e vetëvendosjes. Dhe kjo nuk është pak". Pas përfundimit të studimeve, Albani në vitin 2006 u trajnua për mësimdhënie në degën "English Speaking Other Language" ("Anglishtja përfolësit e gjuhëve të tjera").

Tani ai është punësuar si mësues në "City of Westminster College" në Londër, ku krahas të mësuarit të huajve anglisht, u jep mësim edhe studentëve vendas në degën "Aftësi themelore dhe biznes",duke i parapërgatitur ata për arsimin e lartë. Promovimi i autorëve shqiptarë është një tjetër aspekt të cilit ai i kushton një vëmendje të veçantë. Aktiviteti më i fundit i kësaj natyre, që mban firmën e organizatorit nga Alban Bytyci, ishte promovimi i librit më të fundit të autorit Gëzim Alpion.

Ruajtja e trashëgimisë muzikore shqiptare dhe përdorimi i saj sa më gjerësisht nga shqiptarët e Anglisë ka qenë dhe mbetet një tjetër angazhim i Bytycit. Çdo muaj ai kthehet në promotor i mbrëmjeve me muzikë shqiptare në ambientet e ngrohta të shtëpisë së madhe, gjithnjë me dyer të hapura për shqiptarët e Londrës, "Bar Koha". "Nostalgjia e tingujve Shqip", me këtë emër ai i ka pagëzuar këto mbrëmje që tërheqin shumë të rinj duke vallëzuar deri në orët e para të mëngjesit nën ritmet e muzikës shqiptare nga të gjitha trevat.

Nuk mbarojnë këtu aktivitetet e tij. "London Mjaft Club", së bashku me Ralf Gjonin, do të ishte angazhimi i radhës, ku Alban Bytyci nuk do të hezitonte t‘i thoshte jo. Me dhjetëra veprimtari në Parlamentin britanik, duke bërë lobing për Shqipërinë dhe Kosovën, protesta përpara ambasadës greke në Londër për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në vendin helen, si dh shumë të tjera, mbajnë Brenda tyre mundin e organizimit të tij. Tashmë, pas largimit nga Anglia të drejtorit të këtij klubi, zotit Ralf Gjoni, atij i është besuar drejtimi "London Mjaft Club". Megjithëse shpeshherë kritik me politikanët shqiptarë, Alban Bytyci e shikon politikën si një fushë ku ka shumë për të eksploruar.

Për këtë ai fitoi respektin e deputetin britanik, John Grogan, i cili do ta bënte pjesë të bashkëpunëtorëve të ngushtë, duke i besuar rolin e ndihmës asistentit. "Në moshën 16 deri 20-vjeçare isha një njeri i pashpresë. Jeta ime ndryshoi e mori kuptim kur mbusha 20 vjeç, falë vendosshmërisë për të ardhur në Angli, ku hulumtova shumë gjëra dhe vazhdoj ta bëj akoma në çdo minutë të jetës sime", janë fjalët e fundit, tejet të sinqerta, gjatë bisedës së gjatë e interesante me Alban Bytycin, që nuk e la jetën të rridhte mbas një bariu të përjetshëm mes malesh, duke ruajtur dhitë.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Monday, 16 June 2008

Policia, "zbor" emigrantëve që vijnë nga Anglia

Shoqatat paralajmërojnë protestë përpara ambasadës shqiptare në Londër

Nga Londra
Muhamed Veliu

Emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe kanë shprehur indinjatën e tyre se si ata po trajtohen nga policia shqiptare kur mbërrijnë në Aeroportin e Rinasit apo Portin e Durrësit.
Shqiptarët që kanë mundur të pajisen me pasaporta britanike, të cilët vijnë me pushime në vendlindje, po ndeshen me një mori pyetjesh që kanë të bëjnë me fitimin prej tyre të pasaportave, madje u kërkohet të rrëfejnë edhe se ku do të shkojnë. Shoqatat e emigrantëve në Londër, përballë një situate të tillë, pohojnë se janë duke parë mundësinë e protestës përpara ambasadës shqiptare në Londër, nëse abuzimet me emigrantët nuk do të ndalen nga shteti shqiptar. "Ankesat e emigrantëve tanë që shkojnë me pushime nga Anglia në Shqipëri sa vijnë e shtohen. Ata po trajtohen në mënyrë aspak të denjë kur u kontrollohen pasaportat. Madje ka pasur raste kur kontrollorët e pasaportave në pikat aeroportuale u kanë thënë emigrantëve duke u bërë presion se do t‘ia sekuestrojnë pasaportën me pretekstin se e kanë fituar me mashtrim", deklaroi, Lutfi Vata, drejtor i shoqatës "Ardhmëria" në Londër.
Sipas gazetarit të gazetës "Shqip" në Durrës, Vali Qyrfyqi, dy ditë më parë, në Portin e Durrësit, shqiptari me nënshtetësi britanike Astrit Shëngjergji u arrestua nga strukturat antikorrupsion të policisë së këtij qyteti. Motivi i arrestimit sipas policisë ka qenë hetimi i gjenialiteteve të pasaportës britanike.

Reagimi

Shoqatat e emigrantëve në Londër thonë se janë dakord që duhet të bëhet pa diskutim zbatimi i ligjit në pikat e kontrollit të kufirit të shtetit shqiptar, në arrestimin e personave që janë të kërkuar dhe mund të jenë pajisur me pasaporta britanike. Por sipas tyre, emigrantët e ndershëm nuk duhen të futen në një thes duke u bërë presion psikologjik, madje t‘u merren pasaportat. Në ato raste kur policia dyshon se ka të bëjë me individë që kërkohen prej drejtësisë, duhet të veprojë.
Ka qenë i menjëhershëm edhe reagimi i "Klubit Londinez të Lëvizjes Mjaft" ("London Mjaft Club"). Alban Bytyçi, aktivist i saj, shprehet se policia duhet të zbatojë padyshim ligjin në ato raste kur ja vlen për t‘u hetuar dhe jo të nisë një fushatë vënieje "gjobash" për shqiptarët e thjeshtë që shkojnë me pushime.
"Është e arsyeshme që policia shqiptare të hetojë rastet e falsifikimeve apo aktiviteteve që bien ndesh me ligjet shqiptare apo ato ndërkombëtare ku Shqipëria aderon. Ndërkohë besojmë që trysnia e tipit ‘fshesë‘ që ushtrohet mbi të gjithë mërgimtarët shqiptarë si të ishin në vendin fqinj në Jugun e Shqipërisë, është një praktikë që ne si ‘London Mjaft Club‘ në diasporë mendojmë që do të armiqësojë emigrantët me institucionet e vendit amë. Si rrjedhojë, kjo do të ndikojë negativisht në rolin ekonomik që diaspora luan me dërgesat e parave në vend. U bëjmë thirrje organeve përkatëse të rishikojnë dhe të ndërpresin praktikën e deritanishme që shumë mërgimtarë e kanë përshkruar si arrogancë institucionale ndaj tyre".

Një vit më parë

I njëjti problem me keqtrajtimin e emigrantëve shqiptarë që vijnë nga Anglia është vënë re edhe vitin e shkuar. Pas një interesimi nga "Top Media" për këtë problem, vetë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, premtoi se strukturat e kontrollit të pasaportave në pikat kufitare do të sillen në mënyrë korrekte me shqiptarët që vijnë nga Anglia. Duket se vartësit e zotit Nishani e kanë harruar këtë pohim të shefit të tyre një vit më parë dhe me sa duket kanë nevojë që t‘u përsëritet se ata janë atje të kontrollojnë pasaportat dhe jo t‘i marrin në pyetje emigrantët njësoj sikur ata të kenë bërë ndonjë krim.

Protesta

"Shqip" ka mësuar se në ditët në vazhdim pritet zhvillimi i një takimi me pjesëmarrjen e të gjitha shoqatave shqiptare në Angli për të diskutuar rreth këtij problem. Organizatorët e takimit pohojnë se gjatë tij do të diskutohen hapat e mëtejshëm. Fillimisht nga ky takim do t‘i dërgohet një letër proteste Presidentit Bamir Topi dhe Kryeministrit Sali Berisha për t‘i dhënë fund të tilla bezdisjeve që po ndeshin emigrantët që vijnë nga Anglia. Gjatë takimit do të diskutohet edhe rreth një proteste të mundshme përpara ambasadës shqiptare në Londër, nëse autoritetet e larta shtetërore nuk do të marrim masat e duhura për t‘i thënë stop këtij presioni policor në pikat e kontrollit të pasaportave.



You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Sunday, 15 June 2008

Vrau në Londër bashkëqytetarin, prangoset 33-vjeçari

Gazeta Shekulli

Policia e Shkodrës ndaloi një 33-vjeçar, i cili akuzohet si autor i një vrasjeje të ndodhur në Angli në vitin 2000. Taulant Çefa, 33-vjeç, lindur e banues në lagjen “Kongresi i Përmetit”, në Shkodër është vënë në pranga me akuzën e vrasjes me dashje të kryer në bashkëpunim.

Ngjarja për të cilën akuzohet Taulant Çefa është e njohur në qytetin e Shkodrës dhe ka ndodhur më 25.10.2000 në një lagje të Londrës, në 8 Luke’s Path Ilford Essex, ku është vrarë me thikë Florjan Ndoja, po nga Shkodra. Trupi i tij është gjendur i masakruar në banesën ku jetonte, tre javë më vonë, më 18 nëntor.

Për këtë ngjarje, policia angleze ka akuzuar dy vëllezërit, Pjerin e Taulant Çefa, shokë të afërt të viktimës, si në Shkodër ashtu dhe në Angli. Mësohet se pas ngjarjes, ata të dy kanë lënë Londrën e janë kthyer në Shqipëri, ku edhe janë ndaluar nga policia. Pas ndalimit, në Shkodër, Pjerin Çefa ka marrë përsipër autorësinë e vrasjes së Florian Ndojës dhe ka qëndrur në burg deri në përfundim të gjykimit, ndërsa vëllai i tij Taulanti është lënë i lirë.

Më 25.08.2002, çështja në ngarkim të Pjerin Çefës është pezulluar, pasi gjykata e Shkodrës e ka nxjerrë atë të papërgjegjshëm në momentin e kryerjes së krimit të ndodhur në Angli dhe ai është dërguar në një spital psikiatrik.

Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me prokurorinë e këtij rrethi kanë vendosur rifillimin e hetimeve për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Angli dhe për këtë analizat e AND-së, të dyshuarit tjetër si autor i kësaj ngjarjeje, Taulant Çefa janë dërguar në Angli për t’u bërë krahasimi shkencor me gjurmët e shumta të gjetura nga policët anglezë, në vendin e ngjarjes.

Burime nga policia bëjnë të ditur se më 7.5.2008 është kthyer përgjigje nga autoritetet policore angleze, sipas të cilave dyshohet se Taulant Çefa është bashkëpunëtor në krimin e kryer, së bashku me vëllanë e tij. Nisur nga kjo, gjykata e Shkodrës, ka vendosur masën e sigurisë, arrest me burg. Ndërkohë që policia ka bërë ndalimin e tij, brenda në banesë.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Wednesday, 11 June 2008

Angli, 1,115 shqiptarë fitojnë nënshtetësinë britanike

Angli, 1,115 shqiptarë fitojnë nënshtetësinë britanike

"Home Office" publikon të dhënat për vitin e kaluar. Gati ligji i ri për emigracionin

Nga Londra
Muhamed Veliu

Ministria e Brendshme britanike "Home Office", përmes një raporti të detajuar, ka publikuar numrin e personave që kanë marrë nënshtetësi britanike gjatë vitit 2007. Nga ky raport mësohet se 1115 shtetasve shqiptarë u ka buzëqeshur fati të fitojnë nënshtetësinë britanike. Prej tyre, 380 e kanë fituar nënshtetësinë, pasi kishin marrë më parë të drejtën e rezidentit në Britani. Nga martesat me shtetase angleze apo evropiane, që jetojnë në Britani, kanë përfituar nënshtetësinë britanike 595 veta. Në kategorinë e fëmijëve shqiptarë tashmë shtetas britanikë, sipas raportit janë 130. Vendin e parë në Ballkan për numrin më të madh të personave që kanë fituar të drejtën e mbajtjes së qytetarisë britanike e ka Serbia dhe Mali i Zi me 3485 persona, nga të cilët 2195 si rezidentë, 400 nga martesat dhe 885 fëmijë. Nëse këto shifra krahasohem me vitet e mëparshme janë disa herë më të larta, duke u dhënë kështu mundësi përfituesve të nënshtetësisë britanike t‘u thonë "lamtumirë" kokëçarjeve me procesin e legalizimit në shtetin ishull, ku ligjet e emigracionit ashpërsohen dita-ditës.

Heqja e nënshtetësisë

E nëse 1115 i gëzohen pasaportës britanike, shumë të tjerë janë nën ankth se ç‘do të ndodhë me ta. Bëhet fjalë për atë kategori shqiptarësh, që janë vënë nën hetim për përfitim të nënshtetësisë përmes mashtrimit."Zbulimi i mashtrimit te disa emigrantë shqiptarë në Britaninë e Madhe ka ardhur për vetë fajin e tyre. Ata kanë paraqitur në ambasadë certifikata lindjeje, të noterizuara në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, përmes të cilave vërtetojnë se nuk kanë lindur në Kosovë, ashtu siç shkruhet në pasaportat e tyre britanike, por në Shqipëri. Kjo është bërë për efekt të sjelljes së bashkëshorteve apo dërgimin e garancive për familjarët e tyre, me qëllim marrjen e vizave". Ky është pohimi i një avokati në Londër, që merret me çështjet e emigracionit.Të tilla raste janë raportuar nga Ambasada Britanike në Tiranë te "Home Office", e cila ka ngritur një departament të veçantë për hetimin e rasteve kur nënshtetësia britanike është marrë me mashtrim.Në një prononcim për mediat vitin e shkuar, kjo ambasadë paralajmëroi se "qeveria britanike nuk do të tolerojë abuzimin e sistemit të emigracionit dhe, sa herë që të zbulohen raste të tilla abuzimi, do të kryhen hetime të hollësishme dhe do të merren masa të ashpra". "Nëse do të provohet që një individ e ka fituar nënshtetësinë britanike duke mashtruar, falsifikuar apo fshehur fakte materiale, për shembull duke u hequr si shtetas i një vendi tjetër, atëherë ligji lejon që atij t‘i hiqet nënshtetësia", pohojnë zyrtarë të lartë të emigracionit. "Në të njëjtën mënyrë, nëse një individ e ka fituar statusin e refugjatit dhe, si rrjedhim edhe lejen e qëndrimit në Britani, duke mashtruar, atëherë është e mundur që atij t‘i anulohet ky status refugjati dhe po ashtu dhe leja e qëndrimit". Këto sanksione i parashikon neni 41 i ligjit britanik për shtetësinë, i miratuar në vitin 1981.Për këtë çështje pritet një vendim përfundimtar nga "Home Office", e cila do të këmbëngulë deri në gjykata që falsifikatorët dhe mashtruesit, përveç heqjes së nënshtetësisë, të përballen me drejtësinë. Proceset e tilla do të marrin në shqyrtim faktin pse është bërë mashtrimi, gjendjen familjare, statusin e punës dhe kontributin në shoqërinë britanike.

Ligji i ri

Qeveria britanike pritet t‘i paraqesë Mbretëreshës Elisabeta II një sërë ligjesh, ku më i rëndësishmi konsiderohet "The Citizenship, Immigration and Borders Bill" - ligji për "Qytetarinë, Emigracionin dhe Kufirin". Analistët e çështjeve të emigracionit thonë se ky ligj përbën një ndryshim radikal që pëson ai për qytetarinë dhe emigracionin këto 35 vitet e fundit.

Precedenti
Në gjyq shqiptarja

Deri tani "Home Office" ka çuar në gjykatë një shqiptare, për të cilën ka vërtetuar se e përfitoi nënshtetësinë britanike me mashtrim. Zonja Elda Derri do të gjykohet gjatë kësaj fundjave, në një gjykatë londineze. Për të është ngritur akuza e dhënies së deklaratës false kur ka aplikuar për nënshtetësinë.Ekspertë të emigracionit e konsiderojnë këtë rast si një "Test Case" (rast testimi) nga "Home Office". Nëse shqiptarja e humb këtë rast, atëherë për "Home Office" kjo bëhet një "Case Law" (precedent ligjor) dhe do të merret si shembull për rastet e tjera.Për këtë rast, mësohet se avokatët e shtetases shqiptare, së cilës për arsye etike nuk i publikohet identiteti, do të argumentojnë në gjykatë se ajo ka dy fëmijë të lindur në Londër dhe se ata si familje kanë dhjetë vjet që jetojnë në këtë vend. Por burime nga "Home Office" pohojnë se ky institucion po përgatit një politikë të re posaçërisht për këto raste, pasi e kanë kuptuar se problemi ka qenë më i madh nga sa e kanë menduar.Vitin e shkuar, "Home Office" deklaroi se u ka dërguar 217 shqiptarëve kërkesa për të dorëzuar pasaportat britanike, pasi janë nën hetim për përfitimin e tyre duke mashtruar.


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Monday, 9 June 2008

"Zhduket" në Kukës nëna e shqiptarit të kërkuar në Angli

"Zhduket" në Kukës nëna e shqiptarit të kërkuar në Angli

Gjykata britanike sqaron identitetin e vërtetë të "britanikut" Arsim Murtati nga Prizreni. Ngec procesi i ekstradimit

Nga Londra
Muhamed Veliu

Procesi i ekstradimit të një shqiptari të kapur në Angli ka marrë trajta komike, kur avokatja mbrojtëse e shtetit shqiptar në këtë proces, Rachael Barnes, ka deklaruar se "nëna e Arsim Murtatit është zhdukur". Nuk bëhet fjalë për ndonjë zhdukje të tipit mafioz, por të qëllimshme. E gjitha kjo, vetëm e vetëm për të ndihmuar bllokimin e ekstradimit të të arrestuarit në Angli me kërkesë të Interpol Tiranës. Që në momentin e arrestimit, deri në seancën e fundit gjyqësore, Arsim Murtati ka pretenduar se policia britanike, në bashkëpunim me atë shqiptare, kanë arrestuar njeriun e gabuar. Ai është Arsim Murtaku (i ndryshon mbiemri), shtetas kosovar nga qyteti Prizrenit. Zyra e Interpol Tiranës, e bindur se ai ishte i kërkuari Arsim Murtati ka dashur të përdorë testin e ADN-së, në mënyrë që saga e identitetit të merrte fund sa më parë.Nga procesi gjyqësor në Londër, i zhvilluar në Gjykatën e Ekstradimeve "City of Westminster Magistrate Court", u mësua se për të ndërmarrë këtë detyrë është ngarkuar Policia e Kukësit. Kur blutë e këtij qyteti kanë shkuar në fshatin Shtiqën për të marrë kampione të pështymës së nënës së tij, zonjës Hava Murtati, ajo nuk ndodhej në shtëpi. E njëjta gjë ka ndodhur disa herë me radhë, kur ata kanë tentuar ta kontaktojnë atë.

Identiteti

Arsim Murtati, i dënuar në mungesë me 11 vite e 6 muaj burg për pjesëmarrje në një grup grabitësish të armatosur, ka humbur betejën e parë të bllokimit të ekstradimit. Gjatë të gjithë procesit ai ka deklaruar se është Arsim Murtaku nga Prizreni. Madje, ka dorëzuar në gjykatë një certifikatë jugosllave, lëshuar në vitin 2000 dhe një tjetër nga UNMIK-u në vitin 2007, kohë kur u prangos nga skuadra e ekstradimeve në "Scotland Yard". Krahas tyre, ai dorëzoi edhe një diplomë shkolle fillore në Prizren. Por të gjitha këto nuk kanë pirë ujë. "Jam më se i bindur se përmes mashtrimit ju keni ndërtuar një identitet të ri, që kur keni ardhur në Britaninë e Madhe", u shpreh gjykatësja Daphine Whickam, gjatë leximit të vendimit për çështjen e identitetit. Më tej, ajo ka renditur një sërë faktesh që hidhnin poshtë pretendimet e shqiptarit. Sipas saj, Interpol Tirana, në një kohë rekord pas arrestimit, solli përgjigje pozitive se ai ishte Arsim Murtati. Vetë shefi i Policisë së Kukësit, pasi ka ndërmarrë një sërë hapash proceduralë, ka konstatuar se fotografia në pasaportën britanike me emrin e Arsim Murtakut është ajo e të shumëkërkuarit nga ky qark policie, Arsim Murtati. Pasi është dënuar në mungesë, së bashku me katër persona të tjerë, më 18 nëntor 1997, ai ka lënë Shqipërinë. Më 28 tetor 1999, Arsim Murtati ka kërkuar azil në Ministrinë e Brendshme, ku i janë marrë shenjat e gishtave. Nuk dihet data e hyrjes në këtë vend. Ndërsa në nëntor 2006 ai ka fituar të drejtën e shtetësisë britanike, paçka se ishte në listën e të kërkuarve nga Interpoli.

Zbulimi

Gjykatësja britanike, Daphine Whickam, ka lavdëruar punën e kujdesshme të Interpol Tiranës, për zbulimin që çoi më pas në arrestimin e Arsim Murtatit. Në muajin gusht të vitit të shkuar, Arsim Murtati, i cili banon në qytetin Northampton, në dy raste u kishte dërguar para në Shqipëri vëllezërve Florenc dhe Lulzim Murtatit. Informacioni i dërgimit të parave prej tij nuk dihet ende si ka rënë në dorë të agjentëve të Interpol Tiranës. Tejet vigjilent përballë këtij informacioni të artë, ata menjëherë kanë dyshuar se dërguesi i parave, Arsim Murtaku, mund të jetë "gjahu" i tyre i radhës në Angli, e pikërisht i kërkuari Arsim Murtati. Menjëherë, ata u kanë dërguar kolegëve të tyre në Scotland Yard një e-mail me të dhënat e personit që kishte kryer dërgesën e parave nga Anglia. Dy agjentë të skuadrës së ekstradimeve, së bashku me dy policë lokalë nga zona Northampton, vizituan shtëpinë e shqiptarit "wanted" dhe me kartelë të kuqe në zyrat qendrore të Interpolit, në Lion të Francës. Ai ka hapur derën dhe është marrë në pyetje nga policët. Shqiptari ka mohuar të jetë personi që ata kërkonin. Vajza e shqiptarit ka sjellë një pasaportë britanike me emrin Arsim Murtaku. Megjithatë, kjo nuk ka qenë bindëse për agjentët e skuadrës së ekstradimeve, të cilët e kanë arrestuar atë për llogari të shtetit shqiptar.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Sunday, 8 June 2008

Vrasësi Afrim Sinani, "luftë" me median

Përmes avokatëve kërkon mosraportimin nga gazetarët të procesit për ekstradimin në Londër

Nga Londra
Muhamed Veliu


Një vrasës shqiptar, i arratisur nga Burgu i Bënçës në 1997-ën, i ka kërkuar gjykatës mosraportimin e seancave të radhës në procesin e ekstradimit që po zhvillohet në Londër nga gazetarët.

Afrim Sinani, i dënuar me 22 vjet burg për vrasje përmes avokatëve mbrojtës, në seancën e djeshme të ekstradimit i ka kërkuar gjykatësit që në seancat e radhës media mos të raportojë, pasi do të dëshmojnë 8 dëshmitarë të ardhur nga Shqipëria. Sipas palës mbrojtëse, për njërin nga 8 dëshmitarët do të kërkohet anonimat i plotë, pasi mund t‘i rrezikohet jeta, madje edhe mund të persekutohet nga qeveria shqiptare për vetë pozicionin që mban në administratën shtetërore. Gjatë kësaj seance nuk u bënë publikë emrat e dëshmitarëve.

Avokatët e Sinanit i shprehën gjykatësit shqetësimin e tyre, pasi Ambasada Britanike në Tiranë u ka refuzuar atyre vizat, sepse ata rrezikojnë mos të kthehen nga Anglia pas dhënies dëshmi në gjykatë. Megjithatë, gjykatësi britanik është shprehur i vendosur që t‘u japë fund "zvarritjeve" 15-mujore nga pala mbrojtëse e Afrim Sinanit deri më tani. Ai ka ndërruar tre përfaqësues ligjorë. Shqiptari u arrestua nga Scotland Yard për llogari të Interpol Tiranës më 6 mars 2007, pas një fshehjeje të suksesshme 9-vjeçare në Londër, nën emrin Afrim Pulaj. Në këtë proces ekstradimi, Afrim Sinani ka dëshmuar në dy raste, ndërsa në një seancë tjetër ai është marrë në pyetje nga juristi britanik, i cili përfaqëson qeverinë shqiptare në këtë proces. Dëshmitë e Sinanit kanë qenë kontradiktore, kur ai është marrë në pyetje nga juristi i palës shqiptare.

Kërkesa e fundit nga Afrim Sinani, që mediat mos të raportojnë seancat e ardhshme gjyqësore, vijnë pas disa raportimeve në gazetën "Shqip" dhe në gazetën britanike "The People". Kjo lëvizje e fundit në bllokimin e ekstradimit, ndërmerret në mënyrë që të mos bëhet publik skenari i përgatitur me dëshmitarë të ardhur nga Shqipëria, të cilët kërkohen të dëshmojnë në mënyrë anonime, në favor të Sinanit, i cili, megjithëse është person në kërkim nga Interpoli, kishte mundur të fitonte nënshtetësinë britanike. Me po të njëjtin skenar, disa muaj më parë Frrok Koçeku, i dënuar për vrasje, mundi të bllokojë me sukses ekstradimin për në Shqipëri. Në favor të tij dëshmoi një dëshmitar i ardhur nga Tirana, të cilit nuk iu bë emri publik në gjykatë. Kjo kërkesë do të shqyrtohet në seancën e radhës më 9 korrik.

Gjykatësi britanik ka thënë se gjatë seancave gjyqësore 9-11 korrik, ai do t‘i japë fund shqyrtimit të këtij procesi. Sinani, 34 vjeç, banues në zonën Ilford në lindje të Londrës, në dëshminë e tij disa muaj më parë, i tha gjykatës se ai është amnistuar në 1997-ën nga Burgu i Bënçës, ku po vuante dënimin. Kjo dëshmi e rreme e raportuar nga "Shqip" dhe mediat britanike e kanë shqetësuar Sinanin, i cili kërkon që në seancat e radhës t‘i bëjë një "black out" raportimit të zhvillimeve nga procesi gjyqësor i ekstradimit. Sinani, baba i katër fëmijëve, kërkohet nga shteti shqiptar për t‘u rikthyer në vendin e vuajtjes së dënimit për vrasje. Ai është dënuar nga Gjykata e Rrethit Kukës në vitin 1995, si autor i vrasjes së Astrit Sinanit, pasi fisi i këtij të fundit i kishte zënë pritë Afrimit, nga ku mbeti i vrarë babai tij.

Të suksesshmit e ekstradimeve të bllokuara

Nëse Gjykata e Ekstradimeve, City of Westminster Magistrate, nuk do të lejojë ekstradimin e Afrim Sinanit nga Anglia, atëherë numri i shqiptarëve të arrestuar në Londër, të cilët jetojnë të lirë rrugëve të Anglisë, do të shkojë në gjashtë. Vitin e shkuar, Frrok Koçeku, dënuar me 16 vjet për vrasje, nuk u ekstradua, pasi gjykata besoi se ai me të vërtetë persekutohej nga qeveria. Pjetër Lekstakaj, i dënuar me dhjetë vjet për tentativë vrasjeje në një fshat të Lezhës, nuk u ekstradua, pasi ai vuan nga çrregullimet mendore dhe se në Spitalin e Burgut në Tiranë nuk kishte ekspertizë të nevojshme për ta kuruar.

Rastin më flagrant për të mos u ekstraduar nga Anglia do ta shënonte Hektor Mahmutaj nga Fieri, i dënuar me 25 vjet burg. Juristi britanik, John Hardy, përfaqësues i qeverisë shqiptare në proces, u tërhoq, pasi besonte se problemi i rigjykimit të personave të ekstraduar nuk zbatohej si duhet. Po për këtë problem, në janar 2007 Imer Hasani, i dënuar me 20 vjet për vrasje, nuk do të ekstradohej nga Anglia.

Tre vjet më parë, Fatmir Bleta në Gjykatën e Lartë, Royal Court of Justice, për çështje teknike fitoi procesin me shtetin shqiptar për mosekstradim për arsyen e vetme se shteti shqiptar nuk i kishte dërguar në shtëpi vendimin e gjyqit në mungesë dhe ta njoftonte se ai ishte person në kërkim. Rasti Bleta është kthyer në precedent, duke u përdorur masivisht nga juristët britanikë në proceset e ekstradimit ndaj shqiptarëve.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Saturday, 7 June 2008

Jorgen Çetaj, kampion Anglie për të dytin vit radhazi

Boks / Shqiptari gati për t‘u ndeshur për titullin e kampionit të Britanisë së Madhe

Nga Londra
Muhamed Veliu

Për të dytin vit radhazi, boksieri Jorgen Çetaj është shpallur kampion i Anglisë për moshat e reja në federatën amatore, "Amatory Boxing Association". 17-vjeçari shqiptar ka mundur me lehtësi në finalen e zhvilluar në Liverpul kundërshtarin Rajan Aston, që mban dy breza të kampionit të Anglisë në peshën super të mesme. Që në minutën e parë të raundit të parë, Çetaj ka lëshuar një të majtë të fuqishme, duke i treguar kundërshtarit nga Birmingemi se kishte hyrë në ring për ta mposhtur. Shqiptari ka fituar raundin e parë, duke grumbulluar 3 pikë, ndërsa Aston asnjë.

Sfida ka vazhduar me kampionin anglez, që ka provuar të vërë në vështirësi Çetajn, duke lëshuar një ganxhë të fuqishme me të majtën, por boksieri shqiptar nuk është dorëzuar dhe u kundërpërgjigj me një të majtë të rrufeshme. Edhe ky raund do të fitohej nga Jorgen Çetaj, me rezultatin 5 me 2. Në raundin tretë dhe të fundit, duke treguar pjekuri, Çetaj ka administruar minutën e parë dhe nuk është hedhur aspak në sulm.

Kjo ka bërë që rivali i tij të kërkonte me dëshpërim kontaktin fizik (edhe sepse ishte në disavantazh me pikë), por Aston iu kushtua më shumë sulmit sesa mbrojtjes. Pikërisht këtu përfiton talenti shqiptar i ringut, që shfrytëzon mirë hapësirat dhe e godet në fytyrë kundërshtarin: edhe nga ky raund, Çetaj mbledh 5 pikë të tjera.Përmes emocioneve se është shpallur kampion i Anglisë për të dytën herë, ku e mbylli duelin me një fitore të pastër prej 13 pikësh, 17-vjeçari dukej tejet i lumtur. "Për mua fitimi i këtij titulli për të dytin vit radhazi do të thotë shumë, si në aspektin kombëtar po ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Mbi të gjitha më ndihmon që të njihem si boksier këtu në Angli, por edhe më gjerë", është shprehur Çetaj gjatë një interviste telefonike për "Shqip". Duke folur rreth duelit, ai tregon se hyri në ring me një dëmtim të vogël në dorën e djathtë, që e kishte pësuar gjatë stërvitjes. Megjithatë, gjithçka shkoi sipas planit. Çetaj nuk harron as vlerësimet për paraqitjen e kundërshtarit, të cilin e cilësoi si një boksier të mirë. "Rajan Aston është një boksier me kualitet. U gëzova pamasë që e munda dhe arrita për të dytën herë të fitoj titullin e kampionit për ABA. Ishte një duel që e fitova pa shumë vështirësi, mund të them në një mënyrë komode". Kjo fitore e rëndësishme i jep atij shanse për të qenë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike 2012.

Por, përpara se të mbërrij deri atje, Jorgen Çetaj ka një tjetër sfidë të rëndësishme në fund të këtij muaji, për të cilën thotë: "Federata Angleze e Boksit më ka dërguar një letër, ku më kërkon që të përfaqësoj Anglinë në kampionatin e boksit dhe të ndeshem me kundërshtarët nga Irlanda, Skocia dhe Uellsi për titullin e kampionit të Britanisë së Madhe. Ky kompeticion do të zhvillohet në Skoci. Unë jam në gjendje shumë të mirë fizike, pasi gjatë tërë kohës jam stërvitur për ndeshjen e fundit që pata. E kam shtuar stërvitjen për të shkuar atje dhe pse jo për të fituar. Këto tre javë në vazhdim do të jenë të vështira për mua, pasi do të më duhet të stërvitem shumë". Kjo ishte fitorja e 14 radhazi për Jurgenin në dy vjet.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Thursday, 5 June 2008

"Rrethim" anglez për Ismail Kadarenë

"Rrethim" anglez për Ismail Kadarenë

Pas 40 vitesh nga botimi në shqip, promovohet në anglisht libri "Kështjella"

Nga Londra
Muhamed Veliu


Ismail Kadare, pas fitimit të çmimit "Man Booker International", ka promovuar në Londër përkthimin në gjuhën angleze të librit "Kështjella", ndërkohë që përkthyesi Devid Bellos ka zgjedhur si titull "The Siege" (Rrethimi).

Ky është libri i shtatë që përkthehet nga Bellos. Hyrja e Kadaresë në sallën e qendrës kulturore "Mbretëresha Elizabeth" është pritur me ovacione dhe duartrokitje nga shqiptarët e pranishëm dhe adhuruesit britanikë. Fillimisht Kadare ka lexuar një fragment nga libri "Kronikë në Gur", në mungesë të një kopjeje në ato momente të "Kështjellës" në gjuhën shqipe. Prezantimi kësaj vepre ka nisur në formën e një bashkëbisedimi mes Kadaresë dhe Bellos që drejtonte pyetjet. Kadare fillimisht ka treguar me detaje rrethanat në të cilat ai e shkroi këtë libër. "Për mua është e pabesueshme që ky libër i shkruar 40 vjet më parë tani të botohet në gjuhën angleze.

Ky libër është shkruar nën presionin e autoriteteve të kohës për të shkruar diçka ndryshe nga veprat e mia të mëparshme, si "Gjenerali i ushtrisë se vdekur", apo "Përbindëshi" ka thënë Ismail Kadare. Një ndër pyetjet e drejtuara nga Bellos ishte rreth studimeve të Kadaresë në Rusi, për të cilën ai do të jepte këtë përgjigje: "Këto studime ishin shumë të rëndësishme për mua. Shkova atje nga një vend i vogël në një qytet të madh me liri, por instituti ‘Gorki‘ ku unë studiova, ishte krijuar për të prodhuar shkrimtarë dogmatikë.

Këtë e kuptova që në fillim. Dëgjoja me vëmendje leksionet e pedagogëve, por kur shkruaja bëja të kundërtën e asaj që na mësonin", tha ai. Sakaq, Kadare ka dhënë një përgjigje të ashpër, kur është pyetur të rrëfejë debatin mes tij dhe Nexhmije Hoxhës.

Me një ton pak më të lartë se deri në ato momente, ai, duke përdorur ironi, ka thënë: "Madame Hoxha është një vrasëse. Ajo e priti këtë kohë që të më kundërvihej mua përmes një shkrimi në gazetë. Përgjigjja ime ishte se shkrimtarët e kanë obligim të jenë të sinqertë dhe të thonë të vërtetën. Ajo është më keq se një krokodil. Ajo është vrasëse. Të tilla akuza nga ‘Madame Hoxha‘ kanë qenë të vazhdueshme. E vetmja gjë që nuk kanë thënë ishte ‘Përse vazhdon të jesh gjallë. Përse nuk ke vdekur‘". Fundi i mbrëmjes me Kadarenë do të ishte sa emocional po aq i gjetur. Ambasadori shqiptar në Londër, Zef Mazi, në praninë e publikut u çua duke përshëndetur me fjalët: "Ismail, është nder për mua dhe vendin që unë përfaqësoj t‘iu kemi mes nesh në Londër.

Nuk dua të drejtoj ndonjë pyetje, pasi shpeshherë jemi takuar dhe kemi biseduar. Paçka se komisionit të çmimit "Nobel" nuk i është mbushur mendja t‘ua japë këtë çmim, ju e keni fituar atë, duke u kthyer në krenarinë e kombit tonë. Ju jeni padiskutim fitues. Edhe njëherë është nder të jesh mes nesh në këtë promovim", u shpreh ambasadori Mazi. Ndërkohë, një varg i gjatë njerëzish do ta prisnin shkrimtarin 72-vjeçar jashtë sallës ku u zhvillua bashkëbisedimi, për të marrë autografe mbi "Kështjellën" tashmë në anglisht, publikuar nga shtëpia botuese "Cannongate".

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Wednesday, 4 June 2008

Princi Çarls, një skulpturë shqiptare në shtëpi

Princi Çarls, një skulpturë shqiptare në shtëpi

ANILA MEMA/PANORAMA

Në Sarandë punonte në parkun arkeologjik të Butrintit dhe kjo eksperiencë e ndihmoi të merrte edhe bursën, për të mësuar gurë gdhendje. Tani është një skulptor i njohur në tregun anglez. Deri para 2002, punonte në një nga fabrikat më të njohur aty, Dick Reid’s Workshop. E më pas eksperienca e bëri të hapë vetë një studio private. Sot punët e tij janë të shumta, të njohura dhe në koleksione të ndryshme private. Mes tyre edhe princi i Wellsit, Çarls, mban një punë të tijën. Eshtë një skulpturë të cilën e ka vendosur në faqen e jashtme të murit rrethues. Është Laokonti, prifti trojan i cili u mbyt nga gjarpërinjtë me dy djemtë e tij, të cilën Melka e ka gdhendur në gur. Për gazetën artisti shqiptar tregon se me Princin Çarls takimi i parë ka qenë në shtëpinë e tij në Highgrove. “Aty po bënim disa punime për shtëpinë. Ndërkohë më pas, me arkitektin e tij, ramë dakord me për Laokontin, që ta vendosnim në një nga muret e jashtëm të shtëpisë. Më pas Princi ose Çarli boy (si e quajmë ne) bëri edhe një përurim të një monumenti tjetër të vogël që bëra unë po në gur” shprehet më tej Andriani. Kur e pyet se si janë tashmë marrëdhëniet e tij me familjen mbretërore ai shton me modesti: nuk mund të thuash lidhje me Royalty, sepse ata janë shumë më lart nga çdo njeri tjetër këtu në Angli, po të paktën më mban mend emrin dhe ka pyetur gjithnjë bosin ku punoja më parë se ç’bëhet me mua”, shton artisti. Megjithatë, Princi Çarls nuk është i vetmi që ka veprat e skulptorit shqiptar.

Pas Princit Çarls edhe Lordi Rothschild

Edhe Lord Rothschild ka një vepër të shqiptarit. “Lord Rothschild ishte një nga sponsorët e “Butrint Foundation” kështu që kur mbarova kolegjin këtu ai bleu një nga punimet që bëra gjatë vitit “Betejën e Centaurëve”, thotë Melka. Ndërkohë, veprat e tij janë të shumta. Mjafton të kërkosh në internet dhe web site-t që hapen nga motorët e kërkimit janë të pafund. Melka ka realizuar kokën e Mbretëreshës dhe Dukës së Edinburgut për Chichester Cathedral. Një tjetër skulpturë e tij është edhe për Mikelanxhelon, por vetë skulptori thotë se veprat e tij më të shumta ndodhen në Amerikë. “Shumica e punëve të mia ka qenë për Amerikën ku pëlqehen më shumë punimet Neoklasike”, vazhdon të tregojë artisti. Ndërkohë kohët e fundit është duke u marrë më një skulpturë të radhës, me lartësi 1.8 metra. Është një kopje origjinale e Afërditës. Ndërsa vetë Melka thotë: Kohët e fundit i jam kthyer pak dhe temave të vjetra nga universiteti dhe po punoj me stil pak me abstrakt.

Udhëtimi për në Angli

Por si ka qenë largimi i tij drejt Anglisë. Për art dhe skulpturë Andrian Melka ka studiuar që nga mosha dhjetëvjeçare. Më pas është diplomuar në vitin 1994 në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Pas diplomimit ka shpenzuar rreth dy vjet në kopjimin e kokave të antikave dhe relieveve. Ndërsa në vitin 1997 udhëton drejt Anglisë, ku edhe filloi punën përkrah të mirënjohurit, Dick Reid, si një drejtues në studion e tij në York. Aty ai punoi midis disenjatorëve dhe arkitektëve të profileve të larta. “Unë erdha në Angli si student në 1997 pas trazirave në Shqipëri. Në atë kohë punoja në Butrint me Arkeologjikun e Sarandës dhe “Butrint Foundation” që ishte një skuadër Angleze. Nëpërmjet tyre mora bursën për të ardhur këtu për të mësuar gurë gdhendje. Pasi mbarova studimet pas dy vjetësh vendosa të rija këtu, pasi gjeta një punë të mirë në një nga punishtet më të njohura në Angli (Dick Reid’s Workshop). Pasi punova për gjashtë vjet dola më vete dhe tani kam punishten time”, thekson Andriani për gazetën “Panorama”. Në vitin 2002 ai hapi një studio të vetën në periferi të Yorkut. Puna e tij përfshinte skulptura natyrale dhe art të dhomës. Ndërsa sot ai është një emër i njohur mes skulptorëve britanikë. Skulptori shqiptar, është gjithashtu fitues i një “Certificate of Merit Awards” për veprën në St Andrew’s OldChurch, Bishopthorpe, York.

Mediat angleze

Gazetat e zonës së Yorkshir-ës Lindore në Angli, shkruajnë mirë për skulptorin shqiptar. Ata kanë vënë në dukje interesimin dhe dashamirësinë e Princit Çarls dhe Lordit Rothschild. Ai tashmë është duke i dhënë dorën e fundit veprës së tij që është vlerësuar shumë edhe nga dy dashamirësit e tij të nivelit të lartë. Kjo vepër që është një replikim i origjinalit përbën një art më vete. “Që nga koha kur 35-vjeçari Andrian Melka, lëvizi dhe u vendos në Angli, ai jeton në Stamford Bridge dhe studion e ka vendosur në Bugthorpe”, thuhet në shtypin vendas.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Tuesday, 3 June 2008

"ADN-ja" e Shqipërisë në 52 minuta.

Kompania e produksionit të dokumentarëve "Buzz TV", gati planin për xhirimet ne Shqiperi

Nga Londra
Muhamed Veliu

A mjaftojnë 52 minuta për të pasqyruar qytetet më të bukura shqiptare: kulturën e Shqipërisë, turizmin, veshjet tradicionale, ushqimet, pa harruar mikpritjen për të cilën ne shquhemi, hijeshinë e shqiptarëve, vitalitetin e djemve apo bukuritë e bregdetit nga Velipoja në Sarandë? Përgjigjet mund të jenë nga më të larmishmet. Producentët e kompanisë britaniko-spanjolle "Buzz TV" mendojnë se po.

Tashmë ata e kanë gati planin e punës për një ndër dokumentarët më ambiciozë të këtyre 17 viteve të fundit, që kërkon mbështetjen e qeverisë shqiptare, apo kompanive private, nëse do të duan që imazhet ndryshe të Shqipërisë të ndiqen në të gjithë botën nga miliona teleshikues përmes kanaleve "Discovery", "TVE" dhe "The Travel Channel".

Gazeta "Shqip" zotëron ekskluzivisht planin e punës tejet të detajuar që "Buzz TV" ka hartuar për të nisur xhirimet e dokumentarit në fjalë, pjesë e 6 serive mbi turizmin në botë që do të quhet "Escape", me përbërjen e 13 shteteve të përzgjedhura nga një listë e 40 vendeve."Ne i kemi gati planet për të prodhuar disa dokumentarë, ku do të pasqyrohen vende të njohura turistike në botë, përfshi disa vende më pak të shkelura nga turistët. Për ne, nga ana gjeografike, përfshirë dhe atë kulturore, Shqipëria në mënyrë të padiskutueshme ka se çfarë t‘u ofrojë shikuesve në të gjithë botën. Besojmë në mënyrë absolute që Shqipëria është një destinacion i ri turistik jo shumë i njohur.

Grupi ynë i xhirimit do të fokusohet në pjesët e paprekshme, pothuajse të virgjëra të bregdetit, fshatrat e vjetër, përfshi malësinë e Shqipërisë. Nga malet në veri, duke vazhduar në jug me vendet arkeologjike, nga qytetet e mëdha në rritje të vazhdueshme si Tirana apo Durrësi, në fshatrat e bukur në të gjithë vendin, duke nënvizuar surprizat që presin turistët në një parajsë të panjohur më parë", shkruhet kështu në planin e punës përgatitur nga producentët e "Buzz TV", që kanë vizituar disa herë Shqipërinë.

Në dokumentarin 52 minutësh janë përfshirë një sërë aspektesh të veçanta, që përbëjnë profilin origjinal të atdheut tonë. Ato janë: natyra e paprekur me bukuritë e saj në male, fusha e bregdet; ngjyrat e peizazhet e rralla, si dhe pasuritë e trashëgimisë. Më tej, vihen në dukje karakteristika si: mikpritja shqiptare e ndërthurur me traditën në krahina të ndryshme, ku përfshihet dhe kultura e kuzhinës. Por, ndërkohë, do flitet dhe për zhvillimin e biznesit.

Padyshim që ky projekt televiziv merr një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi në të shkuarën kanalet televizive greke apo italiane nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë transmetuar pamje shqiptarësh që mbërrijnë me anije për një jetë më të mirë në gadishullin Apenin, apo në prag luftën civile në 1997-ën, kur pamjet tronditëse të Shqipërisë që digjej, ende edhe sot bëjnë xhiron e botës. Mundësia që i jepet Shqipërisë në përfshirjen e serive "Escape" për herë të parë i bën ADN-në vendit tonë me potenciale të mëdha, por pak të njohura, ose me qëllim të keqpërdorura nga fqinjët që i tremben një Shqipërie të qetë, e cila ofron turizëm më lirë se ata.

Realizuesit e këtij dokumentari do të përcjellin mes tij mesazhe qindra herë më të forta se ato që janë përzgjedhur në spotin 300 000 eurosh që transmetohet në CNN. Nuk dihet ende se si do të mirëpritet apo mbështetet ideja e këtij dokumentari nga qeveria e Tiranës, e cila po trumbeton me të madhe "sukseset" e saj në fushën e turizmit.Por, gjatë një bisede me ambasadorin e Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Zef Mazi, ai jep mbështetjen e plotë për një projekt që vende të tjera të botës do ta paguanin sa frëngu pulën për të realizuar një dokumentar të tillë, ndërkohë që Shqipërisë i ofrohet kundrejt një mbështetje simbolike."Buzz TV", së bashku me partnerët që do të merren me distribucionin në bërjen e këtij dokumentari, marrin përsipër të gjitha fazat, ku futen xhirimet, post-produksioni, shitja, marketing.

Në të shkuarën "Buzz TV" ka prodhuar më shumë se 100 dokumentarë të kësaj natyre, të transmetuar në stacionet e mirënjohura si "Discovery", "TVE" dhe "The Travel Channel", duke kapur një audiencë prej 450 milionë teleshikuesish në çdo cep të botës.Sipas rregullave të produksionit të "Buzz TV", e drejta e autorit për këtë dokumentar i mbetet Shqipërisë për ta transmetuar atë në stacionet kombëtare apo ndërkombëtare.

Sakaq, Ministrisë së Turizmit për arkivim apo për përdorim në të ardhmen, do t‘i vihen në dispozicion 6-8 orë filmime profesionale të përdorura në dokumentarin final prej 52 minutash.Ekzistojnë të gjitha mundësitë që dokumentari të përdoret për qëllime tërësisht komerciale si film prezantues për Shqipërinë në botë, përfshi edhe shitjen e tij në DVD.Burime nga Ministria e Turizmit në Tiranë kanë pohuar se vetë ministri Ylli Pango, dashamirës dhe njëkohësisht vetë dokumentarëbërës, e ka mirëpritur këtë projekt të "Buzz TV". Ajo që nuk dihet ende është se në çfarë niveli do të jetë bashkëpunimi, pasi, sipas producentëve të televizionit në fjalë, filmi do të jetë në përputhje me programet që ka Shqipëria për turizmin në 5 vitet e ardhshme. "Buzz TV" do ta realizojë këtë dokumentar së bashku me partnerin "Transglobe", që njihet si një prej gjigantëve të prodhimit e dokumentarëve në botë.

Mësohet se të shtunën në mesditë ka mbërritur në Tiranë zonja Judith Luscombe, zëvendëspresidentja e "Buzz TV", për t‘u "matur pulsin" autoriteteve shqiptare, se sa të interesuar janë ata në këtë projekt, që mund të marrë jetë në shtator 2008. Padyshim që ajo do t‘u tregojë autoriteteve shqiptare një shprehje që përdoret shpeshherë mes njerëzve të televizionit, e në veçanti dokumentarëbërësve se "nëse një foto vlen sa njëmijë fjalë, një film duhet të vlejë miliona".


You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Sunday, 1 June 2008

Burgoset shqiptari që përdhunoi dadon e së bijës

Gjykata londineze 9 vjet burg Kreshnik Dishës. Gjykatësi urdhëron dëbimin në fund të dënimit.

Nga Londra
Muhamed Veliu

Një emigrant shqiptarë është dënuar me nëntë vjet burg për përdhunimin e dados polake, në prezencë e së bijës 18 muajshe e cila ka nisur të qaj kur i jati po kryente krimin çnjerëzor. Kreshik Disha u gjet fajtor në gjykatën qëndrore të krimeve të rënda “Old Bailey” në Londër, për përdhunimin e shtetases me inicialet M.M më 5 Gusht 2007.
Gjykatësi Mr.Justice Sells QC duke lexuar masën e dënimit e cilësoi krimin e kryer nga Disha si të paramenduar, e papapërgatirur me gjakftohtësi apsolute.
“Ky ishte një krim tejet serioz pasi ju kishin detyrim ta mborinit viktimën të cilën sëbashku me të fejuarin e saj e kishit punësuar. Ky krim merr trajta akoma më serioze që rëndojnë prozitën tuaj pasi u ndërmorr në prezëncën e vajzës, Kamila e cila ishte vetëm 18 muajshe”. ka thënë gjykatësi Mr Justice Sells QS.
Ai shtoi se viktima ende vazhdon të jetë e tmerruar si pasojë e përdhumit.
“Ditën e përdhunimit ajo vuajti, po ashtu në gjykatë kur dha dëshmi si edhe në shtëpinë e saj në Poloni ku tani jeton. Zoti Disha ju jeni një njeri që keni hyrë ilegalisht duke thyer të gjitha rregullat e këtij shteti. Kurrë nuk jeni rregjistruar. Ju jeni një rrezik për publikun. Si i tillë në fund të dënimit duhet të dëboheni për në vëndin tuaj të origjinës” ka përfundur gjykatësi.
Disha i veshur me një këmishë të zezë e viza të bardha, pantallona blu xhins, flokë të prera shkurt që i shkëlqenin nga xheli, gjatë të gjithë kohës kur gjykatësi lexonte pretencën ka qëndruar me kokë ulur, duke dëgjuar përkthim e pëkthyeses.
Gjatë procesit gjyqësor Kreshnik Disha pronar i një lavazhi makinash në zonën Dagenham në lindje të Londrës, ka deklaruar se është i pafajshëm dhe se dadoja “kishte kohë që flirtonte me të dhe se mardhënia seksuale u krye me dëshirën e saj”.

Përdhunimi

Sipas aktakuzës viktima e përdhunimit sëbashku me të fejuarin, ishin punësuar në lavazhin e Kreshnik Dishës që në Korrik 2007. Në 5 Gusht 2007 ata kishin nisur punën të dy që në ora 8 të mëngjesit. Polakja M.M e kishte njërën dorë në allçi pasi e kishte thyer një ditë më parë. Rreth orës 11:00 Disha i thotë M.M nëse mundej të shëtiste në park të bijën e quajtur Kamila që ishte vetëm 18 muajshe. Ajo e bëri një gjë të tillë duke u kthyer pas dy orës ndërkohë që Disha ishe i zënë me punë i kërkon të ngjitet sipër në shtëpi dhe të vazhdojë së kujdesuri për vajzën.
Pas 3 orësh Disha është ngjitur në dhomë e cila ishte e lokalizuar sipër lavazhit duke filluar ta puthë atë megjithë kundërshitë e saj duk i thënë se “dukesh shumë seksi”. Sipas dëshimisë së viktimës ajo rrezistoi duke kundërshtuar shqiptarin.
“Nuk mund të manovroja dot pasi kisha një dorë të thyer. Më shtyu duke më përplasur në krevat. Ishte shumë i fuqishëm. Nuk e përballoja dot pasi isha me një dorë. Kamila po qante ndërkohë.Ai i dha portofolin që të luante e të pushonte. Më pas uli pantallonat. E kishte të vështirë të më hiqte të mbathurat pasi rezistova. Nuk mundi të mi heqë, vetëm sa i spostoi anash këmbës time e më pas më përdhunoi. Gjithçka zgjati për gati 10 minuta”.
Denoncimi

E ndërkohë që polakja pas përdhunimit po dridhej, nga dëshmia e saj u mësua se Disha për ta qetësuar i ofroi të pinte një cigare hashash. “Kjo do të bëj të ndjehesh më mirë” i ka thënë shqiptari. Nga frika e ndonjë sherri të mundshëm atë ditë ajo nuk i tregoi të fjuarit se ç’farë kishte ndodhur. Por tejet e stresuar ja tregoi të nesërmen. Sëbashku ata kanë shkuar në një qendër mjekësore e cila nuk i ka ofruar shërbim mjekësor pasi fillimisht duhet të deklaronte në polici përdhunimin.Pasi ka bërë kallximin ajo është vizituar nga një mjeke specialiste e cila ka konstatuar dëmtime në vaginën e saj si pasojë e mardhjënjes seksuale me dhunë.

Tentativat e dështuara

Dy ditë më vonë Disha do të prangosej. Në polici ai ka pranuar të ketë patur mardhënje seksuale me polaken por me dëshirën e saj. “Ardhja e saj në shtëpinë time ishte e parapërgatitur më parë mes nesh” ka thënë ai polici gjë e cila është mohuar nga viktima.
Nga intervista në polici e M.M u mësua se Kreshnik Disha në të shkuarën në dy raste ka tentuar te kryej mardhënje seksuale me të, kur e dinte se i dashuri saj nuk ndodhej në shtëpi.
Në rastin e parë ai ka tentuar ta puthë dhe i ka kërkuar të bënin dashuri por më pas ka ikur, pasi polakja ka kundërshtuar. Ndërsa në rastin tjetër prezent në shtëpi ishte e pronarja shtëpisë të cilën kur e pa Disha tha se po vizitonte disa miq në shtëpinë ngitur që në fakt ishte bosh. Duke përfituar nga dora në allci e polakes, herën e tretë ai ja ka arriut qëllimit duke e përdhunuar pa menduar pasojat që do të ishin 9 vite burg e dëbim në Shqipëri.

You aren’t permitted to publish any material text of photo from this blogg. Any publication will be treated as breach of copyright.
© Veliupress copyright 2007

Blog Archive

About Me

Veliupress


View My Stats